Turizmi, Rama: 10 mln turistë vitin që lamë pas, sfidë ruajtja e natyrës! T’ia lëmë brezave të ardhshëm

8 Prill, 10:36| Përditesimi: 8 Prill, 11:19

  • Share

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në takimin e 70-të i Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit që po mbahet për herë të parë në Tiranë. Në fjalën e tij Rama u ndal në turizmin e vendin tonë, duke thënë se vitin që lamë pas pritëm 10 milionë turistë.

Kreu i qeverisë thotë se kjo është një sfidë e madhe për vendin tonë, ndërsa thekson se ka ende shumë gjëra për të zgjidhur, Sipas tij, më e rëndësishmja është që të ruajmë natyrën dhe trashëgiminë, për t’ua lënë brezave të ardhshëm. Kryeministri theksoi se duhet të mësojmë nga gabimet e vendeve të zhvilluara.

“Ne sot kemi një realitet tërësisht ndryshe me më shumë se 10 milionë turistë që kaluan në Shqipëri vjet, që kanë ardhur pra, kanë ndenjur në Shqipëri dhe me shifra shumë të larta gjatë këtyre muajve të parë të vitit.

Sigurisht që ju të gjithë e dini që ky nuk është vetëm sukses, kjo nuk është vetëm gjë e mirë, në vetvete sigurisht që është, por është dhe një sfidë e madhe sepse ka shumë gjëra për të cilat ne duhet të mendojmë, që duhet t’i zgjidhim në rast se dëshirojmë që Shqipëria të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme, në rast se ne nuk dëshirojmë që Shqipëria ta humbasë bukurinë e saj të veçantë, në rast se duam që Shqipëria të jetë një destinacion ku turizmi të jetë një vlerë e shtuar dhe një vend me anën e të cilit ne krijojmë hapësirën për të festuar dhe kremtuar humanitetin që ne kemi duke bërë bashkë njerëz nga vende nga më të ndryshmet, të çfarëdolloj ngjyre, të çfarëdolloj gjuhe, të çfarëdolloj kulture, të çfarëdolloj historiku që ata mund të kenë dhe për t’i bërë ata të ndihen që kanë ardhur në Shqipëri dhe jo ndokund tjetër.

E këtu e kam fjalën që ne duhet të ruajmë natyrën, ne duhet të ndërtojmë gjëra me arkitekturë të bukur, të mahnitshme dhe ne duhet t’i gërshetojmë këto të dyja. Nga njëra anë pra të krijojmë mundësitë e duhura që njerëzit të marrin më shumë nga puna e tyre, nga toka e tyre, nga biznesi i tyre, por nga ana tjetër të kenë mundësi edhe që të lënë më shumë nga Shqipëria për brezat e ardhshëm. Ne nuk duam ta humbasim vendin tonë ndërkohë që ndërtojmë një destinacion të rëndësishëm turistik dhe unë e di që ju te gjithë i dini gabimet që janë bërë në vende të tjera, në vendet nga ku vini ju, sa i përket çështjeve si zhvillimit për shembull. Ju besoj i keni përjetuar vetë këto gjëra kur ne nuk i kemi përjetuar. Ju i keni kaluar këto faza zhvillimi, keni pra një përvojë shumë më të madhe dhe më të hershme se e jona, kështu që ju keni mësuar shumë nga gabimet tuaja.

Megjithatë unë besoj që ne nuk duhet të bëjmë të njëjta gabime. Nga gabimet tuaja ne duhet të nxjerrim mësime dhe prandaj e vlerësojmë  kaq fort organizatën tuaj, Organizatën Botërore të Turizmit dhe për këtë arsye jam këtu në këtë takim, sepse ajo që bën kjo organizatë është vërtetë fantastike. Por edhe ajo që po bën Zurab është fantastike sepse këtu nuk bëhet fjalë për të shkuar nga njëri vend tek tjetri  dhe thjesht për të bërë disa takime e për të folur për shifra të ndryshme, por këtu bëhet fjalë për ndarjen e ekspertizës, njohurive, përvojave, të gabimeve që janë bërë në të shkuarën që ato të mos përsëriten.  Këto janë gjërat më të rëndësishme dhe shpresoj fort që ne do të mësojmë sa më shumë që të jetë e mundur nga gabimet të cilat keni bërë ju që të mos i bëjmë ne.

E ne tashmë i kemi bërë disa gabime tona dhe të mos harrojmë që jetojmë mes grekëve, italianëve dhe që të jesh mes tyre, do të thotë që të jesh tek “dolce-vita”, tek ajo jeta e shkujdesur dhe ti bën edhe gabime sepse nga njëra anë nuk e ke kuptuar tërësisht bekimin që të ka dhënë Perëndia, sa bujare është treguar perëndia që ka krijuar këtë vend të mrekullueshëm me këto pjesë mahnitëse të vendit, por edhe historia ka qenë kaq bujare sepse me anën e historisë dhe atyre ngjarjeve të mëdha historike që kanë ndodhur në Shqipëri, ne kemi disa vende të mahnitshme historike që na i kenë lënë trashëgimia historike, lashtësia, antikiteti, por megjithatë ne nuk jemi Zvicër dhe për çfarëdolloj arsye ndoshta është më mirë të mos jemi Zvicra, por duhet të kemi të njëjtën mënyrë të kuptuari siç kanë zviceranët për të kuptuar se çfarë duhet t’u lëmë brezave të ardhshëm që të mos prishim vendin dhe bukuritë e veta, por t’ia lëmë atë më mirë për brezat e ardhshëm”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Tirana qendra e turizmit europian, Rama: Sfidë të ruajmë natyrën! Organizata Botërore rekomandon të huajt të investojnë në Shqipëri


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?