Këngëtari i njohur i muzikës labe Roland Çenko, është ulur në një gur në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër, duke interpretuar një këngë që i përshtatet situatës së trishtë të krijuar nga izolomi për shkak të pandemisë Covid 19. Këngëtari ka realizuar një interpretim të mahnitshëm të një lloji të këngës që quhet logatja, një përzierje midis vajit dhe këngës në Labëri. Poeti dhe kienasti i njohur Petrit Ruka me origjinë nga Labëria thotë se kjo mënyrë të kënduari është Logatja, një përzierje mes vajit e këngës.
“Për ata që nuk e dinë se çfarë është logatja, kjo përzierje magjike dhe prerje e artë midis vajit dhe këngës në Labëri, shembullin e shkëlqyer e kanë këtu, tek ky interpretim mahnitës i këngëtarit të madh e të rrallë gjirokastrit Roland Çenko. Rolandi nuk është thjesht një këngëtar i papërsëritshëm dhe aq, por një institucion i këngës labe dhe më saktë akoma i logatjes, i kësaj gjinie të çuditshme magjike, ku individi, një njeri i vetëm, kryen disa role duke zëvendësuar kështu së paku pesë a gjashtë këngëtarë që zakonisht kërkon kënga labe e duke qenë njëkohësisht marrësi, prijësi, kthyesi, hedhësi, isoja, të gjitha bashkuar në një të vetme. Maja të tilla i arrijnë vetëm gjeneralët e mëdhenj që në betejat e tyre të gjata i kanë kryer të gjitha llojet e hierarkisë së këngës labe një ë nga një dhe kjo kërkon një jetë të tërë dashurie.
Mbase më saktë duhet thënë se njerëz të tillë janë të shënuar nga fati...
Më mirë e më saktë për këtë mund të flas studiuesi më mirë i kësaj fushe, miku im Timo Mërkuri, një gjeneral tjetër i këtyre "viseve", i studimit dhe zbërthimit të tyre.”, shkruan Ruka.