Katër vjet pas vdekjes së Aleksandër Stipčević (Stipçeviç), nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë mësojmë se studiuesi i madh kroat përmes një testamenti veprat e tij ia dhuron Shqipërisë... Këto ditë mbi 1100 tituj librash, kryesisht për studimet ilire e albanologjike i janë dhuruar zyrtarisht Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Sekretari Shkencor i kësaj akademie, Vasil Tole, shprehet për gazetën “Shqiptarja.com” se librat i janë dorëzuar institucionit, por ndërkohë po punohet për sistemimin dhe organizmin e materialeve dhe “së shpejti do t’i publikojmë edhe për mediat”, tha Tole, duke u shprehur më tej se: “Duam që të bëjmë inventarizimin e plotë, t’i sistemojmë në një ambient përshtatshëm dhe t’i regjistrojmë në mënyrë të plotë, për të pasur një inventar dhe një listë të saktë të të gjitha materialeve. Pas njohjes së plotë me materialet e sakta ne do ta bëjmë edhe mediatik këtë njoftim të rëndësishëm”. Ndërkohë disa prej akademikëve të njohur shprehen se janë shumë të entuziazmuar që Stipçeviç në testamentin e tij ka përfshirë edhe Akademinë e Shkencave, duke zgjedhur që t’ia dhurojë shtetit shqiptar të gjitha studimet albanologjike. Ndërsa akademikët vlerësojnë gjestin e madh dhe vlerën e jashtëzakonshme të veprave, kanë hedhur idenë që pranë Akademisë së Shkencave të ngrihet edhe biblioteka “Aleksandër Stipčević”.
“Kemi vërtetë të bëjmë me një pasuri të vyer”, shprehen burimet për “Shqiptarja.com”. Gjithashtu mësojmë se Stipteviç ka dhuruar një nga veprat më të ralla; koleksionin e plotë të “Illyricum Sacrum”, si dhe studimet e tij për ilirët dhe protolilirët.
Në veprën e tij, Aleksandër Stipčević ka trajtuar dhe evidentuar praninë e elementit ilir në gjithë Ballkanin. Kontributi më i madh i tij është puna që ka bërë për studimin e veprës “Illyricum Sacrum”, një enciklopedi me 5500 faqe, ku flitet për historinë e ilirëve. Ai e ka konsideruar “Illyricum Sacrum”: “një arritje kapitale të historisë evropiane.” Sipas tij, vëllimi i parë ka dalë në vitin 1751, kurse i fundit më 1909. Shtatë vëllimet e para janë përgatitur nga Daniele Farlati, kurse dy vëllimet e fundit nga Jaobo Coleti. Vepra është përkthyer edhe në shqip nga Dom Frano Iliaj në vitet 1960, dhe përkthimi i pabotuar ekziston ende në dorëshkrim në Arkivat e Shtetit.
Aleksander Stipčević mbështet tezën se ilirët janë autoktonë në trojet e Ballkanit Perëndimor. “Ilirët në tokat e tyre, -shkruan autori, vazhdojnë të flasin gjuhën e tyre popullore, i adhurojnë zotat e vet, të vdekurit i varrosin në mënyrën tradicionale, e punojnë tokën ashtu siç e kanë kultivuar në shekuj të parët e tyre, veshin kostumet e tyre popullore dhe e përfillin rendin shoqëror politik të organizimit të tyre fisnor, që vetëm në rast nevoje ia adoptojnë strukturës së administratës romake”
Arkeologjia është një drejtim tjetër ku veprimtaria shkencore e Profesor Stipčevićit mbetet e spikatur dhe e rëndësishme, duke dhënë një kontribut unik shkencor në fushën e ilirologjisë.
Biografia e Aleksandër Stipčević
Albanologu, studiuesi, bibliografi dhe arkeologu, Aleksandër Stipčević, u lind në Arbanas të Zarës, më 10 tetor 1930. Lindi në një familje arbëreshe të ardhur rreth 300 vjet më parë në Zarë, nga fshati Ana e Malit në Mal të Zi. Shkollën fillore e të mesme e kreu në Zarë dhe më pas studioi në Zagreb për Arkeologji.
Origjina e familjes ishte një nga arsyet që, kur ishte student i arkeologjisë në Universitetin e Zagrebit, kishte vendosur të merrej me ilirët, dhe këtë e ka rrëfyer edhe në një intervistë të dhënë për mediat kosovare: “Me ilirët kam vendosur të merrem që kur isha student i arkeologjisë. Ata vazhdimisht më kanë preokupuar, në radhë të parë për shkak se kam menduar e mendoj se nuk mund të studiohet e kaluara e Ballkanit, madje as e tashmja pa njohjen e elementit ilir. Gjithçka që ka ndodhur në Ballkan prej kohës së mesme e këndej, në një farë mënyre, është ndërtuar mbi atë shtresë që ne e quajmë ilire. Pra çdo tregim për Ballkanin fillon me Ilirët.”, ka thënë Stipçeviç.
Aleksandër Stipčević u nda jeta katër vjet më parë, në moshën 85-vjeçare. Ai ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dhe ka pasur korrespodenca të rregullta edhe me akademikët e Shqipërisë. Nga shteti shqiptar për kontributin e tij është vlerësuar me medaljen “Naim Frashëri” dhe me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. I kujdeshëm në burimet e autorëve antikë ai ka sjellë të dhëna të vyera nga zbulimet arkeologjike, por edhe ato etnografike të lidhura me jetën e përditshme e doket ilire.
Nga thellësia e shekujve ai ka nxjerrë ën dritë të dhëna për muzikën, vallet dhe për gjuhën e ilirëve. Aleksandër Stipčević drejtoi për një kohë të gjatë Bibliotekën e Akademisë së Shkencave të Kroacisë, duke dhënë një kontribut të shquar në përpunimin metodik e shkencor të librit. Është autor i Bibliografisë ilire, i Bibliografisë antike të Jugosllavisë etj. Për punën gjysmë shekullore dhe formimin enciklopedik të tij dëshmon edhe botimi i veprës “Povijest knjige” (Historia e librit), Zagreb 1985, f.560, shoqëruar me shumë ilustrime, e përkthyer në shqip dhe botuar në Prishtinë, 1988 e në Tiranë 2000. Rrëfimin për historinë e librit autori e nis me pllakat e shkruara prej balte të gjetura në Mesapotaminë e lashtë 4500 vjet më parë, me Bibliotekën e Aleksandrisë, me Shtypshkronjën e Gutembergut e deri tek libri elektronik. Në vitet e fundit të veprimtarisë shkencore prof.A. Stipčević, ia kushtoi kërkimin e tij shkencor trashëgimisë kulturore, shpirtërore e gjuhësore të vendlindjes së tij, gjë që është pasqyruar në përmbledhjen me studime “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”, Prishtinë 2012, f. 438, një vepër e shkruar me dashuri për vlerat dhe traditën e të parëve të vet. Vepra kërkimore shkencore 50-vjeçare e Prof. A. Stipçeviçit për ILIRËT, për arbanasit e Zarës dhe më gjerë është një gur i fortë themeli në historinë e studimeve ilire.
Aleksandër Stipčević në gjuhën shqipe
Libri i parë i tij “Gli Iliri”, Milano 1966, u përkthye në shqip nga Prof. Zef Mirdita dhe u botua në Prishtinë, 1967 nga Shtëpia Botuese “Rilindja”. Në këtë libër A. Stipčević ka mundur të japë një pamje më të plotë të historisë dhe të kulturës Ilire dhe ka arritur të bëjë një sintezë të gjithë asaj që ishte thënë e shkruar për ilirët.
Prof. A. Stipčević vazhdoi ta ripunojë, ta plotësojë e zgjerojë veprën e tij “Ilirët”, e cila ka sot 9 botime e ribotime në katër gjuhë të ndryshme (italisht, kroatisht, shqip e anglisht). Varianti i fundit dhe më i ploti është “ILIRËT, historia, jeta, kultura e simbolet e kultit”, 2002, botimet TOENA. Në këtë libër trajtohet emri ilir, etnogjeneza ilire, kufijtë etnikë e topografia e fiseve ilire, kolonizimi grek, shtetet kryesore ilire, luftërat iliro-romake dhe ilirët nën pushtimin romak.
Libri i tij më i fundit në gjuhën shqipe është “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”. Në parathënien e këtij libri, Akademiku Radosllav Katiçiq thotë: “Lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se ka në dorë dhe është duke shfletuar një libër të veçantë. Aleksandër Stipčević-i, dhe libri i tij ”Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës” (Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa), në bibliografinë tonë ka vend të posaçëm. Libri i tij është vepër shkencore, shumë fortë e ndërtuar dhe monografi e shkruar me mjeshtri, mbi dukuritë e veçanta të arbëreshëve të Zarës, grupit etnik që banojnë në vendbanimin shumë afër Zarës, të cilët e kanë ruajtur gjatë gati tre shekujve (300 vjet) veçoritë e theksuara të tyre.
Stipčević ka lënë pas dhjetëra vepra e qindra artikuj në lëmë të albanologjisë, duke u bërë një nga mbrojtësit më të flaktë të tezës se shqiptarët ishin pasardhës të ilirëve. Edhe pse sipas tij kishte ende shumë për të kërkuar në këtë drejtim, ai ishte i bindur në vërtetësinë e kësaj teze.
“Shumë gjëra për ilirët nuk i dimë ende, shumë gjëra të panjohura i fshehin ende mjaft vendbanime të pastudiuara dhe nekropolet ilire, shumë fakte të njohura duhet të vlerësohen shkencërisht.” Ka shkruar në “Ilirët – historia, jeta, kultura, simbolet e kultit” (Botimet “Toena”, 2002).
Prof. Stipčević ka shkruar rreth 230 punime shkencore e profesionale, në kroatisht, shqip, italisht, anglisht. Disa prej veprave të tij janë “Ilirët”, “Arti i ilirëve”, “Ilirët: historia, jeta, kultura”, “Simbolet e kultit tek ilirët”, “Bibliografia e ilirëve”, “Interpretime albanologjike”, “Historia e librit”, “Censura në biblioteka”, “Bibliografia antike e arkeologjisë në Jugosllavi. B.1- 2”, “Censori i përsosur”, “Bibliografia e Arbreshëve të Zarës”, “Përmendoret kulturo- historike në Arbanas” etj. Numëron shumë artikuj për enciklopeditë e Jugosllavisë.
Akademiku i madh Stipqeviq, eshte deshmia e dashurise kombetare shqiptaree.ka len t ashigim vllera te pasura te histories shqiptare,te cilen me shkrime te shumeta e te thella shkencore e ka nderkombatarizuar lashtessin dhe vlerat materiale e shpirterore kombetare, dhe me deshmi e faktografi shkencore shqiptare ka zene vendin meritore jo vetem ne shkencen shqiptare,por edhe ne dijen shkencore nderkombetare,Ilirologu me me fame ne historine e Ilirologjise nderkombetare.Ka len tarshigim edhe vepren per identifikimin e ADN te gjenezes shqiptare nga Iliret.
PërgjigjuShkencetar dhe njeri i dimensoneve te medha. Humbje e madhe per kroacine dhe shqiperine qe aq shume deshi.
Përgjigju