TIRANË- Florin Oprinoiu, 25 vjeç, Marian Mihai, 45 vjeç dhe Adrian Simoiu, 20 vjeç, të tre nga Rumania, zbritën në Tiranë në fillim të muajit dhjetor të vitit të shkuar me një synim të qartë, vjedhjen e parave në bankomate. Për të arritur qëllimin, rumunët provuan disa skema dhe prej tyre mundën të marrin rreth 5 milionë lekë në 4 raste të suksesshme vjedhjesh dhe 2 të tjera tentativa pa sukses. Për herë të parë rumunët vodhën më 9 dhjetor në 3 bankomate, ndërsa së fundmi, kur alarmi u ngrit nga policia, ishte data 6 janar.
Për kryerjen e vjedhjeve “miqtë” ballkanas përdornin 4 skema, duke nisur nga klonimi i kartave, i cili arrihej të bëhej përmes vendosjes së një aparature që nuk vihej re nga përdoruesit e bankomateve, e cila skanon të dhënat dhe më pas nis puna e zhvatjes së parave. Rumunët erdhën në Tiranë edhe me karta të vjedhura jashtë dhe përmes tyre tërhiqeshin paratë në bankomatet e bankave të nivelit të dytë. Mënyra e tretë për të zhvatur ishte ndërhyrja përmes sistemeve kompjuterike dhe e fundit edhe me thyerje direkte të vendqëndrimeve të parave. Fillimisht blutë hasën vështirësi në identifikimin e 3 autorëve dhe u kërkua ndihma e publikut për informacion me premio 5 mijë euro, por që në fakt kjo mënyrë nuk funksionoi.
Në kushte të tilla, u kërkua ndihma e krimit kibernetik, i cili pas hetimeve arriti tek identifikimi i shtetasve rumunë, të cilët tashmë janë shpallur në kërkim. Pas vëzhgimit të kamerave të sigurisë u gjurmua një automjet tip “Mercedes Benz”, me të cilin të tre lëvizën gjatë qëndrimit në Tiranë. Burime nga policia i thanë Report Tv se të tre nuk figurojnë më brenda të territorit të vendit dhe shumë shpejt, përmes komunikimeve zyrtare do të nis bashkëpunimi me autoritetet rumune për lokalizimin dhe arrestimin e tyre me efekt ekstradimi në Tiranë.
Një skemë e tillë është përdorur edhe më parë nga shtetas rumunë në vendin tonë. Në vitin 2020, dy rumunë, vidhnin para nëpër bankomatët në Tiranë, duke përdorur karta të klonuara e duke bllokuar kamerat e bankomatëve.
Tre rumunët në kërkim
Florin Oprinoiu, 51 vjeç
Marian Mihai, 45 vjeç
Adrian Simoiu, 20 vjeç
Rumunët në kërkim
Report Tv ka mësuar emrat e tre rumunëve që vodhën rreth 5 mln lekë nga bankomatët në Tiranë.
Tre rumunët, Florin Oprinoiu, Marian Mihai dhe Adrian Simoiu janë shpallur në kërkim.