OKB ka ngritur alarmin se 10 milionë fëmijë afganë kanë nevojë të madhe për ndihmë humanitare, ndërsa UNICEF po bën thirrje për rreth 200 milionë dollarë për t’iu përgjigjur nevojave të tyre, tha Herve De Lys, Përfaqësuesi i UNICEF në Afganistan në selinë e OKB -së në Nju Jork.
Vetëm këtë vit, më shumë se 550 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 1,400 të tjerë janë plagosur, vuri në dukje De Lys. Ndërsa sipas organizatës "Save the Children" 33 000 fëmijë janë vrarë dhe gjymtuar në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit, mesatarisht një fëmijë në çdo pesë orë.
Sipas "Save the Children" numri i vërtetë i viktimave të konfliktit të drejtpërdrejtë të fëmijëve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë se sa 32.945 pasi “ky numër nuk përfshin fëmijët që kanë vdekur për shkak të urisë, varfërisë dhe sëmundjeve".
"Kjo është qartë një krizë e mbrojtjes së fëmijëve në një vend që tashmë është një nga vendet më të këqija në tokë për të qenë fëmijë. Këta fëmijë janë të privuar nga e drejta e tyre për një fëmijëri të shëndetshme dhe të mbrojtur", tha De Lys.
UNICEF është i shqetësuar se donatorët ndërkombëtarë po shkurtojnë ndihmat dhe kjo është edhe më problematike në këtë kohë të vështirë.