Kryeministri Edi Rama

Triptik për zgjedhjet e parakohshme, aleancat politike dhe demonizimin e Edi Ramës

30 Janar 2019, 18:28| Përditesimi: 30 Janar 2019, 18:37

  • Share

1) Për zgjedhjet e parakohshme

Në artikulimet që eksponentë të opozitës po bëjnë kohët e fundit, po i mëshohet shumë idesë se më 30 qershor, datë e cila është caktuar për zgjedhjet vendore të radhës, të bëhen njëkohësisht edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Që opozita mund të kërkojë zgjedhje të reja qysh të nesërmen e zhvillimit të tyre, kjo nuk është ndonjë hata. Por kërkesat e këtij lloji nuk janë detyrim po mazhorancën e radhës. Thjesht ato shërbejnë si një lloj karikimi që opozita i jep elektoratit të vet me qëllim që të mos demoralizohet nga humbja.

Që të zhvillohen zgjedhje përpara afatit kushtetues është diçka që ka ndodhur e do të ndodhë kurdo, e kjo nuk është një shpikje shqiptare. Vetëm se për këtë duhet të jenë pjekur kushtet, sepse edhe kjo nismë kaq e rëndësishme ka kriteret e veta. Më i rëndësishmi është kur mazhoranca humbet numrat e nevojshëm në Kuvend për të qeverisur. Ka edhe rrethana të tjera, por nuk dua të zgjatem në këtë temë, sepse aktualisht kjo mazhorancë nuk ka asnjë arsye e shkaqe që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Po, edhe sikur të ekzistonte vullneti i saj, sërish kjo do ishte një aventurë e rrezikshme allashqiptarçe. Natyrisht, po të ishim në Zvicër, jo vetëm zgjedhje vendore për kryetar bashkie e këshilla bashkiakë, jo vetëm zgjedhje parlamentare, por edhe zgjedhje për nja 7 referendume lokale e nja 3 kombëtare mund të zhvilloheshin njëkohësisht e pa asnjë ekses.

Çështja është se jetojmë në Shqipëri dhe dihet se si evoluojnë situatat politike kur kemi 61 kandidatë për kryetarë bashkie herë 100 partitë përkatëse, kemi 30 deri 60 kandidatë për këshilltarë për çdo 61 bashki herë 100 partitë përkatëse; e njëkohësisht do të kemi 140 kandidatë për deputetë nëpër lista herë 100 partitë përkatëse. E në këtë lëmsh, ku s’e merr vesh i pari të dytin, ku cili lufton bërrylash për t’u zgjedhur, do krijohej një zallamahi kaq e madhe politike, saqë do mallkonim veten pse i hymë një aventure të tillë.

Fakti që zgjedhjet vendore bien në mes mandati për një mazhorancë qeverisëse, është vërtetë një fat i madh për të gjithë klasën politike. Kjo, sepse bëhet e mundur të matet pulsi politik i elektoratit, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. Rezultati që prodhojnë zgjedhjet vendore të mes mandatit, është sondazhi më i saktë se cili është konfigurimi më i ri politik në terren. Gjithashtu, u bën të ditur secilës palë se a janë vërtetë ashtu siç pretendojnë, apo kanë humbur mbështetjen elektorale. Nisur nga rezultatet, secila palë, merr masat për të ndrequr boshllëqet me qëllim që në ballafaqimin e madh, atë parlamentar, të korrin rezultatin e shumëdëshiruar, ardhjen ose qëndrimin në pushtet.

Opozita duhet të kuptojë edhe diçka tjetër, që ky është një mandat i ri i Ramës dhe si start ka shtatorin 2017. Si i tillë atij i duhet lënë koha e mjaftueshme kushtetuese për të treguar arritjet a dështimet e veta. Të thuash se Rama ka 5 vjet e gjysmë në pushtet nuk ke thënë asgjë, sepse mandati i parë kishte të tjera prioritete të cilat vinin pikë së pari nga një e panjohur e madhe, sepse vendin e kishte qeverisur një parti tjetër dhe situata reale nuk dihej se cila ishte. Se si qeverisi atë mandat, shqiptarët u shprehën me votë ku e rikonfirmuan Ramën në detyrë. Prandaj ai mandat quhet një libër i mbyllur dhe tashmë jemi në një libër të ri, ndonëse autori është i njëjti.

Gjithsesi, jam shumë kurioz të di se cili do të ishte reagimi i opozitës së sotme po të ishte vetë në pushtet dhe opozita t’i kërkonte zgjedhje të parakohshme. Meqë nuk kemi një qëndrim mbi këtë çështje nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, po marr si referencë periudhën kur ai ishte ministër duke risjell në fokus qëndrimin e shefit të tij ekzekutiv, kryeministrit Sali Berisha i cili, në prag të zgjedhjeve vendore të majit 2011, shprehej: “Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve vendore, nuk do të ketë asnjë ndikim tek provokimi i zgjedhjeve të parakohshme”.

2)Për aleancën politike PS-PD

Po përflitet shumë për një aleancë politike qeverisëse midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Në fakt, për këtë çështje u përfol qysh përpara zgjedhjeve të vitit 2017, ku hamendësohej që nëse PS-ja nuk do kishte numrat e nevojshëm, do hynte në koalicion bashkëqeverisje me PD-në.

Sipas gjykimit tim, kjo do ishte tërësisht e gabuar. Nuk kam asgjë me PD-në në kuptimin e të bërit koalicion. Thjesht e ngre problemin se PD-ja, në kushtet e opozitës së sotme, nuk mund t’ia lërë protagonizmin opozitar një partie tjetër, e cila, prej mungesës në fushë të PD-së, do faktorizohej artificialisht. Edhe sikur sot të ishte PS-ja në opozitë, të njëjtin argument do të jepja.

Qenia në pushtet, përveç anëve pozitive, domosdo edhe të konsumon politikisht. Boshllëkun që do krijonte PD-ja sot, e PS-ja nesër, padyshim do e mbushte një parti tjetër që nuk ka peshë të fortë elektorale, por që kjo aleancë e panatyrshme, PS-PD, do i jepte asaj një bonus të pamerituar. Nisur nga këto arsye, asnjëra palë, PS e PD, nuk duhet ta çojë ndërmend një aleancë të tillë qeverisëse e cila, në fund të fundit, do ishte shkatërrimtare për të dyja ato.

Aleanca të tilla kemi parë edhe në perëndim, ama është fakt se kur opozita kryesore i është bashkëlidhur partisë më të madhe, ajo është tretur në elektorat sepse ka mbajtur mbi shpinë edhe dështimet qeverisëse të partisë tjetër. Ndërkohë që sukseset i korr në çdo rast partia më e madhe. Shqipëria sot nuk është më ajo e vitit 1997, ku i duhej një aleancë e gjerë politike për të dhënë një mesazh shprese e pajtimi gjithë popullor. Në këto kushte, referuar edhe historikut ndër vende të tjera, një ide e tillë është jo funksionale dhe e dëmshme në të gjitha dimensionet e saj.

3)Për demonizimin e Edi Ramës nga opozita dhe media

Nuk ka zhvillim politik të ditës të cilin opozita mos ta lidhë me emrin e kryeministrit Edi Rama. Edhe për gjërat me periferike, pa asnjë interes publik a politik, do i gjejnë doemos një lidhje të shkurtër me Ramën, mjafton që emri i tij të përmendet orë e çast, ekran më ekran, e portal më portal, si një e keqe që duhet shkulur sa më parë.

Kohët e fundit ky fokusim është kthyer në qëllim në vetvete për opozitën. Ka një strategji propagande për ta bombarduar opinion publik mbi “djallin Rama”, duke e përcjellë përdhunshëm këtë mesazh i cili, duam apo s’duam, diku edhe do ngjitë. Se ja, ka shumë hallexhinj që sorollaten dyerve të administratës e nuk marrin shërbimin e merituar. Nxehen e turfullojnë gjithë ditën me veten e nuk marrin mundimin ta denoncojnë këtë mos korrektesë të nëpunësve në portalin që qeveria ka vendosur në dispozicion të tyre, ku jo vetëm marrin zgjidhje, po ndëshkohen edhe vetë nëpunësit. Në darkë dëgjojnë opozitën që demonizon Ramën dhe kështu bëjnë atë lidhjen e shkurtër midis tij e atij nëpunësit të papërgjegjshëm, duke i njehsuar me njëri- tjetrin.

Në fakt, po ta kesh ndjekur gjithë historikun e politikës shqiptare, e kupton fare lehtë se opozita nuk e ka fare me Ramën, por me kryetarin e Partisë Socialiste. Edhe nëse sot, në këtë çast, Edi Rama ikën në punë të vetë krijuese jashtë politikës aktive (pasioni për pikturën, skulpturën, stilizimet e veshjeve, etj.), ai që do e zëvendësonte do ishte tabela e radhës e qitjes. Kurse vetë Rama nuk do përbënte më asnjë interes për opozitën duke i reshtur sulmet ndaj tij. Për këtë opozitë, ky është një film i parë qysh nga koha e Fatos Nanos, prandaj ky sulm nuk duhet kuptuar si një fokusim tek një emër i përveçëm “Rama”, por tek kryetari i partisë kundërshtare që qeveris vendin. Kushdo të ishte ai, e sado mirë të qeveriste, është detyrë e përbotshme e opozitës ta demonizojë, për të nxjerrë në pah se ajo dhe lideri i saj janë më të mirët si alternativë për të qeverisur.

Dhe, në këtë sulm demonizues që i bëjnë Ramës, me ka bërë përshtypje një akuzë e pabazë se ai ka blerë mediat. Kushdo që ndjek emisionet televizive të darkës e vëren fare lehtë se të gjitha, pa asnjë përjashtim, kur trajtojnë tema politike, janë në unison si antiqeveritarë. Fillojeni me “Opinion” të Fevziut, “Open” të Vasilit, “Real Story” të Ballës, “TPZ” të Rakipit, “360gradë” të Zhejit, “Arena” të Hilës, “Tempora” të Meços, “Dritare” të Xhungës, “5 pyetje” të Babaramos, etj., kanë fokus të fortë antiqeveritar e anti-Rama. Edhe kur ndonjë moderator përpiqet të jetë disi luajal, shumica e të ftuarve të tij në emision anon dukshëm nga zëra opozitarë deri në raportin 1 me 3.

Në fakt, kjo është diçka shumë pozitive, bile mundësisht të jenë 100 për qind të gjithë të ftuarit antiqeveritarë, duke mos pasur asnjë zë pro nga mazhoranca. Nuk ua kërkon kush t’i bëjnë fresk qeverisë, thjesht të paktën, për respekt të opinionit publik që i ndjek çdo natë, të mos lejojnë të ftuarit që të thonë se Rama ka kapur mediat ndërkohë që po ata të ftuar, në studio a jashtë saj, çfarë nuk thonë kundër tij dhe qeverisë në emision. Krijimi i perceptimit të rremë mbi një kapje imagjinare të medias prej Ramës, ku edhe shumica dërrmuese e moderatorëve kanë një qasje të dukshme kundër tij, është joproduktive dhe kuptohet si vijim i politikës për t’i marrë për budallenj shqiptarët.

Në rast se këto media të akuzuara si të blera, japin gjatë ditës kronika mbi takimet e Ramës, kjo ndodh sepse ai është tip që prodhon lajm në çfarëdolloj ambienti të jetë. Nuk është faji i tyre që Lulzim Basha dhe lulëzime të tjera të opozitës janë kaq bajatë e painteres në daljet e tyre publike, saqë edhe kur mediat i transmetojnë e bëjnë këtë për hir të respektit ndaj opozitës, ndonëse e dinë se në ato çaste kanë humbur shumë shikues nga ekrani.

Në fund të fundit, opozita, duke u fokusuar gjithë kohën tek Edi Rama, s’e kupton që po i bën atij reklamë publike falas. Kjo, sepse populli e di vetë se cili është ai, e cilët janë akuzuesit e tij. U mjafton hipokrizia që liderët opozitarë e kanë të shkruar në ballë, që Edi Rama të vijojë të bëjë atë që di më mirë: injorimin e kundërshtarit duke mos u marrë fare me ta, dhe fokusimin gjithnjë e më shumë tek problematika të ditës për shqiptarët. Si ajo shprehja: “vulëhumburit le të ulërijnë, karvani i punëve të ecë përpara!”/ Tema

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?