Inxhinjeri podhues i “Carlo Magno”, rimorkiatorit që zhbllokoi në fillim të javës kanalin e Suezit është shqiptar. Mjeti lundrues i është bashkuar flotës me 14 rimorkiatorë që punuan në Suez disa ditë pa sukeses, ndërsa shtypi italian ka vlerësuar kontributin e rimorkiatorit të prodhuar në vitin 2007 në kantierin e Ravennas.
Ing. Teufik Fishta, i cili ka drejtuar kantierin “Rosetto Marino” ku u ngrit rimorkiatori, e ka ndjekur nga ekrani i televizorit në shtëpinë e tij në Tiranë, të gjithë operacionin e Suezit për spostimin e anijes “Ever Given” me gjatësi 400 metra.
Pensionist që nga viti 2017 ing. Tofi, siç e njohin të gjithë, është kthyer pas më shumë se 25 vitesh nga drejtimi i kantierit në Ravenna dhe jeton në kryeqytet.
“I lexova lajmet e më dhanë shumë kënaqësi – shton Fishta.
Tofik Fishta tregon se rimorkiatori “Carlo Magno”, i cili u shfrytëzua për zhbllokimin e kanalit të Suezit është ndërtuar në vitin 2006-2007 në kantierin “Rosetti”.
Fishta ishte përgjegjës prodhimi i këtij kantieri për dy dekada, edhe kur u ngrit rimorkiatori që u porosit nga shoqëria “Augustea” me qendër në Mesina.
“Janë mjete lundruese shumë specifike dhe punojnë në situata të vështira në det, në shtytje dhe në tërheqje – tregon inxhinjeri durrsak, duke shtuar se rimorkiatori kishte një fuqi prej 10,800 kf, ndërsa forca neto në tërheqje arrinte në 200 ton.
Kosto e prodhimit të rimorkiatorit arriti në 25 milion euro, ndërsa rimorkiatorë të ndërtuar më vonë kanë arritur deri në 50 milion euro.
Sipas inxhinjerit të prodhimit, “Rosetti” është një kantier i vogël, por mjaft i specializuar dhe është vlerësuar si kantieri më i mirë privat në Itali.
Ing. Fishta, nga kantieri i Durrësit në atë të Ravennas
Kontributi për ndërtimin e mjeteve lundruese nisi në vitet 1980 në kantierin detar të Durrësit, ku falë krijimtarisë së inxhinier Gani Ismailatit dhe grupit të profesionistëve pranë tij, ishin hedhur në det disa anije dhe motopeshkatore të reja.
“Durrësi më ka mësuar shumë-tregon inxhinjer Fishta, duke e quajtur të papërsëritshme përvojën e fituar dhe vlerat profesionale të kolegëve të vjetër e të rinj, me të cilët ka bashkëpunuar në kantierin detar të qytetit të lindjes.
Në Ravena nisi të punojë në vitin 1993 pas njohjes që kishte më parë me kantieret italiane të Triestes dhe Gjenovas.
“Nisa punën si teknik bashkë me inxhinierin tjetër durrsak, Xhevdet Burnaci, në një kantier të riparimit të anijeve", kujton Teufik Fishta ditët kur i duhej të vendoste për të ardhmen e tij dhe të familjes në Itali.
Drejtuesit e kompanisë italiane shumë shpejt i japin një rol drejtues, duke pohuar se zotëria shqiptar është një nga “çelësat e suksesit” të “Rosetti Marino”.
Mjetet lundruese të specializuara, të prodhuar në fillim të viteve 2000 në këtë kantier shërbejnë kryesisht pranë platformave të kërkimit të naftës dhe gazit nga Deti i Veriut, në brigjet e Amerikës veriore, ndërsa porositë e armatorëve vazhdojnë rregullisht edhe për tipa të tjerë mjetesh lundruese si anije dhe tragete.
2011: Nga shënimet e një vizite në “Rosetti Marino”
10 vite më parë pata rast ta takoj bashkëqytetarin tim nga Durrësi në kantierin që drejtonte. Ja disa nga shënimet:
Kolegët dhe vartësit italianë e të huaj e thërrasin “inxhinier Tofi” njëlloj si në kantierin detar të Durrësit, ku Teufik Fishta punoi për 19 vjet radhazi, që kur përfundoi studimet në degën e inxhinierisë mekanike në universitetin e Tiranës, duke e bërë edhe më të njohur mbiemrin e tij ku dalloheshin disa specialistë në fushat e inxhinierisë së transportit, asaj elektrike dhe elektronike në Durrës.
Përballë tavolinës së tij në krye të sallës së prodhimit të kantierit në Ravena, kanë ulur kokën mbi projekte dhe skica rreth 30 specialistë të fushave të ndryshme.
Ndërtimi i anijeve të reja, dhe jo thjesht riparimi i tyre, duket se ka qenë një nga motivet që e ka shtyrë inxhinier Tofin të qëndrojë pranë “Rosetti”-t.
Grupe saldatorësh, motoristësh, elektricistësh dhe radistësh punojnë në sheshe dhe kapanone, brenda apo jashtë blloqeve të veçanta të mjeteve të ardhshme lundruese, të cilat më pas “bashkohen” për të përfunduar ndërtimin pranë bankinës detare.
Gjithçka funksionon me firma kontraktuese të specializuara në fushat përkatëse.
Pas tenderëve firmat fituese fillojnë zbatimin e projekteve, ndërsa kompania mbikëqyr realizimin e çdo detaji.
“Çdo gjë do të jetë gati brenda pak ditësh", thotë Denis Biliç, një nga specialistët kroatë që ndjekin ecurinë e punimeve në anije, ndërsa shton për bashkëpunimin me drejtuesin nga Durrësi: “punoj me inxhinier Tofin që prej 10 vitesh dhe fjalori im i italishtes është i mangët për ta përshkruar punën e tij të shkëlqyer”.
Në anijen që po ndërtohet pjesë-pjesë pritet të mbërrijnë edhe mobilierët, që do ti kthejnë mjediset e brendshme të anijes në vendqëndrime të rehatshme për detarët dhe mysafirët që do të lundrojnë me to në dete të largëta.
“Pavarësisht nga moti dhe deti i trazuar, këto anije janë mjaft të qëndrueshme, motorët komandohen nga një sistem satelitor, duke ruajtur pozicionet e volitshme në shërbim të platformave detare të kërkimit dhe të nxjerrjes së naftës” dëshmon inxhinieri shqiptar Teufik Fishta.
"Testet që kryejmë pas ndërtimit tregojnë se parametrat e prodhimit, si shpejtësia apo forca tërheqëse shpesh herë janë 10-20 përqind më të larta se sa ato të kërkuara nga porositësit", tregon Fishta, që jo pak herë e ndërpret bisedën për t’iu përgjigjur në radio apo në telefonin celular pyetjeve të vartësve.
Deri tani në kantierin detar “Rosetti Marino” janë ndërtuar 45 mjete lundruese, nga rimorkiatorët, deri te tragetet e udhëtarëve. Dhe zotësinë e Teufik Fishtës si “shipyard manager” e njohin plot shqiptarë të tjerë në Ravena, që flasin me respekt për punën e tij.
Sot Teufik Fishta i ka kaluar 60 vjetët dhe ka punuar në kantierin e Ravenës po aq vite sa ka kontribuar edhe në Durrës.
Mendjen sidoqoftë e ka në atdhe.
“Kam blerë një shtëpi në Tiranë dhe vij shumë shpesh bashkë me gruan dhe fëmijët, Anisën dhe Geraldin, që studiojnë këtu, në Itali.
“Më vjen mirë, që janë po aq të lidhur me Shqipërinë sa unë” shprehet më tej inxhinieri durrsak, i cili në mbrëmje vonë gjen kohë edhe për të notuar, duke ndjekur një pasion të vjetër të qytetit të tij bregdetar, Durrësit.
Respekte ing.Fishta!!
PërgjigjuTifi nje njeri i shkekqyer dhe inxhinier klasi.Njerez te tille te nderijne kudo
PërgjigjuPer nje moment u gezova shume, mendova se eshte prodhuar ne Durres.
PërgjigjuPer nje moment me dolen lot... Ne Durres nuk egziston me as shenja e kantierit dear, ku ne, femije kalonim zbathur neper anijet ne ndertim. 500 t 2750 toneshe etj.
Mos ndoshta te eshte kushtuar ty filmi "Rikonstruksioni"? Film mjaft i bukur, me tematika te bukura ku nderthuren, historia e dashurise, aftesia e inxhiniereve, guximi qe ata kishin per shpikje te reja, si edhe servilet e partise qe mundoheshin tu vinin shkopinj nen rrota inxhiniereve qe donin te kontribuonin ne zhvillimin e vendit?
Përgjigju