Kiril Petkov dhe Assen Wassilew

Opinion

Vegjetimi i partive të vogla tek ne dhe shembulli bullgar me 'Djemtë e Harvardit'

28 Nëntor 2021, 19:26| Përditesimi: 28 Nëntor 2021, 19:33

  • Share

Pothuaj ka kaluar pa asnjë përshtypje ajo që ndodhi me zgjedhjet bullgare në Shqipëri, megjithëse mund të përbënte një shembull të mirë, sesi mund të imponoheshin partitë e vogla në një skakierë politike, ku domeni i vetëm ndërron dorë herë te PS dhe PD. Dhe, ndaj ndodh që një pjesë e kryetarëve të sotëm të këtyre partive, një pjesë që e mbajnë vulën e partisë prej vitesh kanë ndërruar në interesa duke u ofruar herë njërës dhe herë tjetrës parti. Shembujt janë të tepërt. Zgjedhjet e fundit rezultuan fatale për një pjesë të tyre. Partitë e vogla janë bjerrur frikshëm, një pjesë po dalin fare nga loja politike, kurse të vetëm kryetarë partish i janë ngjitur pragmatikisht listës së PD-së.

Një nga arsyet kryesore që partitë e vogla tek ne nuk kanë rezultat është se formohen ose intensifikojnë punën vetëm pak muaj para zgjedhjeve, kurse një pjesë janë produkte që shkëputen apo kanë qenë eksponentë të dy partive kryesore ose administratave të tyre. Që do të thotë se publiku menjëherë të ketë një pritshmëri të ulët, sepse i identifikon me PS dhe PD. Për hir të së vërtetës, në antropologjinë tonë politike, njerëzit votojnë individin dhe jo ideologjinë apo frymën që do të krijojë. E provuan me këtë rast Topalli dhe Patozi, më parë Spahiu, Bojaxhi e Blushi, e më parë akoma Gjinushi me Cekën por në fund: njerëzit duan qeverisjen nga një prej dy partive e cila e ka pushtetin e garantuar dhe po ashtu premton sidomos në mandatin e parë që të bëj reforma të garantuara.

Mungesa e rotacionit në parti, demokracia e brendshme dhe mbi të gjitha mos drejtimi si duhet i fashës ideologjike i bën sot Demokristianët e Ndokës që të jenë të ndarë në parti të tjera, PBDNJ të lëshojë pe edhe në bastionet e minoritetit dhe me radhë.

Në pasqyrën politike askush nuk ka kurajën të shikojë veten sepse ajo i nxjerr ashtu si janë. Parti, ku kryetari ka profesion vetëm të drejtojë dhe të gjej vendin e vet në listat fituese.

Bullgaria me një nivel demokracie jo shumë larg Shqipërisë, koha i dha disponim në një drejtim tjetër. Bash në atë që publiku e kërkon edhe në Shqipëri: Besimin te njerëzit e shkolluar dhe teknikë. Kiril Petkov dhe Assen Vassilev, dy protagonistët e zgjedhjeve të fundit, u takuan me njëri-tjetrin gjatë studimeve në Harvard Business School, ku morën respektivisht titullin MBA në 2007 dhe 2008.

Partia e re politike e themeluar nga dy të diplomuarit nga Harvardi dhe ku Petkov pret të marrë pushtetin në Bullgari pas fitores së saj në zgjedhjet parlamentare të vendit të 14 nëntorit, u drejtua në konkurrim me një platformë kundër korrupsionit, ku kuptohet se u cilësuan shumë kredencialet e tyre në Harvard.

Në Shqipëri, sot, ka shumë që pretendojnë se kanë shkolla të huaja prestigjioze, por askush nuk po mundet të çajë bllokun e dy partive kryesore. Pa shumë bujë, lëvizja e dy bullgarëve “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” u krijua pak kohë përpara zgjedhjeve të treta në Bullgari të vitit 2021, që synonin një qeveri pas dy zgjedhjeve të dështuara më parë. E veçanta ishte se të dy iu dha një dorë, këtë vit, pas zgjedhjeve të para parlamentare të Bullgarisë (u bënë tre syresh brënda vitit 2021) që u rrëzuan nga ish-kryeministri Bojko Borisov. Petkov dhe Vassilev shërbyen së bashku në një qeveri të përkohshme, ku respektivisht Petkov shërbeu si ministër ekonomie dhe Vassilev shërbeu si ministër financash. Duket se emri Harvard i shkonte pas teknicienëve, që në fakt do t’i hapte dhe telashe. Ata kishin një diplome MBA dhe jo një diplome të Kolegjit të Harvardit, që çoi në konfuzion, sepse kur u verifikua tek sekretariati i universitetit u kthye përgjigje se: ata nuk ishin pjesë e Universitetit. Drama ishte se kolegët tanë gazetarë bullgarë nuk e kuptonin diferencën mes një diplome MBA dhe një të Kolegjit të Harvardit. Djemtë u shprehën thjesht dhe me pika sesi mund të bënin ndryshimin, madje duke treguar sesi vendi i tyre do rregullonte sërish pikëtakimin me BE-në.

Dhe të vijmë në rastin tonë: Nëse do kishte rotacione në partitë tona, do sillnin të tillë emra si kryetarë apo nëse vetë ato krahas vijave ideologjike do të ofronin studentë të tillë dhe me të tillë mastera, Shqipëria do të ishte ndryshe. Por për këtë nuk ka zë te partitë tona, që kanë zënë ndryshk. Dhe, justifikimi është gati. E provuan kushedi sesa dhe nuk bënë gjë!

Ndaj, ndodh që asnjë nga partitë e vogla nuk bëjnë analiza paszgjedhore dhe nuk tregojnë sesa elektorat kanë më. Kanë një justifikim të mirë se i vjedhin të Mëdhenjtë, bash atyre që ua falin, sepse rëndësi kanë vetëm emrat e kryetarëve të tyre dhe jo interesat e partisë apo fashat e shoqërisë të cilat kanë marrë përsipër të përfaqësojnë. Bullgarët i treguan të gjithë Lindjes një mundësi ndryshimi, tashmë, varet nga ne sesa do ta përthithim. Nëse nuk do e kuptojnë kryetarët (ka fare pak gjasa) le ta kuptojë elektorati, që të votojë të rinjtë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?