Tetori rozë/ 43-vjeçarja me kancer gjiri: Jam më e fortë se kurrë! Mesazhi për gratë: Kontrollohuni, mos lini shëndetin pas dore

3 Tetor 2022, 18:01| Përditesimi: 3 Tetor 2022, 18:06

  • Share

Ishte tetori i një viti më parë kur Blerina Reka nga Durrësi, vuri re që në gjirin e saj të majtë ishte shfaqur një anomali. Menjëherë ju drejtua mjekëve të cilët i dhanë lajmin që dyshonte. Ajo ishte prekur nga kanceri i gjirit.

“Unë e kam kapur vjet në Tetor dhe fillova pastaj duke bërë EKO, mamografi. Pastaj Biopsinë. Unë isha e shtrirë në darkë dhe më shkoi dora tek gjoksi dhe pash që kisha një kokërr. Më ishte deformuar dhe gjoksi dhe aty e kuptova që diçka nuk ishte e mirë. Shkova menjëherë tek doktori dhe i bëra të gjitha. Unë në fillim ndjeja si lodhje dhe më dhimbte pjesa e krahut. Nuk kisha ndonjë shqetësim të madh apo dhimbje. Isha në punë, dhe nuk e kisha forcën të punoja.

Momentet e para thotë se i ka përjetuar shumë keq, por teksa vijoji të ndiqej nga bluzat e bardha, ajo rigjeti forcën e humbur.

“E kam përjetuar shumë keq. Sepse e dija që ishte diçka e keqe, kancer. E përjetova shumë keq. Duke ardhur, vizituar e kam gjetur forcën”.

Operacionin e parë e ka kaluar me sukses, dhe pas 6 seancash kimioterapi të cilat i kanë marrë dhe flokët, ajo ka vijuar me rrezet.

“Fillova trajtimet. U bëra operim, bëra kimeoterapi dhe tani rreze. 6 seanca kimeoterapi. Nuk e kam hequr komplet. Një pjesë kam hequr dhe një pjesë tek sqetulla. Deri tani jam mirë dhe do bëj rreze. Është hera e parë tani”.

Pranë vetes në këtë rrugëtim të vështirë, gjithmonë ka pasur nënën, por falënderuese i ndihet edhe një zonjë nga Durrësi, e cila thotë se i ka qëndruar pranë dhe e ka ndihmuar në spitale.

“Unë kam pasur mamin por dhe një grua që ma ka ndjekur, lidhur me doktorët. Ajo është Greta Xhaferri. Ajo më ka ardhur para mbrapa, më vite përmbrapa. Tek ajo jam mbështetur dhe tek mami”.

“Ky rrugëtim ka qenë i vështirë kur shikoja vajzën. Brenda na kanë ndihmuar për çdo gjë. Asnjë lek nuk kemi dhënë. Të gjithë duhet ta kontrollojmë veten herë, pas here. Të shohin gjendjen e vet se ku janë. O zot mos e paçin kismet”, tha mamaja e Blerinës.

Pavarësisht se nuk i ka mbaruar kurimet, 43-vjeçarja është optimiste për jetën, dhe me besimin në zot, lutet vetëm për shëndet. Ndërsa një mesazh, e ka dhe për të gjithë ata që ndodhen në të njëjtën situatë si ajo.

“Duhet ti bien mbrapa dhe mos ta lënë pas dore sepse jeta është shumë e bukur. Ta jetojnë jetën. Vetëm me këto gjëra nuk bëhen shaka. Të jetojnë jetën. Unë ëndërroj që të jem mirë fillimisht, dua që inshallah o zot se kam më rrisk këtë gjë dhe të gjithëve o zot mos ja hidh asnjërit këtë siklet, këtë sëmundje. Të gjithë të bëjnë një kontroll njëherë në 6 muaj. Me e lënë pas dore, nuk ja arrin dot më. Kur jam bërë operim, doktori i ka thënë mamit se e ka kaluar të keqen. Shpresat i kam tek zoti dhe tek doktori. Tani për momentin nuk punoj dot, jam në shtëpi. Jam e martuar, por nuk kam fëmijë. Unë kam punuar pastruese në shtëpi”.

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit dhe sipas ministrisë së Shëndetësisë nga 8 gra, një prej tyre diagnostikohet me këtë sëmundje. Gjatë kësaj kohe qendrat ku janë të vendosura mamografitë do të jenë të hapura nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 të darkës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?