Vangjeli: Një javë nën shenjën e Damianit dhe kush vallëzoi me Ramën në Vjenë

19 Janar 2020, 11:40| Përditesimi: 19 Janar 2020, 11:43

  • Share

Shtatëditëshi i tretë i këtij fillimviti është shumë i çuditshëm. I çuditshëm sipas parametrave shqiptare, në fakt. Pikërisht sepse është javë krejtësisht normale. Papritur, ajo që kishte nisur gjysëm në fshehtësi, së paku që nga tetori i vitit të kaluar, projekti që u tendos, u nxit, por edhe u vonua nga tërmeti i nëntorit, u vu në skenë këtë javë, pothuaj pa paralajmërim. Pakkush dinte për kontaktet pothuaj informale të Damianit të socialistëve dhe Oertit të demokratëve. Çifti i juristëve politikë u ritakua në rrethana të tjera për të njëjtin hall, njëlloj si para tetë vjetësh. Fryma që vinte nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, nga Delegacioni i BE-së dhe ambasada Britanike, tre lojtarë ndërkombëtarë, ju dha goxha “kurajë” lojtarëve lokalë. Pas tyre si hije, por shumë përpara tyre si mendim dhe veprim, Rama dhe Basha, dhe më tej edhe zonja Kryemadhi, lanë mënjanë hushtat e luftëtarit dhe morën në dorë zdrukthin e marangozit; latuan cep për cep tryezën e rrumbullaktë të reformës zgjedhore. Duke lënë në cep edhe Rudinën. Deri në këtë moment, e rrumbullaktë ishte dhe trajektorja e opozitës në harkun e një viti: nga përbetimet për largimin e Ramës dhe Damianit tek molotovi opozitar kundër mureve të qeverisë, nga gazi lotsjellës i qeverisë mbi mbështetësit e opozitës tek gazi i përmbajtur përballë kamerave që prisnin haberin. Për një vit rresht opozita bëri xhiro dhe bitisi aty ku u nis, njëlloj si gjysma e trafikut kaotik të Tiranës që i vjen rrotull Zogut të Zi. Nga janari në janar gjithë çfarë ajo bëri, përveç kohës që humbi pa kthim, shërbeu vetëm për t’i dhënë shkëlqim komisionit të Damianit. Dhe për të errësuar akuzat që i bëheshin po Gjiknurit nga opozita. Ndoshta edhe pse ish-ministri gjysëm i heshtur socialist, nuk është vetëm zgjedhje e Ramës, por dhe një darovitje sa e të shkuarës së tij, aq edhe e atyre që pritet të vijnë në Tiranë për të folur në anglisht.

Nuk ka asgjë të re në çfarë ka ndodhur. I të njëjtës formë ka qenë dikur edhe rrugëtimi i ish-opozitës socialiste në vitin e largët 2011, kur mbasi e vranë në Bulevard, mbasi i vodhën fitoren në tavolinë, ajo u ul po në tavolinë. Vendosi të  kyçet në sistem dhe për të kërkuar triumfin apo dështimin pikërisht brenda sistemit. Kush dëgjonte atëherë akuzat e duetit socialist Rama – Gjiknuri, nuk do të gjejë asnjë ndryshim nga e qara e sotme me ligje e çiftit demokrat Basha – Bylykbashi. Sepse politika në Shqipëri së paku e ka vërtetuar më shumë se njëherë se ajo vetë është edhe e rrumbullaktë, edhe maja-maja, mbi të cilat ulet e ulërin opozita e rradhës e kërrusur nga pushteti i rradhës dhe plot komplekse viktime nga i njëjti pushtet. Kjo është vetëm një nga shumë arsyet që nuk i ndryshojnë kësaj jave janari atë që ka ndodhur rregullisht në Shqipëri. Thelbi është i njëjtë, forma ndryshoi në fare pak detaje. Kryesisht në sjelljen e Bashës dhe të njerëzve të tij, të cilët nga muskujt e enjtur të një viti më parë, tani demonstrojnë kapriçiot normale të një adoleshenteje nën klithmë hormonesh. Si një gjimnaziste të llastuar, që mbasi pati një “dramë dashurie”, refuzon edhe të puthet se ka frikë se mbetet shtatzanë, opozita ende ka frikë nga ajo që ja ka qejfi të ndodhë, por nuk jam mban ta bëjë të ngjasë.

Vetë kryeministri që është edhe ministri i jashtëm i dekretuar i Shqipërisë, ka pasur shumë fat me Vjenën e OSBE-së. Vjena është fati real i Ramës, ndërsa valsi është mbret në Vjenë; edhe pse askush nuk mund të thotë se kush ka qenë partneri në vallëzim me princin me dy mandate të Tiranës, vallëzim që ngrohu papritur motin politik të atdheut.

Hamendësimet janë shumë, por një gjë e vetme është e mjaftueshme për të vënë bast kësaj here: fati ndihmon gjithmonë më të fortin! Por edhe atë që di të ndalet përpara se të thuhet fjala e fundit. Në politikë ajo duhet kursyer patjetër. Sepse në politikë esktremet puqen gjithmonë dhe halli i përbashkët të çon të puthesh me Damianin në Tiranë dhe të kërcesh vals në Vjenë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?