Hashim Thaçi

(Pa)përgjegjësia e Kosovës ndaj kufijve të saj!

26 Gusht 2018, 21:30| Përditesimi: 26 Gusht 2018, 22:37

  • Share

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po vazhdon i vetëm negociatat me Presidentin e Serbisë në prani dhe të disa faktorëve ndërkombëtarë për të ndryshuar kufijtë aktualë të Kosovës nën pretendimin e një procesi paqësor.

Nuk është më interesante të flasim për rrezikun e këtij hapi për Kosovën dhe as për errësirën në të cilën futet e ardhmja e Kosovës nga fillimi i një procesi që nuk do ketë kurrë fund.

Ajo që sot është e rëndë ka të bëjë me indiferencën e skajshme të klasës politike në Kosovë ndaj këtij procesi që tashmë ka nisur. Presidenti Thaçi e ka bërë hapin e parë zyrtar, ka folur publikisht në krah të Presidentit të Serbisë për këtë proces, kanë shkëmbyer konsiderata për njëri tjetrin, dhe duket se ka pas një grup politikanësh “të erës së re” të Trumpit edhe në Europë, që po asgjësojnë arritjet e epokës neoliberale, ku Kosova është shteti i parë dhe i fundit që fitoi lirinë në emër të të drejtave të njeriut nga filozofia politike e Bill Klintonit dhe Tony Blair.

Shqipëria ka mbajtur një qëndrim serioz përmes Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ka vlerësuar se sovraniteti i Kosovës ka një rrezatim më të gjerë se sa kufijtë e Kosovës dhe se nuk duhen harxhuar energji për mënyrën se si duhet të kompensohet Serbia.

Por ndërkohë që në Alpet e Austrisë ky proces ka nisur zyrtarisht, Kosova po ngjan si në fabulën e atij gomarit që është duke e ngrënë ujku dhe thotë “bëje zot ëndërr”.

Procesi i ndarjes së Kosovës nuk është më ëndërr. Presidenti i saj ka hedhur sot një hap zyrtar dhe Kosova duhet të ketë një përgjigje institucionale për këtë proces. Ajo ose duhet ta ndalë me Parlament, ose duhet t’i bashkohet presidentit Hashim Thaçi, për të marrë së bashku përgjegjësinë e asaj që po ndodh.

Ky proces nuk mund të ndiqet, as me humor dhe as me qesëndi nga kafenetë e Prishtinës, por me përgjegjësi nga Parlamenti i Kosovës dhe institucionet e saj. Presidenti i Kosovës nuk është duke dhënë intervista për qejf, apo duke shpalosur vizione elektorale. Ai është duke vepruar. Tani Kosova duhet ta ndajë mendjen a është me Hashim Thaçin në këtë proces apo kundër tij. Dhe këtë duhet ta bëjë jo duke bërë luftë politike me Hashim Thaçin, por duke marrë përgjegjësi për atë që do të vendoset.

Ky momenti, kur ai është duke bërë bisedime për Kosovën dhe politikanët e tjerë në Kosovë janë duke treguar barcaleta për të, e duke këputur mufka politike, është më i papërgjegjshmi i mundshëm.

Kosova ka nevojë të ketë një zë legjitim në këto bisedime dhe kjo arrihet duke i dhënë mandat ose jo Hashim Thaçit për të biseduar për kufijtë e Kosovës. Çdo gjë tjetër është jo vetëm joserioze por dhe e rrezikshme. TEMA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?