Tirana qendra e turizmit europian, Rama: Sfidë të ruajmë natyrën! Organizata Botërore rekomandon të huajt të investojnë në Shqipëri

8 Prill, 08:54| Përditesimi: 9 Prill, 15:47

  • Share

TIRANE- Tirana priti sot takimin e 70-të të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit. Ministra e përfaqësues të sektorit të turizmit nga 40 shtete të kontinentit, si dhe drejtues të kësaj organizate morën pjesë në takim, me në fokus turizmin.

Kryeministri Edi Rama fjalën e tij e fokusoi në suksesin e turizmit, me 10 mln turistë që vizituan vendin tonë në vitin 2023. Rama tha se kjo është një sfidë, që tregon sa shumë punë ka përpara Shqipëria në fushën e turizmit. Kreu i qeverisë thekson se është e rëndësishme ruajtja e natyrë, historisë dhe trashëgimisë me qëllim që t’ua lëmë brezave të ardhshëm dhe që vendi ynë të mos e humbasë bukurinë. 

"10 mln turistë vjet dhe me shifra shumë të larta gjatë këtyre tre muajve të parë të vitit. Ky nuk është vetëm sukses, por edhe sfidë e madhe. Ka shumë gjëra për të zgjidhur nëse nuk duam që Shqipëria të humbasë bukurinë.

Ndoshta është më mirë të mos jemi Zvicra, por duhet të kemi të njëjtën mënyrë të kuptuarit siç kanë zviceranët, për të kuptuar që mos të prishim vendin dhe bukuritë dhe tua lëmë atyre brezave ", u shpreh Rama. 

Rama zgjodhi të kthehet pas në kohë, për të bërë një krahasim me Shqipërinë gjatë peridhës së komunizmit dhe boom-it turistik të viteve të fundit. 

"Ajo që kemi kaluar ne, është përtej imagjinatës të izolimit dhe brutalitetit që kemi hasur në këtë vend. Deri para 3 dhjetëvjeçaresh kemi pasur 5 mijë turistë, kanë qenë 5 mijë turistë marksist leninistë.

Duhej të kalonin te berberi nëse kishin mjekër dhe flokë të gjata, se nuk lejoheshin. Arrestoheshin kur ishim me mjekër. Edhe Lenini s’do kishte patur mundësi të hynte në Shqipëri pa kaluar te berberi në aeroport, që tu hiqej mjekra e flokët e gjata. Mendoni sa i gjatë ka qenë izolimi”, tha Rama.

Për sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili Shqipëria është vendi i duhur për t’u vizituar dhe investuar.

"Ne rekomandojmë të gjitha kompanitë që të investojnë në Shqipëri. Ky është vetëm fillimi sepse në këtë libërth ne do të promovojmë oportunitetet që ju keni për vendin për të tërhequr investime të huaja direkte" tha Pololikashvili

Ministrja Kumbaro e nisi fjalën e saj me mikpritjen shqiptare, të transformuar sot në një simbol të turizmit.

"Edith Durham, shkrimtarja britanike e shekullit të XIX që shkeli veriun e Shqipërisë, në terrenin e vështirë por mahnitës mes Alpeve shqiptare, pikërisht ato pamje magjepsëse që sot i shohin miliona e miliona kureshtarë nga e gjithë bota në TikTok apo në Instagram dhe dëshirojnë një orë e më parë t’i vizitojnë. Studjuesja e shekullit të XIX shkroi dikur në kujtimet e saj se pikërisht kjo fjalë, “Fjala -mirë se erdhe - del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve", u shpreh Kumbaro. 

Delegacionet e UNWTO përfaqësohen nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive e UN Tourism Natalia Bayona si dhe ministra të Turizmit e përfaqësues të lartë të këtij sektori nga 40 vende të Europës.

Më date 9 prill, do të mbahet edhe një Konferencë për Investimet në turizëm me tre panele diskutimi, gjatë së cilës do të prezantohet përmes një ceremonie zyrtare udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania.”

Ora 12:01
‘Rama ka transformuar vendin nga errësira në dritë’, sekretari i Organizatës Botërore të Turizmit: Shqipëria, vendi i duhur për t’u vizituar

 

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama për transformimit që ka pësuar vendi në sektorin e turizmit.

Gjatë fjalës së saj në takimin e 70-të të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit, mbajtur në Tiranë, Pololikashvili u shpreh se zhvillimi i turizmit në Shqipëri, ka ardhur si rezultat i një pune të madhe. Pololikashvili shtoi se Shqipëria është vendi i duhur për t’u vizituar.

“Goxha sukses që ju të gjithë, nën udhëheqjen e tij, në ekipin fantastik, shumë e më shumë gjëra do të ndodhin në të ardhmen. Së pari dua të them që është nder për mua dhe fat i madh që jam në krah të këtij zotërisë, i cili ka transformuar vendin nga errësira në dritë.

Këto shifra që lajmëroi Mirela, nuk ndodhën brenda një viti, janë rezultat i një pune të madhe, të vështirë, kapërcim i sfidave të mëdha që kryeministri, zoti Rama ka pasur, por edhe pse që atëherë ka qenë kryebashkiak, i gjithë ky shndërrim i ndodhur në këtë vend, mendoj se është rezultat i një pune të madhe, lidershipi të rëndësishëm.

Rezultati kryesor do të vijë prej turizmit. Shumë projekte janë në zhvillim e sipër. Dua t’ju përgëzoj zoti kryeministër për mbështetjen tuaj. Dua t’ju uroj me të mirën. Të gjithë së bashku jemi këtu. Mendoj se ky është vendi i duhur për të ardhur për vizitë. Ju uroj më të mirën, mund të mbështeteni te ne, te miqësia jonë. Shumë gjëra interesante do të ndodhin dhe shunmë suksese do të kremtohen. Ju faleminderit shumë për mbështetjen”, theksoi ai.

Ora 10:44
‘Ishim Koreja e Veriut e Europës’, Rama kthehet pas në kohën e diktaturës: Edhe Lenini nëse do futej në Shqipëri, duhej të hiqte mjekrën te berberi

Kryeministri Edi Rama në takimin e 70-të i Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit që po mbahet në Tiranë, u kthye pas në kohën e diktaturës. Rama kujtoi izolimin në vendin tonë, ndërsa u ndal edhe tek turistët për të cilët tha se aso kohe për t’u futur në Shqipëri do të duhej më parë të kalonin nga berberi, pasi nuk lejoheshin flokët dhe mjekra e gjatë.

“Ne kemi njohur një periudhë të historisë në të cilën kemi qenë tërësisht të ndarë e të veçuar e të izoluar nga të gjithë ju. Nga ju që keni ardhur nga perëndimi, por edhe nga ju që keni ardhur nga lindja. Sigurisht për ju qe vini nga lindja mund ta kuptoni më mirë ndoshta gjithçka qe ne kemi kaluar, megjithatë jam i sigurt, ajo që kemi kaluar ne është përtej imagjinatës të izolimit që kemi përjetuar ne dhe të brutalitetit që kemi hasur në këtë vend, pra përpara ose më saktë deri përpara 3 dhjetëvjeçarësh, ne kemi patur vetëm 5 mijë turistë dhe nuk kanë qenë 5 mijë turistë të zakonshëm, por kanë qenë 5 mijë turistë marksistë-leninistë, historiku i të cilëve ishte parë me imtësi nga autoritetet e atëhershme të cilët vinin nga partitë e majta ekstreme të të gjithë botës dhe kishin mundësinë qe të hynin në Shqipëri, e cila në atë kohë ishte Koreja e Veriut të Europës.

Pra, me perëndimin, me lindjen, me imperializmin amerikan, mes social-imperializmin sovjetik ne ishim në luftë, pra ata kishin ardhur në një vend që ishte krenar, që siç na thonin ne atëherë, ishim i vetmi vend i vërtetë marksist-leninist në botë. Ata kalonin doganën në aeroportin e Rinasit, ku kaluat shumica prej jush besoj dhe menjëherë duhet të kalonin tek berberi në rast se kishin mjekër ose në rast se kishin meshkujt flokë të gjata sepse mjekra dhe flokët e gjata për meshkujt nuk lejoheshin.

Pra edhe Karl Marksi i bie apo Engels, Lenini nuk do të kishin patur mundësi të hynin në Shqipëri pa kaluar nga berberi në aeroport që t’u hiqte mjekrën apo flokët e gjata, sipas rastit. Pra mendoni sa i thellë ka qenë izolimi dhe sa e fortë ka qenë ajo ortodoksia marksiste-leniniste, të cilën ne na është dashur ta përjetojmë”, tha Rama.

Ora 10:36
Turizmi, Rama: 10 mln turistë vitin që lamë pas, sfidë ruajtja e natyrës! T’ia lëmë brezave të ardhshëm

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në takimin e 70-të i Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit që po mbahet për herë të parë në Tiranë. Në fjalën e tij Rama u ndal në turizmin e vendin tonë, duke thënë se vitin që lamë pas pritëm 10 milionë turistë.

Kreu i qeverisë thotë se kjo është një sfidë e madhe për vendin tonë, ndërsa thekson se ka ende shumë gjëra për të zgjidhur, Sipas tij, më e rëndësishmja është që të ruajmë natyrën dhe trashëgiminë, për t’ua lënë brezave të ardhshëm. Kryeministri theksoi se duhet të mësojmë nga gabimet e vendeve të zhvilluara.

“Ne sot kemi një realitet tërësisht ndryshe me më shumë se 10 milionë turistë që kaluan në Shqipëri vjet, që kanë ardhur pra, kanë ndenjur në Shqipëri dhe me shifra shumë të larta gjatë këtyre muajve të parë të vitit.

Sigurisht që ju të gjithë e dini që ky nuk është vetëm sukses, kjo nuk është vetëm gjë e mirë, në vetvete sigurisht që është, por është dhe një sfidë e madhe sepse ka shumë gjëra për të cilat ne duhet të mendojmë, që duhet t’i zgjidhim në rast se dëshirojmë që Shqipëria të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme, në rast se ne nuk dëshirojmë që Shqipëria ta humbasë bukurinë e saj të veçantë, në rast se duam që Shqipëria të jetë një destinacion ku turizmi të jetë një vlerë e shtuar dhe një vend me anën e të cilit ne krijojmë hapësirën për të festuar dhe kremtuar humanitetin që ne kemi duke bërë bashkë njerëz nga vende nga më të ndryshmet, të çfarëdolloj ngjyre, të çfarëdolloj gjuhe, të çfarëdolloj kulture, të çfarëdolloj historiku që ata mund të kenë dhe për t’i bërë ata të ndihen që kanë ardhur në Shqipëri dhe jo ndokund tjetër.

E këtu e kam fjalën që ne duhet të ruajmë natyrën, ne duhet të ndërtojmë gjëra me arkitekturë të bukur, të mahnitshme dhe ne duhet t’i gërshetojmë këto të dyja. Nga njëra anë pra të krijojmë mundësitë e duhura që njerëzit të marrin më shumë nga puna e tyre, nga toka e tyre, nga biznesi i tyre, por nga ana tjetër të kenë mundësi edhe që të lënë më shumë nga Shqipëria për brezat e ardhshëm. Ne nuk duam ta humbasim vendin tonë ndërkohë që ndërtojmë një destinacion të rëndësishëm turistik dhe unë e di që ju te gjithë i dini gabimet që janë bërë në vende të tjera, në vendet nga ku vini ju, sa i përket çështjeve si zhvillimit për shembull. Ju besoj i keni përjetuar vetë këto gjëra kur ne nuk i kemi përjetuar. Ju i keni kaluar këto faza zhvillimi, keni pra një përvojë shumë më të madhe dhe më të hershme se e jona, kështu që ju keni mësuar shumë nga gabimet tuaja.

Megjithatë unë besoj që ne nuk duhet të bëjmë të njëjta gabime. Nga gabimet tuaja ne duhet të nxjerrim mësime dhe prandaj e vlerësojmë  kaq fort organizatën tuaj, Organizatën Botërore të Turizmit dhe për këtë arsye jam këtu në këtë takim, sepse ajo që bën kjo organizatë është vërtetë fantastike. Por edhe ajo që po bën Zurab është fantastike sepse këtu nuk bëhet fjalë për të shkuar nga njëri vend tek tjetri  dhe thjesht për të bërë disa takime e për të folur për shifra të ndryshme, por këtu bëhet fjalë për ndarjen e ekspertizës, njohurive, përvojave, të gabimeve që janë bërë në të shkuarën që ato të mos përsëriten.  Këto janë gjërat më të rëndësishme dhe shpresoj fort që ne do të mësojmë sa më shumë që të jetë e mundur nga gabimet të cilat keni bërë ju që të mos i bëjmë ne.

E ne tashmë i kemi bërë disa gabime tona dhe të mos harrojmë që jetojmë mes grekëve, italianëve dhe që të jesh mes tyre, do të thotë që të jesh tek “dolce-vita”, tek ajo jeta e shkujdesur dhe ti bën edhe gabime sepse nga njëra anë nuk e ke kuptuar tërësisht bekimin që të ka dhënë Perëndia, sa bujare është treguar perëndia që ka krijuar këtë vend të mrekullueshëm me këto pjesë mahnitëse të vendit, por edhe historia ka qenë kaq bujare sepse me anën e historisë dhe atyre ngjarjeve të mëdha historike që kanë ndodhur në Shqipëri, ne kemi disa vende të mahnitshme historike që na i kenë lënë trashëgimia historike, lashtësia, antikiteti, por megjithatë ne nuk jemi Zvicër dhe për çfarëdolloj arsye ndoshta është më mirë të mos jemi Zvicra, por duhet të kemi të njëjtën mënyrë të kuptuari siç kanë zviceranët për të kuptuar se çfarë duhet t’u lëmë brezave të ardhshëm që të mos prishim vendin dhe bukuritë e veta, por t’ia lëmë atë më mirë për brezat e ardhshëm”, tha Rama.

Ora 10:21
Nis Mbledhja e Komisionit për Europën të UNWTO, ministrja: Shqipëria rishpiku vetveten përmes forcës së turizmit

Ka nisur mëngjesin e sotëm në Tiranë takimi i 70-të i Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit, ku marrin pjesë drejtuesit e kësaj organizate si Sekretari i Përgjithshëm i OBT Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive Natalia Bayona dhe ministra e përfaqësues të sektorit të turizmit nga 40 shtete të kontinentit.

Takimi, një organizim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe UNWTO u hap me një ceremoni pritjeje nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Sekretari i Përgjithshëm Zurab Pololikashvili dhe kryeministri Edi Rama.

Ministrja Kumbaro e nisi fjalën e saj me mikpritjen shqiptare, të transformuar sot në një simbol të turizmit.

"Edith Durham, shkrimtarja britanike e shekullit të XIX që shkeli veriun e Shqipërisë, në terrenin e vështirë por mahnitës mes Alpeve shqiptare, pikërisht ato pamje magjepsëse që sot i shohin miliona e miliona kureshtarë nga e gjithë bota në TikTok apo në Instagram dhe dëshirojnë një orë e më parë t’i vizitojnë. Studjuesja e shekullit të XIX shkroi dikur në kujtimet e saj se pikërisht kjo fjalë, “Fjala -mirë se erdhe - del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. E pra, ky shpirt, këta njerëz te të cilët ju keni ardhur sot, janë ata që historinë dhe traditën sot e e kemi kthyer në industrinë e mikpritjes që befason. Prandaj, si shqiptare dhe si ministre e turizmit e Shqipërisë, ndihem e privilegjuar dhe shumë e nderuar t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri, duke ju falenderuar secilin prej jush, nga miku ynë Zurab dhe çdo delegacion të Europës që zgjodhët Shqipërinë për të kremtuar ditëlindjen e 70-të Komisionit për Europën të Familjes sonë të madhe “UN Tourism”, nisi fjalën e saj ministrja Kumbaro.

Për vitin 2023 ishte Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit që e renditi Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe të katërtën në botë për rritjen e flukseve turistike. Ministrja Kumbaro në fjalën e saj shtoi se të dhënat e fundit të hyrjeve në turizëm tregojnë se ka gjasa që Shqipëria të mbetet në krye të listës.

"Në 2023 pritëm 10,1 milionë turistë. Shumë sfiduese, por është nga ato rastet që tregon se kur punët bëhen me dashuri dhe përkushtim për realizimin e një vizioni, kur jemi bashkë me profesionistët e turizmit, investitorët, turoperatorët, partnerët e duhur ndërkombëtarë, nuk ka asgjë që nuk mund të arrihet. I dashur Zurab, më duhet të të njoftoj se edhe këtë me shumë gjasë do të na gjesh sërish në krye të listës, sepse me shifrat e fundit, për tre muajt e parë të vitit 2024 Shqipëria mirëpriti 1,7 milionë vizitorë të huaj ose rreth 60% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ama përtej shifrave, Shqipëria, ose “Perla e pazbuluar e Mesdheut”, siç shumë prej gazetave ndërkombëtare vijojnë  ta quajnë, po përjeton kohën e vet të transformimit nga turizmi jo thjesht si “ekonomi e kënaqësisë”, por mbi të gjitha si një formë emancipimi shoqëror. Falë turizmit, sot Shqipëria e ka më të lehtë që të tregojë bukuritë e saj, njerëzit e saj, energjitë e saj dhe rolin e saj në këto kohëra të trazuara. Në këto dy vite po shkruajmë një kapitull të ri të bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Turizmit dhe jam falenderuese ndaj gjithë kolegëve në këtë sallë për besimin ndaj Shqipërisë", vazhdoi ministrja Kumbaro.

“Sot Shqipëria është një surprizë e bukur në zhvillimin e turizmit global, gati-gati një simbol se ashtu si njerëzit - edhe vendet mund ta rishpikin vetveten brenda pak vitesh, - duke tejkaluar momentet e vështira për shkak të lojërave të historisë e duke u kthyer, me forcën e turizmit, në vendin që po ngjall kureshtjen e të gjithëve si destinacion i shumëdëshiruar”, tha ndër të tjera në fjalën e saj Kumbaro.

Ky takim i Komisionit për Europën të UNWTO do të vijojë me Konferencën e Investimeve për Zhvillimin e Ekonomisë që do të mbahet më datë 9 prill, ku do të prezantohet edhe udhërrëfyesi: Tourism Doing Business: Investing in Albania".

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Çimi Lales: 09/04/2024 07:06

    Fenomeni i turisteve ishte qe u konsumua ajo pjes e te huajve qe ishin kurioz dhe te mashtruar nga çmimet e lira,ket vit ska me fest kokodrilash,po me mir keshtu sepse ky popull ka pesuar vetem dame nga turistet qe kan dy fishu çmimet e ushqimeve,me keto veshtiresi gjithmon e ne rritje kam iden qe politikantet shqiptar jan te maskuar si shqiptar por ne te vertet jan te huaj qe po perpiqen ta zhdukin kete popull

    Përgjigju
  • ALB Patriot: 08/04/2024 22:32

    Turizmi duket si tregu i shumices! Sa kane kontribuuar turistet ne ekonomine shqiptare, a na e thone dot?!

    Përgjigju
  • beni: 08/04/2024 22:13

    qe te behemi shtet i forte,,duhet tw ndertojme 500 hotele dhe resorte te reja te bukura me pishina ne bregdet...a i kemi tani..jo..por pa prekur pyjet dhe pishat ne bregdet....

    Përgjigju
  • Lori: 08/04/2024 18:44

    Rama je gjigand dhe lere se ca thone keta,,,,,,ke ber nje pune te madhe me shqiperine e ke ndryshu per me mire,,,,,,shqipëria ne te ardhmen do jet destenacion 1 per ballkanin.

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 08/04/2024 18:30

    Rama ka rëshkit

    Përgjigju
  • Koreani: 08/04/2024 14:31

    Ishe na korea s veriut. Tani po e mbush Shqiperin me makina na korea

    Përgjigju
  • Mergimtari: 08/04/2024 14:29

    Te besh bilance,eshte gjeja me me vlere per shtetin por,do te ishte mire qe bilanci te behet :Sa "Turist"(emigrante)ka shqipria sot qe enden rrugeve te botes duke humbur vendin e tyre per shkak te babezise 34-vjecare te pushtetmbajtesve?Cfar prodhon Shqiperia sot ,vec droges?Cfar kane fituar shtresat ne nevoj (kryesisht pensionistet)?Shfrytezimi i teritorit Shqiptar behet per interesa te klasave sunduese te koruptuara.Rrofte propaganda per te genjyer "qorat"qe votojne Ju te gjithe.

    Përgjigju
  • Turi: 08/04/2024 13:49

    O Rame, ngele tu bo show o burr. Ti me duket hap gojen sa per te ajrosur trurin. Vjet shqiperia ishte thjesht nje kuriozitet i madh. U dynden italionet se menduan qe ktu jane gjerat lire e me te njejtat kushte. Hajde qylpek hajde. Kete vit prap turiste do te kete, por vetem lexo pak komentet e atyre qe ishin vjet. Kushtet skandaloze. Bregdeti e plazhet mbytur me plehra. Shezllonet e cmimet sh sh te shtrenjta. Personeli harbut e druvare. Me pak fjale v…k…. Ik o Rame futi ndonje tas çaj se mbase vjen ne vete

    Përgjigju
  • Mali: 08/04/2024 12:57

    Dhe te mendosh qe zv.kryeministra, ministra, zyrtare te larte e te ulet, kryetare bashkish (2 per Himaren) e dyzine drejtore bashkish ka e sakrifikuar jeten, lirine dhe pasurine duke i ndihur kryehakdutit Rama. Per kete dite te "drites".....

    Përgjigju
  • Ring: 08/04/2024 10:57

    Ka keshilltare ky se u be i merzitshem me keto budalleqe qe thote. Po u bene 40 vjet qe Enveri ka vdek edhe keta prape flasin per komunizmin. Trishtim.

    Përgjigju
  • Alb: 08/04/2024 10:38

    Rinija ka ik, brekdeti ashte betanizu. Ku ka met bukuri ma?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?