Kronika në vazhdim na njeh me një psikolog që ka pasion gjuhët e huaja. Është Tomas Delpier nga Belgjika i cili ka 6 muaj që po mëson Shqipen në mënyrë autodidakte dhe arrin të artikulojë fjalitë e para.
Tomas Delpier me profesion psikolog viziton për herë të parë Shqipërinë, por çuditërisht zotëron Gjuhën Shqipe dhe njeh disa nga autorët shqiptar. Për herë të parë për vendin tonë ka dëgjuar në Bruksel, ku ndodhet një komunitet i madh shqiptarësh dhe dëshira për të njohur kultura dhe gjuhë të ndryshme e shtyu të ndiqte më shpesh mediat shqiptare dhe të lexonte libra.
“Shumë shqiptarë atje, shqiptarë të Kosovës. Unë shikoj, ndjek TV shqiptare dhe portalet”, tha Tomas Delpier.
Gazetari: Sa kohë ke që ke filluar të mësosh shqipen?
Tomas: 6 muaj kam që mësoj Shqipen. Kam mësuar fillimisht toskërisht, por tani jam i interesuar dhe për gegnishten e vjetër.
Tomasin e takojmë në Pogradec dhe aktualisht po lexon një libër të Petro Zhejit.
“Kam lexuar libra të Petro Zhejiit, Albert Nikollës dhe Agron Dalipaj”.
Belgu 41 vjeçar me prindër nga dy shtete të ndryshme na tregon se flet 16 gjuhë të tjera. Këtë dhunti e ka të trashëguar nga i ati, i cili di rreth 40 të tilla.
“Flas shumë të huaja. Këtu në Shqipëri jam për të perfeksionuar gjuhën por edhe për turizëm. Natyra është e bukur ne Shqipëri, ka detin, mallet e liqenet, çdo gjë më pëlqen”, tha më tej.
Etimologu Agron Dalipaj tregon sesi u njoh me Tomasin.
“Më ka shkruar para disa ditësh dhe më tha se po lexonte një libër të Petro Zhejit dhe ishte i mrekulluar. Më bëri përshtypje që kishte njohuri për embriomorfemat dhe mbeta i çuditur se si një qytetar nga Belgjika kishte njohur për embriomorfemat. Jam I mallëngjyer”, shprehet Dalipaj.
Globalizmi dhe interneti kanë rritur mundësitë që qytetarët në të gjithë vendet e botës të mund të mësojnë më shumë kulturat dhe gjuhët përmes metodës autodidakt.