Të tjera arrestime për grabitjen në Rinas, çfarë paralajmëron ministri Lleshaj?

26 Prill 2019, 13:36| Përditesimi: 26 Prill 2019, 15:29

  • Share

Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj ka paralajmëruar arrestime të tjera në lidhje me super-grabitjen e ndodhur brenda në aeroportin e Rinasit më 9 prill.

Nga Kukësi, në kuadër të një nisme "Ministri një ditë në qark", Lleshaj foli për punën e bërë në zbardhjen e ngjarjes që ka çuar deri më tani në pranga 5 persona dhe anë identifikuar e shpallur në kërkim thuajse të gjithë personat e përfshirë, nga organizatorët tek bashkëpunëtorët.

"Kjo çështje është ende nën hetim. Megjithëse ka ecur shumë, unë nuk mund të ekspozoj detaje të shumta. Unë them se grupi tashmë i shkatërruar tashmë ka një arkiv të pasur të aktiviteteve  negative kriminale jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Procedurat e hetimit vazhdojnë në funksion të zbardhjes dhe kapjes së autorëve. Do të ketë arrestime të tjera. Disa nga krerët e grupit janë arrestuar por ka edhe të tjerë.", tha ministri.

I pyetur lidhur me protestat e opozitës që tashmë i janë rikthyer bllokimit të rrugëve, Lleshaj tha se është një degradim politik.

"Është e drejta e të gjithëve për të protestuar. Por bllokimi i rrugëve është degradim politik në të gjitha aspektet. Nuk është bllokimi i rrugëve zgjidhje politike. Nuk mund ta mbysësh qeverinë duke bllokuar rrugët, qeverinë e mbyt duke fituar zgjedhjet. Duke bllokuar rrugët mbyten qytetarët. I bëj thirrje opozitës nga Hasi, të kthjellohen e ti thërrasin arsyes dhe të kthehen në rrugët normale të politikës.", tha ministri Sandër Lleshaj.

Ministri i Punëve të Brendshme tha se qarku i Kukësit është me situatën më të qetë të rendit dhe sigurisë.

Prononcim i Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj për mediat:

Konstatojmë me kënaqësi që qarku i Kukësit në aspektin e sigurisë është një ndër qarqet më të mira të Shqipërisë, më të qeta, në të gjitha aspektet sa i përket parametrave të sigurisë.

Në radhë të parë kjo është falë qytetarisë së banorëve të këtij qarku, të cilët prodhojnë shumë pak probleme, madje krahasuar dhe me zona të tjera të Shqipërisë dhe gjej rastin edhe t’i falenderoj, t’i shpreh mirënjohjen të gjithë qytetarëve për këtë kontribut që japin, për sigurinë, qetësinë e tyre por edhe për sigurinë  e vendit në tërësi. 

Kam patur një takim shumë interesant dhe do të thosha të paharruar me nxënësit e gjimnazit “Havzi Nela”, me të cilët kam diskutuar për gjëra dhe për punë të përbashkëta që duhet të zhvillojmë.

Ne si Ministri  e Brendshme dhe si Polici e Shtetit kemi  një interes të jashtëzakonshëm në forcimin  e marrëdhënieve me komunitetin. Ne besojmë që policia mund të ketë sukses vetëm atëherë kur qytetarët janë me të ose kur policia është me qytetarët dhe për këtë kam diskutuar me nxënësit e gjimnazit “Havzi Nela”, dhe shpresoj që do të kemi edhe disa projekte interesante në të ardhmen të cilat do të shërbejnë pikërisht në forcimin e këtyre marrëdhënieve.

Këtu në Has, në Krumë pata një takim me drejtuesit e institucioneve me të cilët diskutuam për problematikën e qytetit dhe të bashkisë së Hasit. Vlerësojmë po ashtu Hasin, nëse thashë që Kukësi është ndër qarqet më pozitive për sa i përket sigurisë, Hasi është akoma më mirë falë shumë faktorëve, falë traditës, falë komunitetit të konsoliduar dhe qeverisjes më të mirë që bëhet këtu besoj edhe nga drejtuesit  e pushtetit vendor.

Diskutuam problematika të cilat shqetësojnë komunitetin, kryesisht problematika që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me punësimin, por dhe me marrëdhëniet ndërkufitare për arsye se Hasi është një rreth kufitar i cili ka shumë marrëdhënie me Kosovën, dhe mora shënim shumë propozime interesante që kanë të bëjnë me gjetjen e mundësive për të lehtësuar shkëmbimin dhe për t’u mundësuar këtyre njerëzve që përmes kufirit të mund të ndihmojnë ekonominë e tyre familjare, për arsye se vlen shumë më shumë, në shumë raste që një qytetar i rastit ta zhvillojë tregtinë, të blejë apo edhe të shesë në Gjakovë apo në Prizren duke patur lehtësinë përkatëse dhe për këtë do të ndërmarrim dhe iniciativa ligjore në mënyrë që këtyre banorëve t’ju sigurojmë një status disi më të privilegjuar në kuptimin e shkëmbimit të tarifave doganore dhe të aspekteve të tjera që ka në këtë marrëdhënie ndërkufitare. 

Diskutuam edhe çështje të tjera por besoj që këto ishin pak a shumë çështjet themelore të cilat diskutova. 

Pyetje:  Zoti ministër ju dje në Kuvend deklaruat se autorët e grabitjes së Rinasit kanë lidhje të forta me grupet kriminale në Shqipëri, keni fakte për këtë?

Lleshaj: Jo! Kjo çështje është në hetim ende megjithëse ka ecur shumë. Unë nuk kam mundësi të ekspozoj detaje që kanë të bëjnë me dosjen e hetimit, por mund t’ju them kaq; që grupi  pothuajse i shkatërruar tashmë është një grup i cili ka një arkivë shumë negative të pasur aktiviteti kriminal , jo vetëm në Shqipëri, por në Shqipëri, në Greqi, Kosovë.

Një grup i rrezikshëm i cili u arrit, falë punës së shpejtë të vendosur të policisë, pothuajse të shkatërrohet dhe procedurat e hetimit vazhdojnë në funksion të kapjes përfundimtare të autorëve të këtij krimi dhe të anëtarëve të këtij grupi. Nuk bëhet më fjalë për zbardhje, zbardhja është kryer falë një pune vërtetë të shkëlqyer të policisë dhe prokurorisë.

Pyetje: Pritet të ketë arrestime të tjera në lidhje me këtë ngjarje?

Lleshaj: Sigurisht përderisa grupi nuk është shkatërruar plotësisht, përderisa anëtarët e tij nuk janë kapur të gjithë pritet të ketë dhe arrestimet përkatëse.

Pyetje: Autorët kryesorë janë arrestuar?

Lleshaj: Autorët kryesorë janë arrestuar, por jo të gjithë.

Pyetje: Z.Ministër, opozita dje protestoi me bllokimin e 5 rrugëve , a mund ta komentoni, pasi Lulzim Basha pas protestës tha që do të vijojnë protesta të shumta. Si e komentoni këtë deklaratë?

Lleshaj: Këtu jemi në Has, një rreth, një krahinë që ka shumë traditë dhe i njeh vlerat e bashkëjetesës dhe të komunitetit, një vend që njeh dhe Kanunin dikur dhe ka qenë një rregullator ligjor që rregullonte  bashkëjetesën mes qytetarëve.

Edhe në Kanun, por edhe në ligj, ekziston një paragraf shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me udhën e madhe. Udha e madhe nuk pritet kurrë. Është e drejta e kujtdo për të protestuar; edhe unë personalisht sot kam inkurajuar nxënësit e gjimnazit “Havzi Nela” të jenë kritikë, të mos jenë konformistë,  të jenë kritikë me mësuesit, me qeverinë, me këdo, por të qenit kritikë, të qenit opozitarë nuk ka të bëjë fare, po fare me bllokimin e rrugëve. Bllokimi i rrugëve është degradim politik, degradim në të gjitha drejtimet. Nuk është bllokimi i rrugëve zgjidhja për çështjet politike, ka mënyra të tjera, jo bllokimi.

Është fare e thjeshtë. Nuk është zgjidhje, nuk mund ta mbysësh qeverinë duke bllokuar rrugët. Ka një mënyrë “për ta mbytur” qeverinë: duke fituar zgjedhjet, duke shkuar atje ku “mbytet” realisht qeveria, por nuk mund të “mbytet” qeveria, sepse duke bllokuar rrugët mbyten qytetarët dhe kjo është gjëja që nuk pranohet. Gjej rastin këtu nga Hasi t’i bëjë thirrje dhe njëherë atyre autoriteteve përkatëse të opozitës apo kujtdo tjetër, të kthjellohen, t’i kthehen arsyes dhe të kthehen në parametrat normalë të politikës. Nuk është bllokimi i rrugëve, bllokimi i rrugëve është vepër e rëndë penale, e cila do të gjejë po ashtu përgjigje, e vendosur dhe nga strukturat e policisë së Shtetit, sepse strukturat e Policisë së Shtetit janë aty për t’u shërbyer të dy palëve, apo të 42-palëve nëse janë aq.

Askush nuk mund të vihet mbi zgjedhjet! Askush! As partitë, as Qeveria, as Parlamenti, as Presidenti, as Kryeministri. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen këtij institucioni të madh dhe kushdo që pretendon ta pengojë ditën e zgjedhjeve duhet të dijë që po bën sakrilegjin më të madh në të gjitha planet, në planin politik, në planin shoqëror, në planin moral, e të tjera me radhë.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • e bca jam edhe une: 26/04/2019 15:23

    Po te kish qene ne Shqiperi ajo vajza me mbiemer Bici si i behej do hante burgun kote,o zot cfar fatkeqsie na ka kapur.Duhet te ikim nuk jemi te sigurt,eshte e pamundur qe i pafajshmi te faktoj pafajsin ne Shqiperi.

    Përgjigju
  • e bica jam edhe une: 26/04/2019 15:22

    Po te kish qene ne Shqiperi ajo vajza me mbiemer Bici si i behej do hante burgun kote,o zot cfar fatkeqsie na ka kapur.Duhet te ikim nuk jemi te sigurt,eshte e pamundur qe i pafajshmi te faktoj pafajsin ne Shqiperi.

    Përgjigju
  • Fredi: 26/04/2019 14:35

    Bravo Policia , kriheni republikën nga Konispoli në Vermosh dhe dërrmoni gjith horrat bajga, janë e ku s janë! Suksese policisë, bravo!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?