Opinion

Tre ‘heronjtë e panjohur’ të cunamit ndaj pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe revolucioni i heshtur i reformës në drejtësi

7 Korrik 2021, 18:04| Përditesimi: 7 Korrik 2021, 18:06

  • Share

Ja ku erdhëm sot tek nisja e cunamit më të madh kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë dhe politikanëve në Shqipëri, pas një 30 vjeçari, ku gjithçka ishte ngritur për të mos i hynte gjemb në këmbë asnjë anëtari të kupolës së lartë.

Erdhëm në një epokë, ku dje u ndez llampa e parë e një sistemi të ri, i cili me nisjen e tij nuk ndalet më por do të krijojë precedent e do të kthehet në strukturë e fenomen.

Një sistem që si të gjithë do të ketë pikat e veta të forta e të dobëta, shpejtësitë e ngadalësitë, por tashmë nuk ka kthim prapa, ngaqë drejtësia e re, e para ka një riformulim ndryshe, dhe e dyta ka në krah si protektor dhe monitor SHBA dhe BE-në.

Në ditën kur pjella më e bujshme, por jo më e rëndësishmja e reformës në drejtësisë firmosi fletëarrestet e para VIP, është inaguruar një rrugë që në ndërtimin e saj pati pengesa shumë të forta e u investuan shuma marramëndese që të mos ndërtohej.

Sot normalisht, ikona e Reformës në Drejtësi, që nuk i ndahet me forcë që ditën që ka mbërritur në Tiranë, është ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e cila sipas të gjithë anketimeve është njeriu më influent dhe popullor nga shqiptarët.

Megjithatë, kjo rrugë nuk do të ishte nisur nëse s’do të hapej nga dyshja Donald Lu e Romana Vlahutin.

Të cilët vetëm se mbështetën reformën në drejtësi dhe nisën të parët fabulën e “Peshqve të Medhenj” provuan një lukuni balte e shpifjesh nga më të tmerrshmet që mund të dëgjojë robi. Por pa mbështetjen e fortë, të palëkundur që në fillim dhe konsistente deri në fund të fuqisë politike të mazhorancës së Edi Ramës, kjo reformë edhe nëse do të lindte, nuk do të jetonte periudhën më të vështirë postpartum.

Megjithatë, ka në fakt tre persona që kanë qenë realisht heronjtë në hije të Operacionit për kapjen e Peshqve të mëdhenj në Shqipëri. Ndaj të cilëve gjithashtu ka pasur një operacion të tmerrshëm balte të ngjashëm si ai për Donald Lu-në dhe ambasadoren Vlahutin.

Ata janë dy gjermanë dhe një amerikanë: Zyrtari veteran i Komisionit Europian dhe sot anëtar i ONM-së,Reinhard Priebe, drejtuesi i Euralusit në kulmin e reformës në drejtësi, Reinard Deville dhe shefi i OBDAT-it, amerikani; Jon Smibert.

Për të parë përmasat e dramës 5 vjeçare të reformës në drejtësi, mjafton vetëm të thuhet se emisionet politike të televizioneve kombvëtare nuk kanë ttrajtuar asnjëherë në këto vite çështjen e reformës në drejtësi, në logjikën që vinte si kërkesë nga qytetarët-shikues, përveç Sokol Ballës me thënë të drejtën.

Madje profesor Reinard Deville, një autoritet juridik shumë i rëndësishëm në vendin e tij, dhe një fuqi akademike e jurusprudencës që në Gjermani nuk ishte lënduar kurrë, në Shqipëri u linçua nga media të fuqishme në vend, pikërisht kur vuri veton për çështjen e vettingut. Nëse e mbani mend ishte koha kur pas gjermanit tjetër Bernd Botchard, Ilir Meta e shpalli Non grata edhe misionin Euralius.

Deville është arkitekti i pjesës më të rëndësishme të reformës në drejtësi, për të cilën flitet pak, por që realisht ka shënuar braktisjen e sistemit të vjetër. Profesori i së drejtës, edhe pse u baltos dhe për “taktikë politike” lëvizi nga kreu i EURALIUS, u rikthye në Tiranë për të dhënë leksione në Shkollën e Magjistraturës.

Amerikani Jon Smibert është një nga autoritetet e zbatimit të ligjit në SHBA, ka marrë medalje në çështjet e Sigurisë Kombëtare dhe ligjzbatimit, e në rastin e asistencës së trij për reformës në drejtësi, ai ishte “nona” e shkuljes nga rrënjët të modelit të frikshëm të “republikës së Kryeprokurorit”, por edhe propozimeve për SPAK, BKH-në, fuqinë e prokurorëve  që udhëheqin hetimet, ç’montimin e modelit “Llalla” dhe rihapjen e Prokurorisë për një erë të re, ku modeli i centralizuar ka vdekur një herë e përgjithmonë.

Megjithatë, reforma në drejtësi nuk është vetëm SPAk, BKH apo Gjykatë e Posaçme.

Realisht ky revolucion në drejtësinë shqiptare ka nisur prej vitit 2017 e ka dhënë n shenja të forta, në politikë e sallonet e drejtësisë. Bëhet fjalë për pjesën më të rëndësishme të reformës e cila më shumë se emra, është ligj që vendos parime të reja në sistem.

Konkretisht është rrëzuar një nga “kullat” më të forta të sistemit të vjetër, prokurori i Përgjithshëm dhe prokuroria e centralizuar, e cila e kishte kthyer organin e akuzës në një “përbindësh” institucional që ishte realisht mbreti i gjyqësorit.

Me hyrjen në fuqi të reformës në drejtësi, Prokurorisë ju hoqën disa nga pushtetet e saja të pakufizuara, që u krijuan më shumë nga hapësira ligjore sesa ajo që shkruhej në ligj.

Konkretisht, Prokuroria nuk mundet më të hapë dhe të mbyllë dosje pa shkuar në gjykatë, nuk mundet të përgjojë pa shkuar në gjykatë, nuk mundet të bllokojë pasaportën pa shkuar në gjykatë.

Ndërkaq, brenda institucionit të Prokurorisë, kryeprokurori është më shumë një menaxher sesa një “mbret” që bën diellin dhe shiun siç ka ndodhur në 30 vite.

Asnjë dosje s’mund të hapë Prokurori i Përgjithshëm; janë prokurorët e çështjeve që mund të nisin një ndjekje penale, por këtë kompetencë e kanë të limituar.

Ndërkohë, edhe emërimet në sistem nuk i bën si deri tani prokurori i Përgjithshëm; ai thjesht mund të komandojë përkohësisht; ato i bën Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Si thelb i reformës që ka nisur zbatimin është ajo që “mbreti” i sistemit të drejtësisë është gjykata, e cila nuk është plotësisht sovrane, pasi çështja mund të apelohet në të gjitha shkallët.

Po çka ndodhur në të shkuarën? Kryeprokurori ka qenë “vetë zot, vetë shkop”. Urdhëronte një përgjim, hapte një dosje, mund të shantazhonte dhe më pas i mbyllte ato kur e shikonte të arsyeshme.

Për një çështje që çohej në gjykatë, kjo e fundit mund ta trajtonte thjesht akuzën e prokurorisë dhe jo ta hetonte në thelb. Pra gjykata kishte vetëm dy rrugë: ose ta miratonte kërkesën e prokurorisë, ose ta rrëzonte atë.

Kryeprokurori, më shumë se një institucion ishte një superpost që nuk kontrollohej nga askush, por që natyrisht mund të bënte marrëveshje me pushtetet e tjera, si me presidentin e Republikës që ishte kryetar i KLD-së, por edhe me kryeministrin që ka paratë e buxhetit.

Më shumë se pushtet i pavarur, siç u dizenjua nga ligjvënësit, Prokurori i Përgjithshëm ishte një institucion shantazhues  dhe i shantazhueshëm.

Marrim një shembull: 21 janarin. Kryeprokurorja e asaj kohe, Ina Rama, kërkoi të merrte në pyetje zinxhirin komandues të Gardës të Republikës dhe vetë gardistët.

Berisha nuk i lejoi krerët e Gardës të shkonin në Prokurori, ndërkohë që gardistët i mbajti në katin e parë të Kryeministrisë për më shumë se një muaj. Prokurorja e Përgjithshme u sulmua egërsisht nga kryeministri.

Si përfundim, hetimet për çështjen u limituan vetëm në një akuzë për Agim Llupon, gardistin që qëlloi me armë dhe Ndrea Prendin komandantin e Gardës.

Në gjykatë shkoi vetëm një akuzë të bazuar mbi balistikën e FBI-së, pa marrë të gjithë çështjen në analizë dhe në bazë të saj të kërkonte përgjegjësitë penale konkrete.

Me legjislacionin e sotëm, Kryeprokurorja, edhe nëse kryeministri do të ndalonte krerët e Gardës të merreshin në pyetje, do të çonte çështjen në gjykatë dhe kjo e fundit duhet të merrte një vendim për këtë dosje.

Atëherë nuk do të kishte nga shkonte askush. Pasi si Prokuroria si palë akuzuese, ashtu edhe qeveria si palë e akuzuar do të përballeshin në gjykatë, ku natyrisht debati do të bëhej ligjor në bazë argumentesh dhe nenesh të Kodit Penal. Dhe vendimi që do të dilte padyshim që do të ishte më i plotë, siç ndodhë në gjykatat e çdo vendi të botës.

Në 30 vjet, Prokuroria ka qenë përgjegjësja që ka hapur dhe ka mbyllur dosjet e politikanëve dhe zyrtarëve të ndryshëm, duke ndikuar politikisht.

Kryeprokurori hapte dosje mbi një ministër, kryetar bashkie apo kandidat për kryetar bashkie, duke ndikuar politikisht zhvillimin e mëtejshëm. Që do të thotë se Prokuroria ka qenë pjesë e lojës së madhe të elitës.

Tani me reformën në drejtësi, Prokuroria nuk mund ta bëjë këtë. Çdo dosje, edhe paraprakisht duhet ta çojë në gjykatë.

Ja ky është ndryshimi i madh që ka sjellë reforma dhe që  përbën revolucionin e heshtur duke përmbysur një sistem,  por që nuk e vë re kush. Pasi nuk është i zhurmshëm, por i vlefshëm.

Sa për kujtesë, pu publikojmë emrat e ekspertëve të Komisionit të Reformës në Drejtësi; janë të gjithë juristë e ekspertë të njohur.

Ekspertët e Komisionit të Reformës në Drejtësi

Ardian Dvorani, Gjykata e Lartë

Ardian Nuni, Gjykata e Lartë

Sokol Sadushi, Shkolla e Magjistraturës

Marjana Semini, Shkolla e Magjistraturës

Arben Rakipi, Shkolla e Magjistraturës

Artur Selmani, Prokuroria e Përgjithshme

Henrik Ligori, Prokuroria e Përgjithshme

Maksim Haxhia, Dhoma Kombëtare e Avokatisë

Ardian Vishaj, Dhoma Kombëtare e Avokatisë

Altin Shegani, Universiteti i Tiranës

Aurela Anastasi, Universiteti i Tiranës

Artan Hoxha, Universiteti i Tiranës dhe Ministria e Arsimit

Genti Ibrahimi, Ministria e Drejtësisë

Ilir Panda, Ministria e Drejtësisë

Artan Hajdari, Ministria e Drejtësisë

Kristaq Traja “SOROS”

Rainer Deville, “EURALIUS”

Jon Smibert, “OPDAT”

John Carver, “USAID”

Arthur Graham, “OSBE”

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?