TIRANË- Ora shënonte 09:30 kur një i ri hyri në një dyqan celularësh në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, shumë pranë “21 Dhjetorit”. Ai nuk ishte i interesuar të blinte, por nën kërcënimin e asaj që dyshohet se ishte armë, i tha shitësit të dyqanit “3 Vëllezërit Fejzo” që duhej t’i jepte celularët.
Nga aty, autori i grabitjes mundi të largohet me 15 copë dhe në pak sekonda u zhduk në këmbë nëpër rrugicat ngjitur, duke humbur gjurmët. Për fat të mirë në këtë ngjarje askush nuk u lëndua, përveç dëmeve materiale të kostos së produkteve të shtrenjta.
Agresori ishte i mirë përgatitur, mbante maskë të zezë në fytyrë, xhup të kuq me kapuç, xhins blu, doreza dhe atlete të zeza, siç duket në këtë foto të fiksuar nga një prej kamerave të sigurisë së dyqanit, duke e bërë të pamundur identifikimin përmes pamjeve.
Në vendin e ngjarjes mbërritën hetuesit e Komisariatit nr. 2, ndërsa ekspertët e kriminalistikës mblodhën çdo provë me synim identifikimin e tij. Policia është vënë në ndjekje të tij, ndërsa po punohet për gjurmimin përmes pamjeve të kamerave në zonën përreth.
Në fokus janë edhe një grup hajdutësh të ngjashëm që kanë vjedhur në të shkuarën për të shkuar drejt identifikimit. Policia kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për zbardhjen e rastit dhe në dispozicion të atyre që japin një informacion të vlefshëm, janë vënë 5 mijë euro, duke pretuar anonimatin absolutë të tyre.
Policia e Tiranës ofron shpërblim 5 mijë euro për këdo që jep informacion për autorin e grabitjes së dyqanit 3 Vëllezërit Fejzo në rrugën ‘Muhamet Gjollesha’. Autori i maskuar dhe me armë ka grabitur 15 celularë dhe është larguar në këmbë.
“Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njofton polica.