Arrest në burg ka caktuar Gjykata e Tiranës për mësuesen 40-vjeçare të Gjuhës Shqipe, Marsela Pushani, e cila akuzohet për vrasjen e motrës së saj të alkoolizuar Amanda Pushani me thikë më 2 shtator në shtëpinë e tyre. E penduar, në seancë gjyqësore, mësuesja është shprehur se nuk ka dashur kurrësesi ta vrasë të motrën, por e kishte goditur në kushtet e vetëmbrojtës. Gazetarja e Report Tv Keti Banushi raporton se Pushani ka kërkuar masë më të butë sigurie, me pretendimin se duhet të kujdeset për nënën e moshuar. Ndërkohë edhe avokati i saj i ka kërkuar Gjykatës masën arrest shtëpie për autoren e dyshuar dhe ndryshim të kualifikimit të veprës në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
Ndaj të dyshuarës janë ngritur akuza të rënda si ajo e vrasjes për shkak të mardhënieve familjare dhe e moskallzimit të krimit, për të cilat Marsela Pushani rrezikon të dënohet deri në burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtore.
Pretendimet e saj për një vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes, pritet të provohen edhe shkencërisht nga organi i akuzës duke kryer eksprtiza të tjera. Edhe nëna e dy vajzave e cila është marrë ne pyetje, në dëshminë e saj ka dhënë të njëjtin version si e arrestuara Marsela Pushani. Sipas saj, viktima Amanda Pushani prej vitesh ishte e alkoolizuar dhe shpesh ushtronte dhunë ndaj saj dhe motrës së saj për t'i marrë para për alkool.
Ditën e ngjarjes, e ëma ka thënë se 37-vjeçarja ka ardhur e dehur në banesë dhe i ka kërcënuar me thikë. Në momentin e përleshjes Marsela i ka marrë thikën dhe e ka goditur në kushtet e vetëmbrojtës. Por prokuroria do të kryejë të tjera ekzaminime dhe eskpertiza për të vertetuar nëse vrasja e Amandës ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes, siç ka pretenduar motra dhe nëna e saj apo jemi përpara një vrasje.
Burime nga grupi i hetimit thanë se prokuroria ka kërkuar kryerjen e eskpertizave të tjera mjeko ligjore mes të cilave edhe ato daktiloskopike të gjurmëve në banesën ku ka ndodhur krimi. Prokuroria ka sekuestruar thikën që mendohet se ka shkaktuar vdekjen e 37 vjeçares ndërsa një tjetër analizë do te jetë edhe ajo e përqindjes së alkolit në gjakun e viktimës. Të gjitha këto pritet të zbardhin dinamiken e ngjarjes së rëndë që ka ndodhur ne banesën e viktimes e cila jetonte së bashku me nenën dhe motren e saj.
Ditën e krimit ngjarja është fshehur nga dy pjestaret e tjera të familjes duke e raportuar si vdekje natyrale dhe me pas autopsia nxori në pah edhe shkakun e vertete të vdekjes që ishte goditja me thikë në pjesën e barkut. Një tjetër pistë që do të verifikojë prokuroria është nëse ka pasur persona të tjerë në skenën e krimit.