Varfëri dhe sëmundje, jeta në mjerim e familjes Markaj në Shullaz të Kurbinit! Kryefamiljari i pa punë, gruaja merr pension invaliditeti vetëm 625 lekë në muaj

21 Nëntor 2023, 16:46| Përditesimi: 21 Nëntor 2023, 17:19

  • Share

Familja Markaj në fshatin Shullaz të Kurbinit jeton në kushte të mjerueshme. Përpos varfërisë së tejskajshme, mungon dhe kujdesi për fëmijët e moshës 12 dhe 16-vjec, pasi nëna e tyre, Valbona vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ajo është diagnostikuar me çrregullime të spektrit bipolar. Ndërsa kryefamiljari, Pjetër Markaj nuk ka një profesion por përpiqet të punojë në të zezë, kur gjen punë.

Në shtëpinë përdhese e me lagështi nuk ka asnjë orendi. Frigoriferi është bosh dhe dollapët pa ushqime.

Prej 8 vitesh, Valbona Markaj është diagnostikuar me ҫrregullime të spektrit bipolar. Ky eshte dokumenti qe vërteton se invaliditetin, lëshuar nga Komisioni Mjekesor i Caktimit te Aftësisë në Pune, më 1 Prill të vitit 2015. Çdo vit Valbona Markaj ka dalë në KMCAP dhe është vlerësuar e paaftë për punë. Vërtetimi i fundit është lëshuar më 22.02.2022 nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, dega Lezhë ku thuhet se Valbona Markaj plotëson kushtet për të përfituar pension invaliditeti sepse vuan nga çrregullimi bipolar. Shuma që ajo përfiton është qesharake dhe e turpshme! Vetëm 625 lek në muaj, vërtetuar nga ky mandat arkëtimi që mban datën 1 nëntor 2023.

“Për mua është e vështirë, për të punuar dhe për tu kujdesur për gruan e sëmurë. Kam dy fëmijë, njëri në vitin e dytë gjimnaz dhe tjetri në klasën e 7-të. Nuk kam çfarë tu jap për të ngrënë. Me bukë thatë e herë pa bukë...Gruaja merr 6 mijë lek (të vjetra) në muaj. Është e pamundur për të jetuar”, tha kryefamiljari, Pjetër Markaj.

Kryefamiljari Pjetër Markaj lutet për ndihmë. E ka të pamundur të kujdeset për bashkëshorten e sëmurë, që hera herës ka sjellje të dhunshme me të dhe fëmijët.

“Është agresive. Ka raste që 2-3 netë nuk vëmë gjumë në sy. Bën 2 gjilpëra në muaj, por nuk ka përmirësim. Unë nga Shteti kërkon të më japë pagesën e kujdestarisë ose ta marrë vete Shteti e të kujdeset për të”, tha Pjetër Markaj.

Gjatë një bisede telefonike me REPORT TV, drejtori i sigurimeve shoqërore ne Lezhë Taulant Malshi tha se “pagesa e invaliditetit jepet ne baze te kontributeve shoqërore dhe Valbona Markaj rezulton me 3 muaj punë. Kësisoj ligji parashikon pension me vlerë 625 lek në muaj”. Ai thekson se “Valbona Markaj ka dorëzuar së fundmi edhe një vërtetim për fëmijët ndaj pagesa mujore pritet t’i shkojë 1100 lek në muaj”.

Krahas pagesës së invaliditetit, familja Markaj trajtohet nga bashkia Kurbin me ndihmë ekonomike 6 mijë lek në muaj, shumë e pamjaftueshme për të siguruar jetesën.

Përmes mikrofonit të REPORT TV, kryefamiljari Markaj kërkon nga institucionet shtetërore rritjen e pagesës së invaliditetit për bashkëshorten si dhe përfitimin e  kujdestarisë. Po kështu nga donatorët privatë ndihmë për ushqime, pasi është i vetëm përballë kësaj drame! 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?