Një politikan mund të mbahet mend qoftë dhe vetëm me një akt publik, qoftë dhe vetëm me një frazë. Neritan Ceka ka edhe aktin, edhe frazën.
I pari është akti i ndalimit të turmës në shkurt 1991 që kishte marë rrugën e Bllokut.
Me të birin e mitur në krah, Ceka e detyroi turmën t’i kthejë shpinën tankeve që ndodheshin në urën kryesore të Lanës; e bëri të derdhet në shesh dhe të mos kalojë Rubikonin e një gjakderdhjeje me pasoja të frikshme.
E dyta është fraza e tij e famshme drejtuar faktorit ndërkombëtar mbas dhunimit të zgjedhjeve të përgjithshme, në maj 1996: zgjidheni sot krizën shqiptare që të mos detyroheni nesër të sillni ushtarë në Shqipëri! Paralajmërimi i tij, ndoshta ndryshe edhe nga sa mund ta kishte marë edhe vetë me mend, u verifikua në mënyrë ngjethëse. Në më pak se një vit, tanket dhe autoblindat e operacionit Alba, mbërritën në Shqipëri, kur anarkia e marrëzia ishte derdhur mbi shqiptarët që hapnin vrima në qiell dhe vdekje tek njëri-tjetri me plumba të vërtetë.
Karriera e këtij qytetari të veçantë të Tiranës, njohu më pas shumë ulje-ngritje, por asnjëherë nuk pati atë shkëlqimin e fortë që kishte në gjysmën e parë të viteve 90-të, kur ai ndryshonte aq shumë nga politikani i kohës me terital në qafë dhe triko leshi në mend. Në krah apo dhe përballë tyre, Ceka ishte thjesht ndryshe, ishte intelektuali që premtonte qytetari për qytetarët. Ai ishte tërësisht atipik në krahasim me shumicën e shpurës qeverisëse apo opozitare që ose vazhdonte të hante fara kur ishte në opozitë ose mbillte farën e marrëzisë që vazhdohet të korret edhe sot.
Ironia e fatit që nuk kursen askënd, i luajti një reng fatal profesorit flokëbardhë, të cilin e çoi deri në zyrën e këshilltarit dhe ambasadorit të Berishës, njeriut me të cilin ndante përbuzje më shumë se urrejtje dhe e vuri përballë në llogore me Ramën, personazhin tjetër me të cilin dikur ndante të njëjtën neveri për kooperativizimin e jetës publike të vendit. Por në të dy rastet, qoftë urrejtja, qoftë neveria janë të kuptueshme e të pranueshme, sa kohë që shprehen me dinjitet dhe nuk cënojnë dinjitetin. Dhe ashtu ka ndodhur. Të paktën për shumicën e kohës!
Rikthimi nga mosikja i Cekës, tani përpara 30 qershorit, ishte i një lloji tjetër. Ishte rikthim i zhurmshëm dhe klikim portalesh, gallatë memesh dhe menu ironish reciproke.
Ishte një rikthim jo me një akt si në 90-ën, jo me një frazë lapidare si në 96-ën, por me një veprim të papritur. Ceka nisi të mallkojë. Të mallkojë ca njerëz që me gjasë mendojnë ndryshe nga ai. Dhe t’i mallkojë sepse mund të zgjedhin të veprojnë ndryshe nga sa gjykon ai. Pikërisht diferenca e bën dynjanë interesante. Nëse të gjithë do të ishin njëlloj, atëherë vdekja nga mërzia do të ishte një bekim. Por profesor Ceka zgjodhi të reagojë ndryshe.
Tek çdokush tjetër, që nga Hazbiu e deri tek Saliu, mallkime si ato të Cekës, do të ngjanin normale. Normale si leshi në shtëpinë e berberit, por tek profesori i famshëm, ato janë një problem estetik. Dhe që falë kujtesës së internetit, do të kthehet edhe në një problem jetik për Neritan Cekën që tashmë, ata që e duan apo ata që e urrejnë, do ta njohin nesër si profesorin e mallkimeve. Vetëm nëse ai nuk vendos të mallkojë të gjithë politikën sepse atëherë ky nuk do të ishte thjesht mallkim, por një bekim i vërtetë për shoqërinë shqiptare.
Une e cmallkoj Neritanin dhe I them te vazhdoje te beje ate qe din me mire Arkeologun!!!
Përgjigju