Turshi me speca, lakër e perime miks nga zonja Albana

2 Tetor, 12:21| Përditesimi: 2 Tetor, 12:23

  • Share

Turshi me speca, lakër e perime miks

Përbërësit:

  • 2 kg speca të verdhë
  • 4-5 kg lakër e bardhë vendi
  • 500 gr qepë
  • 1 kg domate të bardha
  • 3-4 speca të kuq
  • 2-3 koka të plota hudhrash
  • 1 lugë supe piper i zi kokërr
  • 1 lugë supe rigon
  • 2-3 tufa majdanoz
  • 5-6 gjethe dafine
  • 500 ml uthull molle
  • 500 gr kripë e ashpër

Përgatitja:

Fillimisht lahen e pastrohen mirë të gjitha zarzavatet dhe lihen të kullojnë. Specave u hiqen farat, kurse lakrat grihen të vogla dhe u heqim kërcejtë. Në një kovë të bollshme hedhim lakrat e grira, domatet e grira, specat e kuq, hudhrat e qëruara, qepët e grira, rigonin, piperin kokërr, majdanozin e copëtuar, dafinën, një dorë kripë, uthullën dhe i përziejmë me të dyja duart. I mbulojmë dhe i lëmë të pushojnë 30 minuta. Ndërkohë fshijmë me një pecetë të thatë specat. Bëjmë gati vazon ose bidonin ku do t'i vendosim turshitë. Në një tenxhere hedhim 3 litra ujë dhe 1 dorë kripë. E përziejmë mbi zjarr dhe e lëmë të marrë valë e më pas e lëmë të ftohet. Fillojmë të mbushim specat me përzierjen që kemi përgatitur në kovë, duke i ngjeshur pak që të mos mbetet hapësirë ndërmjet specave. I vendosim të gjithë në një tepsi të madhe, pastaj fillojmë dhe i vendosim në enën e turshisë, pranë njëri-tjetrit. Mbi specat e fundit hedhim pjesën që na mbetet nga perimet dhe vendosim 3-4 gjethe rrushi mbi të. Kur shëllira është ftohur, ia hedhim me kujdes specave të mbushur. Përsipër i vendosim një pjatë të rëndë, që të dalë shëllira sipër. Herë pas here, duhet kontrolluar, që të mos zbulohen specat, sepse myken e prishen. Gjithashtu, duhet të provohen edhe për kripën. Turshia duhet të qëndrojë kështu rreth 2 javë, dhe më pas të fillojë të shijohet. 

 

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?