Adriatik Alimadhi është deputeti i parë shqiptar i vetëdeklaruar si i infektuar me virusin covid-19, virus i cili ka alarmuar botën dhe po bën kërdinë në Itali, Spanjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Alimadhi mori përgjigjen e analizave me 24 mars se ishte infektuar, ndërsa në 27 mars njoftoi publikisht se po luftonte me virusin. Ndërkaq, ditën e djeshme ka qarkulluar një lajm për shkarkimin e Alimadhit si kryetar i grupit parlamentar i partive të djathta, pra për një 'puç' që i kanë bërë shokët e grupit, në një kohë kur Alimadhi po luftonte me covid-19. Por nga verifikimet rezulton se shkrirja dhe krijimi i grupeve të reja parlamentare në Kuvend nuk ka lidhje me situatën e krijuar në koronavirusi.
Grupi parlamentar i partive të djathta me në krye Alimadhin është shkrirë dhe nuk funksion që në muajin nëntor të 2019. Deputeti Alimadhi ka marrë pjesë për herë të fundit në cilësinë e grupit parlamentar të partive të djathta në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në datën 8 nëntor 2019. Në pesë dhjetor, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u shpreh se “grupi i partive të djathta është shkrirë, për shkak se ka një numër më të vogël deputetësh sesa është kuorumi, janë larguar prej tij 4 deputetë”. Grupi i partive të djathta përbëhej nga Alimadhi, Selami Jenishehri, Zef Shtjefni, Kostaq Papa, Koçi Tahiri, Ervis Meço dhe Ramazan Gjuzi.
Ndërkaq, ditët e fundit është krijuar një grup i rio parlamentar, me emrin Grupi parlamentar "Demokraci dhe drejtësi". Grupi kryesohet nga Edmond Stojku dhe ka në përbërje Ramazan Gjuzi, Edmond Rrushi, Eugen Bojaxhiu, Selami Jenishehri, Krenar Rryçi, Kostaq Papa, Koçi Tahiri, Klajdi Qama, Majlinda Halilaj dhe Ervis Meço. Aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë janë katër grupe parlamentare, grupi Parlamentar i Partisë Socialiste me në krye Taulant Ballën, grupi Parlamentar “Demokraci dhe drejtësi”, me në krye Edmond Stojkun, grupi Parlamentar "Demokrat" me në krye Rudina Hajdarin si dhe grupi Parlamentar “I pavarur” me në krye Nimet Musajn.