Thellohet hendeku ekonomik, Kukësi dhe Elbasani për mbijetesë, qarku i Tiranës më i pasuri

27 Maj 2020, 19:03| Përditesimi: 27 Maj 2020, 19:41

  • Share

Hendeku i të ardhurave për frymë vijon të thellohet në vendin tonë. Kryeqendra e vendit, është në vend të parë për mirëqenien pasi aty është përqendruar edhe veprimtaria më e madhe ekonomike, ndërsa qytetet më problematike janë kryesisht zonat veriore. Të ardhurat mesatare për frymë në vendin tonë në vitin 2018, kanë qenë në nivelin e 571 mijë lekë, por në disa qarqe të vendit një vlerë e tillë është e pamundur për tu realizuar.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave për vitin 2018, tregojnë se në qarkun e Tiranës, të ardhurat për frymë janë rritur me 5.1%, dhe kanë arritur në nivelin e 783 mijë lekë. Pra të ardhurat për frymë të qytetarëve në këtë qark janë 37.3% mbi mesataren e vendit. Në vend të dytë me të ardhurat më të larta është qarku Fier, me 533 mijë lekë për frymë, duke qenë 5% mbi mesataren e vendit.

Ndërkohë Kukësi rezulton si vendi më i varfër, ku të ardhurat për frymë janë vetëm 10 mijë lekë më shumë se paga minimale në vend. Konkretisht sipas këtij raporti në vitin 2018, të ardhurat për frymë në qarkun e Kukësit ishin 362 mijë lekë. Një nivel i tillë është 36.6 % nën mesataren e vendit. Më pas renditet qarku i Elbasanit me rreth 398 mijë lekë duke qenë 30,3 % nën mesataren e vendit.

Një nivel kaq i ulët i të ardhurave në këto dy qarqe, lidhet edhe me faktin që punësimi në Kukës dhe në Elbasan është i përqendruar më së shumti tek bujqësia. Konkretisht për vitin 2018 në Elbasan 67% e personave punojnë në bujqësi, ndërsa në Kukës janë mbi 64% e qytetarëve që punojnë në sektorin e bujqësisë. Edhe për vitin 2019, sipas të dhënave të INSTAT, e njëjta ndarje vijon të ekzistojë, ku në Kukës 68% e forcës punëtore është përqendruar në bujqësi dhe në Elbasan 64% e fuqisë punëtore.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?