Tryeza e 'të vegjëlve'
PS konfirmon prezencën

20 Prill 2012, 10:41| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Demokracia Sociale nga e majta dhe republikanët nga e djathta janë bërë iniciatorë të tryezës së gjerë politike për reformën zgjedhore, e cila do të mbahet mesditën e së hënës së javës që vjen. Milo e Mediu u kanë dërguar ftesa 21 kryetarëve të partive politike në vend, mes të cilëve kryeministrit Berisha dhe kreut te socialistëve Edi Rama. Selia rozë, përmes burimeve, konfirmon pjesëmarrjen, ndërsa demokratët nuk kanë ende një vendim. Të vegjlit kanë hartuar edhe një draft kërkesash për dy partitë e mëdha. Korrektimi i sistemit, ndryshimi i pragut elektoral dhe lejimi i grupimeve të partive brenda koalicionit, përbëjnë thelbin e kërkesave të të vegjëlve. "Është ajo që ne kemi kërkuar prej kohësh. Jo ndryshimin e sistemit por korrektimin e sistemit. Propozojmë që të ketë një prag elektoral prej 2 përqind për forcat politike që garojnë vetëm dhe 4 përqind për koalicionet", deklaroi kreu i PDS, Paskal Milo. Të parët që e kanë përshëndetur nismën dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen, janë kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe ai i PBDNj-së, Vangjel Dule. "Ne mendojmë që është shumë e rëndësishme që në fund të muajit prill gjithçka të ketë përfunduar", thotë Meta. Ndërsa Dule shprehet se "Ne nuk vuajmë nga dialogu i tepruar, ne vuajmë nga mungesa e dialogut". Por ata janë skeptikë për korrektimin e sistemit. Madje Dule shkon më tutje, kur thotë se, ka një marrëveshje mes PD e PS për të mos e ndryshuar atë, në dëm të partive të vogla. "Deri në momentet që po flasim mesa duket ka një marrëveshjes mes PD e PS për të mbajtur në fuqi sistemin aktual", shprehet Dule. Ndërsa kreu i LSI-së Meta deklaron: "Ne jemi për korrektimin e këtij sistemi aktual për të evituar diskriminimin". Ndryshimet e deritanishme në ligjin zgjedhor, si listat e zgjedhësve e numërimi elektronik shihen pozitivisht nga të vegjlit, por meraku i tyre parësor mbetet mënyra e përllogaritjes së mandateve. Me sistemin aktual, pjesës më të madhe të tyre, votat e marra nuk u përkthehen në mandate duke shkuar për llogari të dy partive të mëdha. Mendimet do të vilen nga 23 forca politike të ftuara në këtë tryezë mes tyre. Në materialin për diskutim janë renditur tre propozime, për të cilat të vegjlit pretendojnë të marrin dakordësinë e dy aktorëve kryesorë në tryezën e reformës zgjedhore. Propozimi i parë ka të bëjë me llogaritjen dhe shpërndarjen e mandateve me qëllim korrektimin proporcionalisht të votave për çdo subjekt zgjedhor, pasi sipas partive të vogla kodi aktual, me formulën e përllogaritjes, deformon vullnetin e votës së qytetarëve.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?