Turpi i çetës Berisha, akuzon të tjerët për krime që kanë bërë vetë

5 Prill 2023, 19:29| Përditesimi: 5 Prill 2023, 20:11

  • Share

Me logjikën e vetëdijshme të një perëndimoreje, ambasadorja amerikane Yuri Kim fotografoi në mënyrë perfekte paradoksin në të cilin jetojnë Sali Berisha dhe çeta e klonëve të tij, ai grup i vogël militantësh që arrin ende t’i qëndrojë në krah, vetëm sepse është shndërruar si ai. Duke iu referuar akuzave të vazhdueshme për korrupsion, që Berisha dhe çeta e tij ia drejtojnë cilitdo kundërshtar, duke pretenduar se janë ata të ndershmit e vetëm, ambasadorja e përmblodhi kështu situatën:   ''Mendoj se kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë''. 

Pra Yuri Kim e konsideron paradoksale dhe gati të pabesueshme që Berisha i akuzuar për korrupsion edhe nga Shtetet e Bashkuara, të akuzojë për korrupsion të tjerët. Në realitet është akoma më keq se kaq. Berisha dhe çeta e tij kanë gjithnjë një fiksim që është edhe një teknikë politike dizinformimi e mësuar në shkollat staliniste: Akuzojnë të tjerët për fajet dhe gjithë krimet që kanë kryer vetë kur ishin në pushtet ( e që pjesërisht vazhdojnë t’i kryejnë edhe në opozitë). Lista e shembujve është e pafund dhe nuk kufizohet vetëm me temën e “korrupsionit”. 

Akuzojnë qeveritarët se kontrollojnë gjykata dhe prokurori, sepse ishin ata që kontrolluan gjykatës e prokurorë (më të rëndësishmit të emëruar personalisht nga Argita Berisha pa lëvizur fare nga dhomëpritja e babait). 

Akuzojnë fëmijët e qeveritarëve për favore dhe korrupsion, sepse ishin fëmijët e tyre (duke nisur nga Argita dhe Shkëlzen Berisha) që u pasuruan me favoritizma dhe korrupsion. 

Akuzojnë qeveritarët se ndërtojnë kulla, sepse janë ata të parët që i kanë ngritur (vetëm dhëndrri i Berishës për shembull, i ashtuquajturi ambjentalist, ka ndërtuar 17 kulla ngjitur me njëra tjetrën në mjediset e klubit Partizani). 

Akuzojnë qeveritarët se përqëndrojnë në duart e tyre të gjithë pushtetet, sepse ishin ata të parët që e bënë. E paharruar koha kur Berisha kontrollonte njëkohësisht Presidencën e Republikës, Qeverinë, Gjykatë Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, 80% e gjyqtarëve të shkallës së parë të apelit, Shik, Policinë, Parlamentin dhe Klsh. 

Akuzojnë socialistët se manipulojnë zgjedhjet, sepse ishin pikërisht ata vetë që e bënë të parët dhe jo vetëm në “të largëtin” 1996 kur PD-ja e Sali Berishës dhe Tritan Shehut fitoi 122 vende nga 140, por edhe në zgjedhjet administrative të 2011 kur vodhën 12 votat e fundit në kutitë e Tiranës për të shpallur fitues Lulzim Bashën.  

Akuzojnë kundërshtarët brenda PD-së se manipuluan zgjedhjet në Kongresin e partisë, sepse ishin ata të parët që e bënë për vite me radhë, deri në zgjedhjen mitike të Lulzim Bashës në qershor 2021, që pas ca muajsh Berisha e mohoi pa pikë turpi.  

Akuzojnë policinë se është e korruptuar sepse policia e tyre ulej në tavolinë me vrasës të policëve të tjerë. 

Akuzojnë qeveritarët se nuk njohin të drejtat e opozitës, sepse ishin ata të parët që qeverisën duke goditur në shesh opozitën dhe duke çuar në burg liderin e saj. Për të mos folur pastaj për “diktaturën e kartonëve” me të cilën qeverisën deri në 2013 duke injoruar çdo kërkesë të opozitës.  

Akuzojnë qeveritarët se janë të rrethuar me oligarkë sepse ishin ata që i krijuan, deri në atë pikë sa disa prej tyre vazhdojnë t’i financojnë edhe sot familja Berisha edhe pse vazhdojnë të flirtojnë (dhe fitojnë) në të njëjtën kohë me qeverinë socialiste.

Akuzojnë qeveritarët se kanë masakruar pronën publike dhe pronën private, kur janë ata të parët që bënë kërdinë nëpër hipoteka, duke ua kthyer tokat vetëm pronarëve të lidhur me PD dhe duke vjedhur të gjithë të tjerët, duke iu dhuruar në të njëjtën kohë miqve dhe familjarëve perla tokash të pasurisë kombëtare.  

Akuzojnë qeveritarët se janë ish-komunistë, sepse janë ata që nuk dëmshpërblyen kurrë viktimat e komunizmit. Në 13 vite të qeverisjes së PD nuk propozuan as një ditë të vetme për të nderuar viktimat e komunizmit, as nje monument, ndërsa dy muzeumet e vetme të dedikuar terrorit komunist u realizuan me Edi Ramën në qeverisje.  

E ç’të themi për marrëdhëniet me mediat? Akuzojnë qeveritarët se kërcënojnë dhe kontrollojnë mediat, sepse janë vetë ata që kontrollojnë dhe kërcënojnë mediat dhe jo vetëm në vitet e largëta ’90 kur digjnin redaksi gazetash opozitare apo përpiqeshin t’I shpronësonin media duke arrestuar, duke vrarë e duke dëbuar gazetarë të pavarur. Por vazhdojnë ta bëjnë edhe sot përditë duke linçuar çdo gazetar kundërshtar e duke shantazhuar botues dhe në të njëjtën kohë duke financuar me para’ të pista të paktën dy televizione informative, ku janë pronarë, dhe dhjetëra portale-kioska.  

Eshtë e njëjta hipokrizi e gazetarëve të tyre, që flasin për gjoba ndaj biznesit sepse në të vërtetë janë ata që vendosin gjoba. Gazetarë që akuzojnë të tjerë gazetarë se kontrollohen nga politika sepse në realitet janë ata që paguhen dhe kontrollohen jo vetëm nga oligarkët dhe nga familjarët e Berishës, por deri edhe nga oligarkët dhe ministrat e Edi Ramës. Janë të ashtuquajturit gazetarë “të pavarur” berishianë që nisin gjuetinë ndaj bashkëpunëtorëve të Sigurimit, kur ata vetë janë familje bashkëpunëtorësh Sigurimi. Me dokumenta, jo me amendimet. 

Paradoksi i këtyre ish-qeveritarëve të tipit Sali Berisha & klonë, është se akuzojnë të tjerët ekzaktësisht për krimet që kanë kryer vetë. Duke shpresuar se shqiptarët i kanë harruar ato që kanë bërë e duke u përpjekur që të tjerët të paguajnë për ato faje që ata nuk kanë paguar kurrë.

xy/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Loni: 06/04/2023 13:10

    Skanim i shkelqyer i "bemave" te Sales e Ilirit dhe Co.nder vite! Loni

    Përgjigju
  • CIMI: 06/04/2023 12:38

    Respekte, gazetar briland.

    Përgjigju
  • Ilirjan: 06/04/2023 09:05

    Teknika staliniste... Bravo Carlo! Eshte pikerisht sjellja qe è shohim te serbet ruset ne mardheniet me te tjeret, eshte e njejta shkolle, e njejta menyre, eshte emeruesi i perbashket. Shyqyr sot Europa eshte Zgjuar nga letargjia dhe po i kupton, por disa dumbabiste ne Shqiperi jane te pashprese per te kuptuar.

    Përgjigju
  • Kistra: 05/04/2023 20:18

    Te lumte dora MJESHTER!

    Përgjigju
    • Gerdeci: 05/04/2023 22:27

      E ke qare, shume i nderuar z. Bollino! Kishim nevoje per kete rindriçim faktesh. Falemnderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?