Mashtrimet nga adresa false apo nga hakerimet nuk mund t’i shpëtojnë as agjensitë e udhëtimeve, e kryesisht gjatë sezonit veror. Report Tv mëson se ditën e djeshme, në Policinë e Tiranës është paraqitur kallëzim nga administratori i kompanisë “Sava Tours”, se ka rënë pre e një mashtrimi.
Kështu, pas verifikimeve paraprake, uniformat blu i referuan prokurorisë hetimet për një shtetas nga Senegali, banues në Francë i cili dyshohet ti ketë shkaktuar dëm kësaj agjensie në mijëra euro.
Burime pranë uniformave blu sqaruan se pak javë më parë, agjensisë “Sava Tours” i është dërguar email nga një organizatë joqeveritare e identifikuar me emrin “UNDP”, duke rezervuar një biletë udhtimi për në “Caza Blanka” një shtetas të huaj.
Pas këtij rezervimi, po nga kjo organizatë joqeveritare janë rezervuar bileta udhëtimi edhe për 9 shtetas të tjerë po të huaj, duke mos bërë asnjë pagesë.
Burimet sqaruan se për të bërë rezervimin e udhëtimeve, agjensia është telefonuar nga kjo kjo organizatë me një numër telefoni me prefiks shqiptar, por që më pas rezultoi se ishte vetëm një pjesë tjetër e mashtrimit të saj.
Burime pranë policisë sqaruan se kjo organizatë fantazmë, i ka kushtuar agjensisë “Sava Tours” një dëm mbi 8 mijë euro, ndërsa dyshohet se kjo skemë mashtrimi mund të jetë proceduar edhe me agjensi të tjera po në vendin tonë.