Herë pas here, në media raportohen numrat e aksidenteve rrugore dhe pasojave të tyre njerzore, duke i krahasuar ato me një vit ose dy vite më parë. Por një krahasim i tillë është i cungët. Sepse numrat e aksidenteve duhet të shoqërohen me numrat e ekspozimit ndaj tyre – gjegjësisht, numrat mbi qarkullimin e automjeteve nëpër rrugët e vendit. Sa më shumë automjete të qarkullojnë, aq më shumë rritet probabiliteti i aksidenteve (për ta kuptuar këtë gjë, nuk duhen shumë vite shkollë…).
Në sezonin e verës, ndodhin pothuaj gjysma e aksidenteve rrugore në Shqipëri (meqë rritet shumë qarkullimi i automjeteve gjatë verës). Për këtë arsye, më poshtë është paraqitur një grafik i ecurisë së aksidenteve vetëm për periudhën qershor-korrik-gusht në Shqipëri.
Siç duket qartë nga grafiku, në verën e vitit 2021, aksidentet dhe pasojat njerzore të tyre kanë qenë në nivel të ngjashëm me të verës së 2020-ës (por më të ulta se të verës së 2019-ës). Po a ka qenë niveli i qarkullimit të mjeteve njësoj si këtë verë, edhe në verën e vjetshme?
Shifrat e kilometrave totale që përshkojnë automjetet në qarkullim nuk është i disponueshëm në Shqipëri, por disa tregues të tërthortë mund të na japin një pasqyrë mbi nivelin e qarkullimit të mjeteve brenda territorit të vendit.
Kështu, gjatë kësaj vere, u futën rreth 880 mijë automjete me targa të huja në Shqipëri, ose 33% më shumë se në verën e vjetshme. Kjo mund të ketë qenë rrjedhojë e heqjes së çdo kufizimi pandemik, për futjen në Shqipëri këtë verë. Gjithashtu, sasi e zhdoganuar e karburantit u rrit me 21% gjatë kësaj vere, krahasuar me verën e vjetshme. Gjë që tregon se u rrit qarkullimi i automjeteve në përgjithësi, e jo vetëm i atyre me targa të huaja.
Duke i përmbledhur këta tregues, mund të ekstrapolohet me përafërsi se numri i aksidenteve verore duhej të kishte qenë rreth 20% më i lartë se vjet, meqë u rrit qarkullimi i automjeteve (ndërkohë që mbeti i njëjtë numri i aksidenteve). Pra, mund të thuhet se u regjistrua një ulje e ndjeshme relative e aksidenteve (në raport me qarkullimin e automjeteve).
Për këtë ulje mund të ketë ndikuar aktiviteti i shtuar i policisë rrugore, e cila arrestoi rreth 500 drejtues mjetesh gjatë verës, ndërkoë që pezulloi mijra patenta dhe vuri dhjetra mijëra gjoba për shkelësit e Kodit Rrugor.