Të ardhurat e televizionit publik shqiptar nga shitja e reklamave ranë në vetëm 72 milionë lekë, (720 mijë euro) gjatë vitit 2023, në krahasim me 217 milionë lekë që patën qenë në vitin 2022, një rënie dramatike kjo me 67% si dhe niveli më i ulët i të ardhurave në së paku tre vjet. Të dhënat janë publikuar në raportin vjetor të këtij institucioni, i depozituar për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë. Raporti nuk mbart shpjegime se pse ka ndodhur kjo rënie e të ardhurave përveç konkluzionit të thatë se ato kanë qenë sa 48% e planit vjetor.
“Planifikimi është bërë mbi bazën e parashikimeve nga Drejtoria e Shitjes dhe Promocionit, por gjatë vitit 2023 realizimi nuk qëndron në nivelet e parashikuara nga kjo Drejtori,” shkruhet në raport.
Ndryshe nga të ardhurat nga shitja e reklamave, financimi i drejtpërdrejtë nga taksapaguesit përmes buxhetit të shtetit u rrit me 50 milionë lekë, bëhet e ditur nga raporti.
Shqiptarët e financojnë televizionin publik kryesisht përmes një takse që paguhet nga çdo familje në vend me vlerën 100 lekë në muaj, pagesë që bëhet bashkë me faturën e energjisë elektrike. Kjo taksë përbën 60% të të ardhurave të transmetuesit publik ndërsa taksapaguesit paguan vitin e kaluar përmes buxhetit të shtetit edhe rreth 618 milionë lekë të tjera. Shpenzimet nga buxheti kanë për qëllim mbulimin e aktiviteteve jofitimprurëse, të tilla si transmetimi satelitor për diasporën apo financimin e orkestrës simfonike.
Të ardhurat nga shitja e shërbimeve të ndryshme, përfshirë reklamat, mbulojnë më pak se 10% të shpenzimeve.
Televizioni publik është televizioni me buxhetin më të madh në vend. Gjatë vitit të kaluar, shpenzimet e përgjithshme ishin 2.1 miliardë lekë ose gati 20 milionë euro, shifër kjo konsiderueshëm më e lartë se sa shpenzimet e televizioneve të mëdha kombëtare si Klan apo Top Channel. Megjithatë, ndonëse operon në të njëjtin treg, TVSH nxjerr një pjesë fare të vogël të të ardhurave nga reklamat, pjesë që është bërë edhe më e vogël në vitin e kaluar. Kështu, të ardhurat nga reklama përbënin 9.7% të shpenzimeve në vitin 2022 ndërsa ranë në vetëm 3.4% në vitin 2023.
Televizioni publik numëron zakonisht rreth 1 mijë të punësuar ndërsa shpenzimet për paga u rritën vitin e kaluar duke arritur në 1.1 miliardë lekë, thuhet në raport.
Të ardhurat kryesore të transmetuesit publikë vijnë nga e ashtuquajtura “taksë e televizorit”, e cila paguhet nga të gjithë pronarët e shtëpive që ekzistojnë në vend dhe që kanë një kontratë furnizimi me energji elektrike. Këto të ardhura kanë qenë në stanjacion gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar mosarritjen e numrit të kontratave të furnizimit të OSHEE.
Transmetuesi publik është në teori një institucion politikisht i pavarur. Bordi i saj drejtues zgjidhet nga parlamenti ndërsa drejtori ekzekutiv zgjidhet nga bordi. Bordi aktual është zgjedhur kryesisht nga Partia Socialiste ndërsa drejtori aktual është një ish-deputet dhe funksionar i Partisë Socialiste./ BIRN