Edi Rama

Tik-taku elektoral po troket, sprova e madhe e PS

22 Shkurt 2021, 19:16| Përditesimi: 22 Shkurt 2021, 19:20

  • Share

“Reforma në Drejtësi”, “Rindërtimi” dhe “Pandemia” janë 3 gurët e rëndë elektoralë që PS mund t’i sigurojnë mandatin e tretë. Ndërkohë që ditët rendin me shpejtësi drejt 25 Prillit kur pritet përballja e madhe elektorale, opozita ka përqëndruar betejën e saj në denoncime ndaj sjelljes dhe punëve të qeverisë, duke i mëshuar kryesisht abuzimit me pushtetin, klienteliznit dhe prepotencës në vendimmarrje. Por përtej retorikës politike të ditës, gjithashtu edhe dyshimeve të arsyeshme të opozitës, në zgjedhje shkohet me një bilanc.

Dhe këtë bilanc PS e ka mbështetur mbi të gjitha mbi 3 aspekte madhorë: që janë procesi i reformës në drejtësi që vijon, por ndërkohe ka nisur të japë edhe efektet konkrete, rindërtimi i shtëpive nga tërmeti dhe menaxhimi i pandemisë. Po t’i marrësh një nga një këto çështje madhore flasin në favor të qeverisë dhe pse në të tre proceset mund të bëhej më shumë, më mirë dhe veprohej më shpejt. Të tre proceset konsiderohen themelorë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e popullatës për rrjedhojë edhe me efekt të madh elektoral. Nëse ndalesh një nga një në to vërehet se në dy të parët “Reformën në Drejtësi” dhe “Rindërtimi” nga dëmet e tërmetit bilanci favorizon qeverinë. Socialistët e vunë në programin e tyre elektoral krijimin e institucioneve të drejtësisë së re dhe në kuptimin formal politik e kthyen në realitet këtë proces të ndërlikuar me ndihmën dhe insistimin e ndërkombëtarëve. Menaxhimin e kësaj reforme e mori një nga senatorët socialistë dhe jurist karriere si Fatmir Xhafaj. Në partneritet të ngushtë me Ambasadën Amerikane dhe Misionin e BE në Tiranë grupi i legjislatorëve socialistë të kryesuar nga Xhafaj e shtynë procesin formatues përpara duke e bërë realitet atë dhe sot nga efektet direkte të kësaj reforme ka nisur punën Prokuroria e Posaçme “SPAK”, Byroja Kombëtare e Hetimit e ngjashme me FBI në SHBA dhe janë në proces pastrimi të 3 nivelet e gjykatave.

Janë në formësim Gjykata Kushtetuese që tani ka një kuorum minimal anëtarësh dhe Gjykata e Lartë. Ndërsa pritet të mbushen me gjyqtarë të rinj edhe gjykatat e apelit, shkallës së parë dhe ato administrative në të dyja nivelet. Reforma në drejtësi tanimë matet me produkt dhe politikisht PS mund ta përdorë këtë proces si kartë të fortë elektorale. Rindërtimi i shtëpive nga tërmeti është një tjetër sfidë që qeveria arriti ta administrojë dhe ta kthejë nga një situatë kolapsi në një situatë produktive. Arritja e sigurimit të një fondi prej më shumë se 1 miliard eurosh nga donatorët ndërkombëtarë, befasoi politikën dhe opinionin publik vendas., pas një negocimi të suksesshëm të dyshes Rama-Ahmetaj. Ky i fundit në cilësinë e Ministrit të Rindërtimit edhe pse më i sulmuari politikisht nga opozita po rezulton një hallkë e suksesshme menaxheriale e qeverisë në makroprocesin e rindërtimit. Produktivisht vijon rindërtimi i shtëpive dhe objekteve të tjera të dëmtuara nga tërmeti edhe pse fondet e premtuara ende nuk janë lëvruar tërësisht për shkak të procedurave të nevojshme. Pandemia e Coronavirusit u mbivendos në sfidën e dëmeve të tërmetit dhe rindërtimit por menaxhimi i vështirë por me rezultate vijon t’i japë qeverisë një kartë të fortë elektorale.

Një dorë të fuqishme kontributore në këtë proces ka dhe vijon të japë edhe Bashkia e Tiranës që ka marrë përsipër ndërtimin e mijëra shtëpive të profilit të ulët të banimit duke zgjidhur me shpejtësi strehimin e shumë familjeve. Edhe në këtë rast mazhoranca ka një betejë të dominuar suksesi në raport me dënim dhe pasojat e shkaktuara nga tërmeti. Ndryshe nga dy çështjet e para madhore, sfida e tretë e hapur për qeverinë mbetet menaxhimi i pandemisë nga e cila varet jo pak “humori elektoral” i popullatës. Deri tani është arritur shmangia e kolapsimit të sistemit por shifrat e të infektuarëve në rritje muajt e fundit mund të kthehen në bumerang elektoral. Sigurimi i vaksinës dhe mbajtja në këmbë e sistemit spitalor janë dy sfidat për të cilat Rama është investuar personalisht në rolin e kryetarit të qeverisë ndaj dhe kostot ose suksesin do ta ketë mbi kurrizin e tij. 25 prilli do tregojë nëse fjalët janë shndërruar në ligje dhe në institucione për reformën në drejtësi, mistri, tulla e llaç për njerëzit pa shtëpi e shpëtim për jetët e atyre që Coronavirusi po kërkon t’u rezervojë një fat të zi. Tik-Taku elektoral po troket.

Komento

Komente

  • Soni: 22/02/2021 19:38

    Po ca reformash, sa te kete Rrahjat, Doshet, Frroket, Lazet e me radhe gangesteret neper Shqiperi, PS dhe Rama kane shume gjasa te uzurpojne zgjedhjet.

    Përgjigju
    • Brut: 22/02/2021 21:40

      Kushdo qe te vije po me keto njerz ose te aferte te tyre do punoje...i kane zene vendet e ska kush i ben zap

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?