TIRANË- Informaliteti në punësim vijon të mbetet një problem shqetësues për tregun e punës në vend. Sipas raportit vjetor të Inspektoratit të Punës, nga të gjitha inspektimet e kryera gjatë vitit 2021 janë identifikuar 1092 punonjës informalë, nga 1221 punonjës që ishin në vitin 2020.
Konkretisht 15% e punëmarrësve në subjektet e inspektuara punonin në kundërshtim me ligjin dhe të padeklaruar. Kjo shifër është më e ulët se viti paraardhës ku niveli i informalitetit ishte 28% në subjektet e inspektuara.
Sipas Inspektoratit ndikim në uljen e informalitetit në punësim kanë dhënë edhe operacionet e task-forcës së ngritur në kuadër të parandalimit të përhapjes së virusit.
“Vlen të theksojmë në këtë krahasim me vitin 2020 se vihet re një rënie e numrit të punëmarrësve informal, kjo për shkak se gjatë periudhës janar-maj 2021 trupat inspektuese ishin të angazhuar në operacionin task-forcë të luftës dhe parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19”, thuhet në raport.
Nga kontrollet e kryera në 6,948 biznese numri më i madh i të punësuar të padeklaruar ishte në transport dhe telekomunikacion me 130 të tillë, ndjekur nga biznesi i energjisë, gazit dhe ujit me 123 punonjës informal dhe më pas sektori i minierave dhe i financës me nga 82 të punësuar informalë.
Përveç mosdeklarimit të punonjësve, një tjetër formë informaliteti është edhe punësimi pa një marrëveshje të shkruar. Gjatë 2021, periudhë janë evidentuar gjithsej 1570 punëmarrës pa kontrata individuale pune. Mungesa e kontratave është më e lartë në sektorin e bareve dhe restoranteve, ndjekur nga ndërmarrjet prodhuese dhe ndërtimi