Foto ilustruese

Tensionet në Ukrainë, Rusia paralajmëron hakmarrje nëse kërkesat e saj nuk plotësohen

26 Janar 2022, 15:21| Përditesimi: 26 Janar 2022, 15:24

  • Share

Rusia paralajmëroi sot se do të hakmerret, nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kundërshtojnë kërkesat e saj të sigurisë. Perëndimi është i shqetësuar se Rusia po planifikon të pushtojë Ukrainën. Rusia e mohon një gjë të tillë, ndonëse ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën dhe po kryen një sërë manovrash të tjera ushtarake në rajon.

Në qendër të kërkesave të Moskës është e ardhmja e Ukrainës. Moska kërkon garanci që Ukraina dhe vendet e tjera ish-sovjetike nuk do të lejohen të anëtarësohen në NATO dhe që aleanca të tërheqë trupat nga vendet e tjera të ish-bllokut sovjetik.

Disa prej këtyre kërkesave, si garancitë për mos anëtarësim, janë të papranueshme për NATO-n. Qëndrimet e kundërta kanë bërë që shumë të frikësohen se po shkohet drejt një lufte. Duke folur sot me ligjvenësit rusë, Ministri i Jashtëm, Serrgei Lavrov tha se nëse Perëdnimi vazhdon me këtë kurs agresiv, "Moska do të marrë hapat e duhur hakmarrës”.

Moska po pret për përgjigjen amerikane, tha ai, “por nuk do të presë pafundësisht”. NATO njoftoi këtë javë se do të përforcojë forcat në rajonin e Detit Balltik dhe Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar 8,500 trupa në gadishmëri për dislokim të mundshëm në Evropë.

Qeveritë perëndimore po ashtu po ndihmojnë Ukrainën me armë dhe mjete ushtarke për të forcuar mbrojtjen e saj. Disa raunde takimesh diplomatike të nivelit të lartë deri tani nuk kanë sjellë ndonjë përparim.

Kjo nuk është hera e parë që Rusia ndërhyn në Ukrainë. Në vitin 2014, pas rrëzimit me protesta të presidentit pro-rus të Ukrainës, Rusia pushtoi gadishullin ukrainas të Krimesë, si dhe mbështeti një kryengritje separatiste në rajonin lindor industrial të Ukrainës. Luftimet mes forcave ukrainase dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia në këtë rajon kanë lënë të vrarë 14 mijë vetë dhe përpjekjet për një zgjedhje paqësore deri tani nuk kanë patur rezultat./VOA/

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?