Ermal Meta gjate koncertit mbreme ne Tirane

Tre plagë që na hapi Ermal Meta!

2 Qershor 2018, 19:32| Përditesimi: 2 Qershor 2018, 19:36

  • Share

Koncerti i Ermal Metës është ndoshta më i miri i gjithë kohërave në Tiranë. I vërtetë, pasionant, i mirëpritur dhe shumë kulturor, ai ndoshta është koncerti që më ka zgjuar më shumë emocione, pas koncertit të Albanos dhe Rominës në vitin 1989, në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”.

Dhe si i tillë, ai është ndoshta gjëja më e mirë që organizatorët e koncerteve kanë bërë ndonjëherë në këtë vend, për ta bërë të gjallë jetën kulturore të kryeqytetit.

Fuqia e tij si kantautor, repertori i pasur dhe mbijetesa në skenë para një publiku të dashur pa asnjë sforco, treguan klasin e tij si artist i kompletuar.

Dhe ndërsa shikoja koncertin dhe reagimet pas tij, e kuptoj se Ermali na ka hapur disa plagë që ja mbajmë fshehur dhe vetes.

E para, është standarti i artit të tij. Këngët e Ermal Metës janë të gjitha këngë, të gjitha art, të gjitha të kuruara në detaje, dhe ofrojnë për publikun shqiptar një standart, të cilit ne i kemi ikur për dy dekada. Të zhytur në pellgun e tallavasë dhe këngëve të improvizuara, të reperëve të sajuar më shumë nga sherret dhe perversitet e jetës private, se sa nga arti i tyre, të këngëtarëve të famshëm që më shumë u numërohen makina se këngë, shumë nga të pranishmit në sheshin “Skënderbej” ndjeheshin të shtangur nga përballja me artin e vërtetë, me një artist që përfaqëson denjësisht kulturën e këngës italiane dhe na bën krenar, se e përfaqëson atë edhe si shqiptar.

Publiku nuk e ndiqte dot. Shumë prej këngëve të tij i shijonte, por nuk i ndiqte dot. Jo se siç thonë disa nuk janë shije e tyre, por ishin një befasi kulturore, që do kohën e vet të bëhet pjesë e kulturës tënde.

Ermal Meta na kujtoi plagën që i kemi hapur vetes me sistemin e antivlerave që kemi kultivuar dhe mediokritetin ku jemi zhytur. Na e kujtoi me dashurinë e një njeriu që donte të na zgjonte nga gjumi dhe të na bënte të ndjeheshim të gjallë në atë shesh.

Kjo është një nga plagët e mëdha që tranzicioni i ka hapur kulturës shqiptare dhe duhet një ballafaqim me një sistem vlerash ta përjetosh këtë. Duhet një këngëtar përtej tallavasë sonë, por dhe asaj rajonale. Përtej tallavasë dhe të atyre këngëtarëve grekë që ofrojnë famën e tallavasë së buzuqeve dhe “superioritetin” e racistëve.

Plaga e dytë që na hapi Ermali, është ndjesia që ke kur shikon se kur dikush që ka qenë pjesë e jotja e vuajtur, ja del në një botë konkurrente, qoftë dhe duke e nisur nga rruga. Ermal Meta në Shqipëri, zor se do përfundonte artist. Nuk bëj dot kasandrën të them si do kishte përfunduar, por në një shoqëri jo konkurrente si e jona, të politizuar dhe pa shanse të mbështetura mbi mundësitë e tua, probabiliteti t’ia dalësh është shumë afër zeros.

Një fëmijë me aq shumë probleme në jetë, në familje dhe në rrugë, erdhi për ta na kujtuar se ja doli, dhe na e tha këtë po me aq dashuri, sikur të na thoshet faleminderit që më ndihmuat.

Jemi të gjithë të pafuqishëm t’i themi “na fal”, pasi fatin që i rezervuam atij, ne ua rezervojmë dhe fëmijëve tanë, dhe nuk jemi selektivë në këtë fatkeqësi kombëtare, por jemi thjesht të dështuar.

Plaga e tretë që na kujtoi Ermali, është dhe më e hidhur, dhe ka të bëjë me talebanizmin politik të shqiptarëve. Një koncert maksimalisht i shkëlqyer, një artist i madh italian me rrënjë shqiptare, një koncert falas për publikun dhe një ngjarje kulturore që duhet ta ketë zili çdo kryeqytet në botë, talebanizohet, duke u bërë thirrje si ata hoxhallarët në xhami, që u bëjnë thirrje të rinjve të mos shkojnë në mbrëmjen e matures, se aty është Erion Veliaj. Kjo barbari që vjen nga talebanizmi politik, bëhet dhe më qesharake, kur mallkon popullin që del në koncert, meqë ti urren organizatorin, duke i bërë padashje nder, dhe duke ja veshur meritat e Ermal Metës, Erion Veliajt.

Sheshin “Skënderbej” e mbushi Ermal Meta, dhe njerëzit shkuan për të. Mund ta mbushë dhe Erion Veliaj për hesap të vet në fushatë elektorale, por dje nuk qe ai rasti. Kush do t’i heqë meritat Ermalit, e t’ia japë Erionit, le ta bëjë, por nuk ja ka kërkuar njeri këtë shërbim falas.

Kryebashkiakë si Erioni, që mbushin sheshet falas për qytetarët me vlera të tilla, maksimumi mund të lavdërohen dhe minimumi mund të mos kritikohen, por të ngjallësh urrejtje si taleban, pse shkon në një koncert të tillë, është shenjë e një plage të thellë që ka lënë urrejtja politike në vend.

Dhe Ermali na e kujtoi dhe atë. Si një djalë o rritur me plot plagë në shpirt, nga varfëria, mbijetesa dhe familja e vështirë, ai me artin e tij na bëri të ndjehemi të gjithë ashtu siç jemi, me plagët tona ende të pashëruara nga tranzicioni. Por na bëri të flejmë të gëzuar, se ky komb megjithëse prodhon talebanë, prodhon tallava, prodhon emigrantë, prodhon pordhacë statusesh në Facebook, prodhon mitomanë që duan të çudisin lagjen duke ulëritur si idiotë, prodhon dhe Ermalin, Rita Orën, Dua Lipën etj. Dhe kjo gjë i mund gjithë të tjerat. Edhe plagët!

Komento

Komente

  • Naimi: 03/06/2018 00:51

    Keta jane llumi. Kultura arti dhe feja kane si qellim edukimin. Por ka edhe bastarde qe duan te hiqen si gjoja myslimame duke injoruar edhe vete Profetin Muhamed a.s. i cili ka thene se c'te kete armiku duhet ta kesh edhe ti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?