Albin Kurti

Uleni Albin Kurtin me këmbë në tokë!

10 Qershor 2023, 11:34| Përditesimi: 10 Qershor 2023, 11:36

  • Share

Guximi i Albin Kurtit për t’i bërë karshillëk Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të rrjedhë nga një arsye e fortë, por guximi pa arsyen-na kujton Seneka-është vetëm një nga llojet e frikës. Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, zoti Artan Muhaxhiri, i qëndron bindjes se “Të gjitha refuzimet që Qeveria e Kosovës i ka bërë deri më tash ndaj kërkesave amerikane, nuk kanë bazë në politikën realiste dhe të dobishme…më shumë mund të jetë ndonjë ideologji e personalizuar e kryeministrit Kurti…”. Dhe ka shumë të drejtë me këtë opinion, është shumë i qartë, është një nga mijërat që i përmbahen kësaj bindjeje!

Qëndrimet kundërshtuese të tij kanë nxitur trushpëlarët si deputeti i pavarur Fatmir Humolli, që të thonë (me tone të larta madje) se Kosovën nuk e ka çliruar USA! Mëndjemadhin kapadai, injorantin dhe budallain, ata që merren me psikologji e sociologji, i fusin zakonisht në një grup, duke u përmendur tiparet e përbashkëta:

-Ndryshojnë pa e ditur përse? Kështu ndodhi me Kurtin, që e kundërshtonte asosacionin e firmosur nga Thaçi, e pranoi në Ohër dhe e refuzoi pas një jave. Nuk thotë pse ndryshoi mendim, përpos se na kujton që Veriu ështe i kriminalizuar dhe më parë duhet pastruar e demokratizuar?!

-Zemërohen kot! Kështu i ndodh sa herë Kurtit, kur kryeministri i shtetit Amë, Edi Rama, nën autoritetin e postit të lartë që mban, këshillon ose jep mendim se si duhet dalë nga kjo krizë, që afërmendsh na përfshin të gjithëve. Deri tani Kurti nuk ka dalë vet, por ka nxjerrë rradhazi një sërë ushtarësh besnikë të shthurrjes së tij mendore, si Adnan Rrustemi dhe Armend Muja, (e të tjerë) për të kundërshtuar Edi Ramën, i cili u ka çuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz. Më tej Akoma, deputeti Rrustemi ka marrë përsipër (ndoshta edhe i porositur) të bëjë ironi të turpshme, duke i thënë se “…kot e dërgon në Berlin e Paris pa e dërguar njëherë te anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Dejona Mihali”.

-Nuk dinë të dallojnë kush u do të mirën e kush të keqen!? Kurti është kryekëput një i tillë. Kapadai e mëndjelehtë, që në shkurt të vitit 2016 ka deklaruar hapur se “…shqiptarët nuk e duan Amerikën dhe as amerikanët”. Ai e ka shprehur këtë me një grup simpatizantësh të mbledhur në protestë para godinës qeveritare në Prishtinë.

Më tej, ky mosmirënjohës i qëllimshëm, u shpjegon me pathos simpatizantëve të tij se mes shqiptarëve dhe Amerikës nuk ka dashuri apo afeksion ndaj vlerave të tyre, por më së shumti është një marrëdhënie e ndërtuar mbi ankthin e braktisjes, …”. Kjo rrokopujë idesh të stisura përmes inatesh i përkasin Albin Kurtit, sot kryeministër i një populli që Amerika e liroi nga skllavëria poshtëruese serbe, një territor që Amerika e bëri shtet.

Kapardisjes së tij tani i ka shtuar dhe arrogancën, ndaj duhet dikush t’i kujtojë se sovranitetin e Republikës së Kosovës, Amerika kur të dojë, kur sheh qorrollepsjen, fuçinë e barutit dhe Kurtin me zjarr në kokë (pse jo dhe në duar?), ja zhvesh dhe e shndërron në protektorat. As Europa dhe as USA nuk duan në zemër të tyre një konflikt që kërkush nuk di se si mund të rrokulliset e çfarë përmasash të rrezikshme mund të marrë, duke vënë në rrezik popujt e paqen?! Pas Ukrainës, edhe këtë konflikt kanë mangut!

Ai dikushi, që mund të jetë vetë populli i Kosovës, mjafton ta shfryjë këtë tullumbace e ta ulë me këmbë në tokë, duke i thënë se pa Amerikën Kosova nuk ka gjasa të egzistojë si shtet i pavarur!

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bureto: 11/06/2023 19:27

    Në politikë nuk eshte e mjaftueshme të jesh në anen e drejte. Nëse e marrim per te vertete kete aforizem, i bie qe Albin Kurti eshte gabim. Por edhe të mendosh se per shkak te qendrimeve te tij (pavaresisht motiveve), ashtu si dhe ndonje ka frike, se në keto rrethana, qesharake ta thuash, per inat te Kurtit, SHBA do ta braktise Kosoven, eshte krejtesisht gabim. ShBA nuk kanë për t'u larguar kurrë nga Kosova! Kushdo që kupton diçka nga politika e ka të qartë këtë. Ata mund të duan aty një qeveri që të ndjekë politikat e saj në rajon, qofshin këto të momentit, qofshin afatgjatë. Aktualisht 'kërcënimet' e tyre, ndaj Kurtit jane një mjet per te qenë më te lire prej tij në hapat e tyre gjeostrategjike, qe aktualisht per shkak te agresionit rus në Ukraine, jane ekstremisht te nderlikuara, dhe mu per kete barren kryesore aty e mbajne amerikanet. Ndaj dhe per ta ndare 'shapin nga sheqeri', jo më kot i derguari i SHBA Daniel Eskobar në kulmin e krizes në dhe per veriun e Kosoves, perkunder 'vicklave' te Albinit, deklaroi: "Nuk e kemi me Kosovën, por me Kurtin!". Shkurt nuk duan për momentin, sa të mbarojë ajo krizë, shkopinj në rrota. Nuk janë aq naivë, siç thotë Kurti dhe për kë e thote kete? Për Antony Blinken, Sekretarin të DASh-it! Me të tilla ‘kalamallëqe’, Kurti aludon se ai nuk e njihka Serbinë, aq sa e njeh ai !!! Tani me absurditete të tilla, Kurti hëpërhë edhe Kosova humbet, edhe pse në raport me Serbinë, ka 100% të drejtë. Në vazhden e historise, të drejte kane patur gjithenje shqiptaret dhe veçanerisht kosovaret deri në vitin 1999, kur u çliruan nga amerikanet dhe NATO (po e njejta gjë). Po siç cilesova në fillim, në politike nuk mjafton të jesh në anën e drejte, pa harruar se ajo, pra politika, veç të tjerave, eshte dhe art i të mundshmes. Të gjithë jemi shqiptarë dhe te gjitha keto i dimë, por kurrë mos harrojmë se kush jemi dhe çfarë u detyrohemi atyre që na ndihmojnë dhe na mbrojnë. Kurti dhe politikanët kosovarë, nuk duhet t'i harrojne mesimet e historise dhe posaçerisht thënë kjo kur i referohemi nje populli dhe vendi të vogel, rrethuar nga armiq të vertete. Në kete rast është miopi per të mos parë dhe kuptuar se cilet jane aleatet e tyre strategjike të vertete.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?