Tirana e pare nga kodrat e saj

Periferi

Tirana është zemërartë

21 Maj 2018, 19:21| Përditesimi: 21 Maj 2018, 19:23

  • Share

Ditë plot dritë në Tiranë. Në lokalin në mes të gjelbërimit, nën rrezet e diellit të majit shihet më mirë, fare qartë. Ismail Kadare ulet në tavolinën me hekur të gdhendur me botuesin e tij të dashur. Shkrimtari ynë i madh është i vetmi  që në dorë mban dy gazeta të rëndësishme të kryeqytetit e nis t’u hedhë një sy se ç’shkruajnë. Kushedi ç’mendon për ngjarjet sot në vend e për ç’pasqyrohet në media. Kushdo përreth e lë të qetë në bisedën e tij me botuesin e në shoqërinë e  gazetave.

Tirana është zemërartë. Në të njëjtin lokal, pak tavolina më tutje një gjykatës i një gjykate të rëndësishme të Tiranës gjerb kafenë me një bashkëbiseduese. Nuk e njohim, por zonja bjonde ka një veshje të veçantë: edhe pse është në takim me një njeri të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare, asgjë nuk e pengon që të ketë veshur një këmishë të bardhë, të ngjitur e me barkun e kurrizin jashtë. Edhe këtë tavolinë Tirana e lë të qetë në bisedën e saj.

Pak më tutje një gazetar “investigativ”, në të njëjtin bar, merr rrezet e diellit, bisedon e sheh telefonin ulur me dy të tjerë. Nga pamja e jashtme kanë një tipologji të veçantë: duken si skafistët e dikurshëm, apo si trafikantë; ndoshta janë njerëz të mirë, korrektë, punëtorë, por pamja (që s’besojmë të jetë ajo që mendojmë) seç i bën të frikshëm e të papërshtatshëm me finesën e shpërthimit të luleve e të natyrës në maj. Askush nuk i bezdis as ata.

Tirana, e kemi thënë,është zemërgjërë, zemërartë. Mban në të njëjtin bar,pranë njërit-tjetrit, gjeni e trafikantë, të korruptuar e duarartë, njerëz të mendjes e të pushkës, të ligjit e të burgut.

Tirana është kaq e bukur këtë maj, por zemergjerësia,dashuria për të gjithë, e bën këtë qytet vërtetë të veçantë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?