Muaji gusht 2021 ka rezultuar me një numër më të ulët të aksidenteve nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë regjistruar në total 24 viktima, ndërsa 26 në gushtin e vitit 2020. Ndërkohë, sipas raporteve zyrtare të policisë, lëvizje e qytetarëve ka qenë shumë më e madhe gjatë gushtit të këtij viti, se sa në gushtin e vitit 2020.
Ndonëse sipas të dhënave zyrtare, gjatë gushtit të këtij viti kanë qarkulluar 2.5 herë më shumë automjete se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bilanci i aksidenteve, këtë gusht ka qenë më i ulët. Në total, gjatë këtij muaji janë regjistruar 28 aksidente më pak se në vitin 2020, dy viktima më pak, por një rritje të lehtë kanë pësuar shifrat e të plagosurve. Burime nga policia thonë se janë 141 të plagosur këtë gusht, ndërsa në të njëjtin muaj të 2020-ës ishin 130. Ndër 24 viktimat e regjistruara në gusht, 13 kanë qenë këmbësorë.
AKSIDENTET GUSHT 2021 AKSIDENTET GUSHT 2020
Aksidente në total – 182 Aksidente në total – 210
Të vdekur – 24 Të vdekur – 26
Të plagosur – 141 Të plagosur – 130
Aksidenti që la jo pak gjurmë në memorien e shqiptarëve, ishte ai i Qafë Muzinës, ku pesë persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën. Përplasja e një automjeti tip “Range Rover” me fugonin e linjës Tiranë-Sarandë rezultoi fatale, duke i marrë jetën një çifti dhe tre personave të tjerë.
Pavarësisht se është një ndër investimet më të fundit në kryeqytet për sa i përket infrastrukturës, bulevardi “Migjeni”, i cili lidh rrugën “Teodor Keko” me zonën e Yzberishtit, është kthyer në një problematikë. Automjete që lëvizin me shpejtësi të lartë dhe që përplasen, e kanë kthyer në një ndër zonat më të rrezikshme të kryeqytetit, çfarë ka marrë jo pak herë vëmendjen e policisë.
Kjo video është xhiruar në një prej mbrëmjeve të ditëve të fundit në bulevardin “Migjeni”.
Policia, nisur nga denoncimi në rrjete sociale ka ndaluar drejtuesin e një motoçiklete. Përveç tij, në fokus kanë qenë edhe drejtues të tjerë që lëvizin me shpejtësi, ndërsa në vetëm një ditë janë proceduar penalisht pesë drejtues mjetesh. Kjo nuk është e vetmja rrugë problematike brenda kryeqytetit. Shqetësim për Policinë Rrugore mbetet edhe rrugët “Xhanfize Keko” dhe “Jordan Misja”.