TIRANË- Prokuroria e Posaçme regjistroi procedim penal për referimin e Komisariatit nr. 1, në bashkëpunim me agjentët e BKH lidhur me incidentet e dhunshme dhe kaosin e shkaktuar nga deputetët e grupit të Gazmend Bardhit dhe Sali Berishës në seancën e ditës së djeshme (7 dhjetor) ku u votua nen për nen pr/buxheti i vitit 2024.
Report Tv mëson se ndryshe nga herët e tjera, referimi i materialeve në SPAK nuk është bërë me emra konkretë, por materiali është referuar për grupin parlamentar të opozitës.
Mësohet se ata akuzohen për shkatërrim prone dhe përdorim i lëndëve piroteknike parashikuar nga nenet 151 dhe 154 të Kodit Penal që përcaktojnë dënime ga gjobë deri në 5 vjet. Pasi ka shqyrtuar referimin, prokuroria e posaçme ka vendosur regjistrimin e procedimit penal dhe menjëherë ka nisur verifikimet.
Hetuesit, brenda sallës së Kuvendit sekuestruan pamjet e kamerave të sigurisë dhe materiale të tjera që shihen me interes si prova për vijimin e hetimeve.
Më herët, gjatë incidentëve të mëparshme, i njëjti grup hetimor përcolli materialet në SPAK për Albana Vokshin dhe Flamur Nokën. Akuzat për Nokën dhe Vokshit janë për shkatërrim të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat sipas neneve 151 dhe 154 të Kodit Penal, dënohen nga gjobë deri në 5 vjet burg.
Në seancën plenare të ditës së djeshme (7 dhjetor), deputetët e pranishëm të Berishës dhe Bardhit, lëshuan fyerje dhe ofendime ndaj punonjësve të Gardës me të cilët më pas patën edhe përplasje të dhunshme pasi këta të fundit tentuan t’i ndalonin në përsëritjen e kaosit me përmbysjen e karrigeve pranë foltores së sallës.
Buxheti për vitin 2024 u miratua me 74 votat e mazhorancës pro dhe 4 kundër në seancën e pushtuar nga kaosi që zgjati rreth 8 minuta.