Në Kuvendin e Shqipërisë, pas "djegies" së mandateve të deputetit nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe nga grupi parlamentar i LSI-së, këto ditë kanë filluar zëvendësimet e deputetëve zëvendësues. Në fakt kjo ka qenë thirrje e ndërkombëtarëve: edhe e Uashingtonit, edhe e Brukselit, sepse këta, menjëherë pas largimit të deputetëve primarë, thanë: "Tani duhet të hyjnë në Parlament zëvendësuesit".
Por, çfarë tregon kjo?
Kjo tregon se të korruptuarit e degraduar të Partisë Demokratike, që bëjnë pjesë në taborin e Sali Berishës, janë të papranueshëm për politikën perëndimore. Po kryeministri socialist si ndihet pas kësaj? Edhe ky i mërzitur duket, sepse Reforma në Drejtësi tani nuk ka më asnjë pengesë dhe ky nuk mund të justifikohet dot më me thënien e tij të përsëritur: "nuk i kam numrat në Parlament"; ashtu sikundër që ka bërë deri tani përpara politikës amerikane.
l.Shqipëria ndërkaq ndodhet në situatën më të leverdisshme të saj që prej 100 vjetësh. Largimi nga Parlamenti me dëshirë i korrupsionit të djathtë, që ka qenë i pozicionuar në antireformë, ka krijuar premisat për rikthimin e moralitetit në drejtimin e Shqipërisë. Kjo sepse tani do të avancojë me shpejtësi Reforma në Drejtësi, do të dalin shumë shpejt Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme; do të krijohet gjithashtu edhe Byroja Kombëtare e Hatimit; por, edhe të gjitha mbushjet adminitrative që i vendosin në funksionim këto institucione. Kurse Reforma në Drejtësi, i ka trembur të gjithë, dhe këtej e tutje do ta trembë edhe më të tërë korrupsionin shqiptar: politikanë; kryetarë bashkish, deputetë dhe kryeministra; ministra dhe gazetarë e pronarë mediash që i kanë shërbyer korrupsinit në Shqipëri.
Në të vërtetë kuptohet se underground ka pasur një marrëveshje Rama-Basha për të bllokuar Reformën, por kuptohet gjithashtu se kjo marrëveshje e ka pas mbështetur skemën e vet te mungesa e numurit prej 84 deputetë në Parlament. Madje tani kuptohet gjithashtu qartë se edhe largimi i deputetëve të Partisë Demokratike nga Parlamenti me djegie mandatesh, këtë ka pasur si qëllim. Kjo sepse Berisha i ndruhej sërish një ndërhyrjeje force të politikës amerikane për ta futur këtë detyrimisht në Parlament, njëlloj si në vitin 2016 dhe në vitin 2017. Prandaj, edhe largimi tërësisht nga Parlamenti, duke djegur mandatet e qenies deputet, edhe pse është një skifo e fortë antiperëndimore, sërish Berishës dhe taborit të tij i duhej për të ndaluar Reformën në Drejtësi të paktën dhe për dy vjet.
Por tani u dogjën të dyja palët, sepse kuptohet që politika perëndimore iu është drejtuar deputetëve zëvendësues të cilët ndërkohë kanë hyrë në Parlament nga LSI dhe nga PD. Numri i tyre është deri tani 16 deputetë, por kjo e çon numrin e deputetëve në 94. Mendohet që, brenda muajit, numri i deputetëve në Parlament t’i kalojë 130 deputetë, e ndoshtra edhe me shumë. E gjithë kjo tablo i ka topitur ‘trimat’ e mëdhenj të antiamerikanizmit në Shqipëri; por tani kanë rënë brenda vetë. Reforma do të vijojë, dhe Rama duhet tani t’i nështrohet fatit të tij: të shkojë edhe ky me këmbët e veta në pyetjet që do t’i ngrenë institucionet e reja të antikorrupsionit. Kjo tani është tamam një kohë e tillë: do të jetë e egër për korrupsionin gjigand antishoqëror në Shqipëri, por do t’i shpëtojë plotësisht shqiptarët nga një zgjedhë e egër që, në mbi njëzet vjet, i ka lënë të varfëruar nga zhvatja e madhe që iu ka bërë korrupsioni abuzues qeveritar.
II. Në fakt tani po kuptohet se kjo ka qenë një lojë e bukur e politikës perëndimore, e cila i ka parashikuar të gjithë. Madje tani po kuptohet gjithashtu qartë se përse këtë herë politika amerikane nuk ushtroi presion kundrejt lidërshipit të Partisë Demokratike, sepse ajo ka qenë e sigurt që zëvendësuesit do të hynin në Parlament. Dhe ata po vijojne të hyjnë. Në fakt kjo do të vijojë të analizohet si një lojë shumë e hollë në historinë e politikës shqiptare, sa herë që do të bierë fjala për të analizuar korrupsionin shqiptar të postkomunizmit në Shqipëri.
Por ndërkohë Partisë Demokratike i shpërtheu edhe një ngjarje e cila kuptohet se e ka dëmtuar shumë rëndë taborin korruptiv të Sali Berishës: ishte akti që bëri Rudina Hajdari në mospranimin e dorëzimit të mandatit. Dhe jo vetëm kaq; por ishte ajo që iu kujtoi të gjithë demokratëve të Shqipërisë që, të largohesh nga Parlamenti, do të thotë që të lesh luftën në mbrojtje të drejtësisë shoqërore në Shqipëri. Pikërisht për këtë, ka trepër gjasë ndodhjeje, që Rudina Hajdari të bëhet kryetarja e grupit euroatkantik në Kuvendin e Shqipërisë; grup ky qo do t’i sfidojë të gjithë antipërëndimorët, majtas dhe djathtas politikës shqiptare.
Janë të shumtë ata që po pyesin ndërkohë për vajzën e Azem Hajdarit: a do të mundet kjo ta bëjë atë që vdekja nuk e la ta bënte të atin e saj, të na konsolidojë demoktacinë dhe drejtësinë shoqërore, të munguar deri tani në Shqipëri?
Gjithçka do të varet nga përkrahja që do t’i japë politika amerikane në fillim, dhe ajo e Bashkimit Europian më pas, grupit të ri opozitar në Shqipëri; përkrahje kjo e cila, po ta shohësh me analizën e ngjarjeve të deritanishme, sigurisht pritet që të jetë e spikatur dhe shumë cilësore.