Udhëzim i i Qeverisë/ Paditë për pushime nga puna apo vjetërsi në punë, institucionet publike nuk do të bëjnë më rekurse në Gjykatën e Lartë për çështje për shifra të vogla

15 Janar 2022, 10:15| Përditesimi: 16 Janar 2022, 20:10

  • Share

Gjykata e Lartë i bëri pak kohë më parë një kërkesë institucioneve publike që të mos bëjnë rekurse pranë saj për çështje të vogla. Kjo ka bërë që Këshilli i Ministrave të bëjë gati një projektudhëzim për institucionet në varësi, ku i udhëzon që të heqin dorë nga rekurset për ankimimin e vendimeve të gjykatave të apelit dhe të Gjykatës Administrative të Apelit për çështjet që lidhen kryesisht me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, njohjen e vjetërsisë në punë, sidomos bëhet fjalë për kur vlera e padisë është më e vogël se dyzetfishi pagës minimale, në shkallë vendi.

PROJEKTUDHËZIMI I PLOTË

Projekt-udhëzimi “për përcaktimin e rregullave mbi heqjen dorë nga rekurset e depozituara nga ministritë e linjës dhe institucionet në varësi të tyre, të pashqyrtuara nga gjykata e lartë, për disa çështje me natyrë civile dhe administrative, si dhe për paraqitjen e rekurseve”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të Kodit të Procedurës Civile, të nenit 56 të ligjit Nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” të ndryshuar, ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, duke mbajtur në konsideratë stokun e çështjeve gjyqësore të prapambetura dhe numrin e lartë të çështjeve të reja që regjistrohen në Gjykatën e Lartë, ngarkesën e krijuar për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve efektivë në Gjykatën e Lartë, si dhe rëndësinë jetike të rritjes së efiçencës në sistemin e drejtësisë dhe zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi, si një nga objektivat dhe prioritetet madhorë të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave,

UDHËZON:

1. Ministritë e linjës dhe institucionet në varësi të tyre marrin masat e nevojshme për heqjen dorë nga rekurset e paraqitur nga përfaqësuesit ligjorë të tyre, përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, për ankimimin e vendimeve të gjykatave të apelit dhe të Gjykatës Administrative të Apelit për çështjet me natyrë civile dhe administrative me objekt:

a) zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lindin nga marrëdhëniet e punës, në të cilat ministritë e linjës apo institucionet në varësi të tyre shfaqen në cilësinë e punëdhënësit, kur vlera e padisë është më e vogël se dyzetfishi pagës minimale, në shkallë vendi.;

b) njohje/vërtetim i vjetërsisë në punë, si dhe vërtetësi/pavërtetësi/njohje e të dhënave të dokumentit (librezë pune, regjistër themeltar, listëpagesa, libër pagash, vërtetim e të tjerë);

c) shpërblimin për dëmet pasurore apo jopasurore, kontraktore ose jashtëkontraktore ndaj personave fizikë a juridikë, privatë, vendas a të huaj, kur vlera e padisë është më e vogël se dyzetfishi pagës minimale, në shkallë vendi.

ç) korrigjimin, ndryshimin, shfuqizimin, anulimin, apo konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, të nxjerrë nga organi publik, kur

plotësohet një nga këto kushte :

i. këto kërkime nuk janë të shoqëruara me kërkimin për shpërblimin e dëmit, apo për shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, si dhe nuk dëmtojnë interesat pasurore të shtetit; ose

ii. kërkimi për shpërblimin e dëmit, për shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, apo dëmtimi i interesave pasurore të shtetit është në vlerë më të vogël se dyzetfishi pagës minimale, në shkallë vendi;

d) detyrimin e organit publik për të nxjerrë aktin administrativ, për të kryer veprimin administrativ, ose një veprim tjetër administrativ, kur plotësohet një nga këto kushte:

i. këto kërkime nuk janë të shoqëruara me kërkimin për shpërblimin e dëmit, apo për shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, si dhe nuk dëmtojnë interesat pasurore të shtetit; ose

ii. kërkimi për shpërblimin e dëmit, për shlyerjen e detyrimeve të tjera financiare, apo dëmtimi i interesave pasurore të shtetit është në vlerë më të vogël se dyzetfishi pagës minimale, në shkallë vendi ;

2. Përvec çështjeve me objekt të cilësuar sipas pikës 1 të këtij udhëzimi, Ministritë e linjës dhe institucionet në varësi të tyre marrin masat e nevojshme për heqjen dorë nga rekurset e pashqyrtuara nga Gjykata e Lartë edhe për:

a) paditë e tjera, pavarësisht llojit të kërkimeve në objekt, të depozituara prej tyre për të gjitha çështjet administrative dhe civile me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi, për të cilat Gjykatat e Apelit ose Gjykata Administrative e Apelit kanë vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë për rrëzimin e padisë.

b) paditë që, pavarësisht llojit të kërkimeve në objekt dhe vlerës së tyre, rezultojnë të kenë mbetur pa objekt, për shkak të shuarjes apo ndryshimit të rrethanave të çështjes;

c) paditë, pavarësisht llojit të kërkimeve në objekt dhe vlerës së tyre, detyrimet e të cilave janë ekzekutuar plotësisht, sipas vendimeve të gjykatave të apelit dhe Gjykatës Administrative të Apelit, me kusht që Gjykata e Lartë të mos ketë vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe që njëkohësisht të jetë prezente të paktën një nga këto rrethana:

i. çështja është humbur nga organi publik në të dy shkallët e para të gjykimit;

ii. çështja vlerësohet si e pafitueshme nisur nga Vendimet unifikuese/njësuese të Kolegjeve të bashkuara, ose të Kolegjeve të veçanta,

4. Heqja dorë nga rekursi bëhet me shkrim sipas rregullave të përcaktuar në legjislacionin procedural civil dhe administrativ, pasi organi administrativ ta ketë arsyetuar atë në bazë të një prej rasteve të parashikuara në dispozitat e këtij udhëzimi.

Në rastet kur organi administrativ përfaqësohet nga Avokatura e Shtetit, kjo e fundit shqyrton kërkesën e organit administrativ ndërgjyqës për heqjen dorë nga rekursi, përpara se ajo të dorëzohet pranë Gjykatës së Lartë. Në rast se edhe Avokatura e Shtetit konstaton rrethanat e heqjes dorë sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi, ajo vijon me paraqitjen e kërkesës për heqjen dorë nga rekursi pranë Gjykatës së Lartë.

5. Për vendimet gjyqësore të parekursuara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, si dhe për vendimet e formës së prerë që do të miratohen pas hyrjes së tij në fuqi, organet administrative në varësi të Këshillit të Ministrave, do të ushtrojnë të drejtën e rekursit nëse nuk janë të pranishme rastet e parashikuara në këtë udhëzim, apo në dispozitat urdhëruese legjislacionit procedural civil dhe administrativ.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

EDI RAMA

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?