Pasi mbaruan shkollën, aty ku nuk do të mund të kthehen më, dy vëllezërit Darvin dhe Francesk Bica do të ndihmonin prindërit, kryesisht nënën për të ruajtur bagëtinë, me të cilën siguronin jetesën.
Por pasditja e 18 korrikut, ishte tragjike për familjen Bica në Fushë Labinot. Vapa, lodhja, ndoshta një dëshira për t’u freskuar i shtyu dy vëllezërit, 8 dhe 10 vjeç, të shkëputën për pak çaste nga nëna dhe hynë në lumë, nga ku nuk dolën më.
Papritur rrjedha e lumit i përpiu duke u marrë edhe jetën.
Nëna dëshpërimisht kërkoi ndihmë, por gjithçka ndodhi shumë shpejt. Banorët e zonës u përpoqën t’u japin ndihmën e parë, por çdo gjë kishte përfunduar. Këtë të shtunë, dhimbja në familjen Bica nuk mund të përshkruhet.
Miq, të afërm, fqinj dhe të panjohur u mblodhën për t’u dhënë lamtumirën e fundit dy vëllezërve të mitur. Çifti Bica prej vitesh punonte me sezone në Greqi. Së fundmi, babai kishte filluar punë në një firmë ndërtimi. Nëna ishte kthyer në fshat për t’u kujdesur për bagëtitë dhe tre fëmijët.
“Kanë qenë të rregullt si fëmijë, shkonin në shkollë. ai mundohej me sakrifica për t’i rritur, për t’i edukuar për tu dhënë më të mirën.”
“Shumë fëmijë të mirë, të mbarë. Jemi tronditur shumë, por çfarë t’i bësh.”
“Ne nuk jemi të zonës, thjeshtë e dërguam edhe erdhëm. Ne jemi nga Elbasani. Vetë për ngjarjen kemi ardhur. Shumë e rëndë. “
Në mes të kësaj tragjedie, dy prindërit e Darvinit dhe Franceskut do të kujdesen tani për vëllain e tyre 2-vjeç, tek i cili duhet të gjejë forcën për te jetuar.
Komente
