Kronikë

Vëzhgimi i Report Tv/ Thatësira ul prodhimin, rritet çmimi i gështenjave

5 Nëntor 2021, 20:18| Përditesimi: 5 Nëntor 2021, 20:37

  • Share

Rritjes së çmimeve të një sërë produktesh nuk i ka shpëtuar as gështenja e cila shitet në tregjet e pakicës në Tiranë nga 350 deri në 500 lek/kilogrami.

Për të mësuar shkaqet, Report Tv ka udhëtuar drejt fshatit Gështenjas në Pogradec, aty ku të gjithë banorët sigurojnë të ardhurat familjare nga mbledhja dhe shitja e gështenjave.

Teksa hyn në rrugët  e fshatit Gështenjas apo Vërdovë gështenjat e larta krijojnë një kurorë magjepse. Këto pyje natyrore, pjesë e zonës së mbrojtur shfrytëzohen prej qindra vitesh nga banorët, të cilët mbledhin gështenjat në pyll dhe i sheshin tek grumbulluesit.

"Pogradeci ka disa fshatra që kanë gështenja përfshirë dhe kurorën e qytetit, në total janë 700 ha pyje natyral me gështenja. Prej kësaj sipërfaqeje, 600 ha janë pjesë e zonës së mbrojtur ndërsa 100 ha është jashtë zonës së mbrojtjes. Siç dihet çmimi në treg i gështenjës pëson rritje çdo vit, këtë sezon është shitur me 200 lek për kg për shkak të thatësirës së verës.

Ka tregtarë që vijnë i grumbullojnë direkt në fshat dhe  pjesë më e madhe shkon për eksport në Itali sepse ka vlera mjaft të lartë ushqimore dhe shërben për prodhimin e ëmbëlsirave", u shpreh drejtori i Zonave të Mbrojtura Gani Bego.

Këtë vit për shkak të thatësirës prodhimi nuk ka qenë i mbarë. Banorët e fshatit Gështenjas shprehen kërkesa e tregut është e lartë, ndaj këtë sezon i kanë shitur gështenjat më shtrenjtë se vitin e kaluar.

"Nuk ka pasur prodhim sivjet për shkak të thatësirës. Gështenja duhet të ruhet të pastrohet të rregullohet. Tregu në fillim ishte mirë por tani ka rënë. Kishte kërkesa sa të duash çmimi në fillim ishte mirë 250lek/kg  por tani ka rënë".

"Nuk kanë prodhuar shumë gështenjat për shkak të motit që nuk pati reshje, nuk pati prodhim, nuk qe i mbarë. Ato që mblodhëm  e shitëm në treg se vijnë furgonat dhe i marrin në Pogradec. Cilësia nuk ka qenë edhe aq e mire dhe as prodhim s'ka pasur. Me shumicë e shesim 2 000 lek (të vjetra) tani e kanë ulur pak tregtarët për arsye se nuk janë aq cilësore".

"Të kënaqur jemi për aq sa muaj sa punojmë. 30 mijë lek ditë shkon fitimi", shprehen ata për mikrofonin e Report Tv.

Shitja e këtij produkti është i sigurt brenda dhe jashtë vendit, ku një pjesë e madhe eksportet në Itali. Çmimi i shumicës varion sipas cilësisë nga 200-250 lekë për kg, ç'ka për fermerët përkthehet në të ardhura të kënaqshme.

Vijnë tregtarët nga Tirana, Elbasani, Korcca, por vijnë dhe nga Durrësi se ata e ccojnë për eksport në Itali.

"Leverdi kemi se është bio e gjen produktin të gatshëm në pyll e mbledh dhe siguron të ardhura. Një muaj  e gjysmë punë kemi", thanë ata më tej.

Sakaq drejtori i zonave të mbrojtura Gani Bego thekson edhe problematikën që haset shpesh me prerjet e paligjshme në Pyllin e Gështenjës.

"Shqetësimi im është për dëmtimin e këtyre pyjeve për dru zjarri, sensibilizimi që të mos e shohin banorët pemën e gështenjës për drutë e zjarrit por ta shohin për prodhimin e frutave duhet ta ruajnë".

Ndërsa banorët shprehen se pylli nuk mirëmbahet dhe së sëmundja po dëmton pemët.

"Ka nevojë për ndërhyrje për pastrim për sëmundjen e kancerit ka sëmundjen e ve druri duhet të pastrohet". 

Sezoni vjeljes së gështenjave përkon me muaj tetor-nëntor, ku janë të vetëpunësuar një numër i madh banorësh në fshatin Gështenjas e më gjerë në zonat e Pogradecit, ku ndodhen afërsisht 700 hektarë pyje me gështenja.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 06/11/2021 00:24

    Mire qe nuk i kultivoni,se kushedi sa do t'a ngritnit cmimin!S.d.q.geshtenjat e Shqiperise nuk para me kane pelqyer,sepse dilnin shpesh te krimbura.Ketu ku jetoj,me levozhga,ose lekure,nuk e di si thuhet,shiten vetem ne fund te vitit.Shumica jane importe dhe shiten shtrenjte,zor se gjen nen 4$/lb(pound).Cilesia eshte e mire,por kur i pjek mbajne pak ere benzine,ose vaj-guri.Me sa duket i lyejne ose per t'i mbrojtur nga krimbosja,ose u zgjasin jetegjatesine dhe freskine,nuk e di,por te merr malli per eren e geshtenjes kur piqet.

    Përgjigju
    • Ana: 08/10/2022 02:34

      Nuk e vendosin cmimin ata qe i vjelin, por grumbulluesit. Une kam geshtenjat e mia ne tropoje dhe vijne e i marin me kamioncine ne fshat me cmimin qe duan ata jo ne. Ne na i kane mare me 100 lek. Pogradeci i paska shitur mire me 200 lek

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?