SPAK

Trafikonin makina të vjedhura nga Kosova në Shqipëri, SPAK kërkon 71 vite burg për 7 të pandehurit! 12 vite për drejtuesin e grupit dhe 20 vite për 3 efektivët

19 Prill 2023, 13:11| Përditesimi: 19 Prill 2023, 14:07

  • Share

TIRANË- Zbardhet pretenca e SPAK për 7 të pandehurit të akuzuar për trafik të mjeteve motorike nga Kosova, mes tyre edhe tre policë, përkatësisht Vojsava Doda, Endi Ahmetaj, Ftari Braha. Për 7 të pandehur SPAK ka kërkuar në total 71 vite burg, por që më gjykim të shkurtuar shkon në 41 vite burg. SPAK kërkon 12 vite burg për drejtuesin e grupit, Selaudin Shahini,  i cili mendohet se duke shfrytëzuar lidhjet familjare dhe shoqërore në Kosovë, kishte krijuar një rrjet personash që trafikonin mjete në vendin tonë.

Më pas ishte Ndriçim Shahini, kushëriri i Selaudinit, personi që kujdesej për shitjen e mjeteve. Në trafikun e mjeteve akuzohen se janë përfshirë edhe Ervis Cara, (kushëri i Ndriçimit); Aurel Shatri (shok i Ervisit); Vojsava Doda (Punonjëse e Policisë – Lidhje e Selaudinit); Endi Ahmetaj (Punonjës i Policisë – Lidhje e Selaudinit) dhe Fatri Braha (Punonjës i Policisë). Shahini dhe 6 të pandehurit e tjerë akuzohen për 3 vepra penale, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

SPAK ka kërkuar që të pandehurit Selaudin Shahini, Ndriçim Shahini, Ervis Cara, Endi Ahmetaj, Vojsava Doda dhe Aurel Shatri ta kryejnë dënimin në burg të sigurisë së lartë. Ata kanë rënë në pranga rreth një vit më parë.

Grupi përbërë prej 7 personash, i cili drejtohej nga Selaudin Shahini, gjatë muajit shkurt 2022 siguronin mjete të vjedhura në Republikën e Kosovës dhe më pas i kanë trafikuar në territorin e Republikës së Shqipërisë nga pika e kalimit kufitar Morinë, Kukës me targa të vendosura në to, që i përkisnin mjeteve të targuara dhe regjistruara në Republikën e Shqipërisë.

Në kohën e kryerjes së veprës penale i pandehuri Endi Ahmetaj ka qenë punonjës policie në detyrën trupë shërbimi i forcës së posaçme “Shqiponja”, në Sektorin e Rendit dhe Policimit në Komunitet në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, ndërsa e pandehura Vojsava Doda ka qenë inspektore policie pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë.

I pandehuri Fatri Braha, në kohën e kryerjes së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” ka qenë punonjës policie me gradën inspektor në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, si dhe më datë 24.02.2022, duke qenë me detyrë “Ndihmës specialist kontrollor“, në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, Kukës, me dashje nuk ka kryer procedurat e verifikimit dhe regjistrimit në Sistemin TIMS për të pandehurën Vojsava Doda, duke i krijuar asaj lehtësira për trafikimin e një mjeti të vjedhur në Republikën e Kosovës, mjet i cili ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë me targat e një mjeti tjetër të regjistruar në Shqipëri, si dhe drejtohej nga kjo e pandehur. Veprimtaria kriminale e të pandehurve është arritur të zbulohet më datë 24.02.2022, si dhe të pandehurit janë arrestuar në flagrancë apo ndaluar më datë 25.02.2022.

Pretenca SPAK

Selaudin Shahini, SPAK kërkon 12 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar ulet në 8 vite burg

Ndriçim Shahini, SPAK kërkon 12 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar ulet në 7 vite 4 muaj burg

Ervis Cara, SPAK kërkon 10 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar ulet në 6 vite e 8 muaj burg

Endi Ahmetaj, SPAK kërkon 10 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar ulet në 6 vite e 8 muaj burg

Vojsava Doda, SPAK kërkon 9 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar ulet në 9 muaj burg

Aurel Shatri, SPAK kërkon 8 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar ulet në 5 vite e 4 muaj

Fatri Brahan, SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj, nga gjykimi i shkurtuar ulet në 1 vit burg

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?