Veliaj mbledh Asamblenë e PS-së Tiranë: Sulmohemi nga ata mbi ballkon a paralele! E shohin shtetin për ta shqyer, habiten që ne shkojmë në SPAK

9 Maj, 11:54| Përditesimi: 9 Maj, 14:48

  • Share

TIRANE- Drejtuesi politik i PS-së së Tiranës, Erion Veliaj mblodhi asamblenë e PS-së të këtij qarku për të filluar përgatitjet për betejën për të fituar zgjedhjet  parlamentare, që do të mbahen vitin tjetër.

“Askush të mos ketë asnjë dyshim, ky nuk është një ushtrim politik, kjo nuk është një stërvitje për nxehje, por kjo është përgatitja për fitoren e Edi Ramës dhe PS-së në vitin 2025, siç i ka hije PS dhe siç i ka hije Qarkut të Tiranës, që do të jetë vendimtar se sa e fortë dhe sa bindëse do të jetë fitorja jonë, për t’i pasur duart e lira, një mendje të lirë, për të mos u penguar nga askush, për të mos u kapur peng nga asnjë parti e vogël dhe me aleanca problematike të së kaluarës, por për ta qeverisur Shqipërinë drejt vizionit 2030, me vota që vijnë nga vullneti i lirë i qytetarëve të Shqipërisë, por sidomos i qarkut tonë, që prodhon edhe numrin më të madh të mandateve për deputet”, tha Veliaj para asamblesë mbajtur dje. 

Ai shtoi se Partia Socialiste nuk është perfekte, por ajo sigurohet që, nëse një organizëm i saj ka një problematikë, ta korrigjojë dhe ta shërojë atë, për të vijuar përpara me punë.

“Familja jonë nuk është perfekte! Organizmi ynë nuk është perfekt, njësoj si organizmi i secilit prej jush këtu. Në organizmin tonë ka pa fund anomali, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Nëse je realist dhe kupton se, po, një organizëm mund të ketë probleme të tilla, dhe siç heqim një dhëmballë, siç ndërhyjmë për një problematikë që kemi në organizmin tonë, është shumë e rëndësishme, jo ta mohojmë atë, jo ta mbrojmë dhe të hiqemi sikur jemi imunë, por të sigurohemi që ta korrigjojmë atë problamtikë në organizimin tonë, ta adresojmë, dhe patjetër ta mjekojmë dhe ta shërojmë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se pala tjetër sulmon sepse po shkon nga humbja në humbje të njëpasnjëshme. Sipas tij, ata habiten se si Partia Socialiste ka aftësi vetëkuruese, reflektuese, vetëshëruese, për të përfaqësuar në mënyrë të dinjitetshme Shqipërinë.

“Pala tjetër na sulmon, por ata nuk dinë të përgatiten, nuk dinë të bëjnë një program, nuk dinë të thonë një gozhdë që kanë ngulur në Tiranë, nuk dinë të thonë një ndryshim që kanë sjellë në Shqipëri. I shikon ose mbi ballkon ose mbi paralele dhe i bën pyetje vetes: Çfarë ka bërë ky njeri për qytetin tonë? Ku është një vend që këta kanë vënë dorë dhe kanë sjellë një ndryshim që ka përmirësuar jetën time? Ata, në fakt, na sulmojnë sepse nuk e kanë dot qëndrimin tonë ndaj drejtësisë. Qëndrimi ynë ndaj drejtësisë është ai që kemi patur që në vitin 2013 kur erdhëm në qeveri dhe morëm në administrim punët e një Shqipërie që ishte lënë rrugëve, të një Tirane që kundërmonte erë. Ata nuk tronditen nga arritjet tona sepse arritjet tona i kanë bërë edhe ata të jetojnë më mirë sot. Edhe ballkonit ku ai mallkon çdo natë, i është trefishuar vlera e pronës; edhe paralelja ku gajasemi çdo mëngjes, në gjithë atë zonë kodrinore i është katërfishuar vlera e pronës, sapo mbaroi pjesa e unazës dhe infrastruktura në Lagjen 13. Ata, në fakt, pataksen nga mënyra se si ne e shohim shtetin. Ata shtetin e shohin për ta shqyer, ndërkohë që ne themi shteti ka disa struktura që bëjnë punë, ka disa struktura që kontrollojnë punën e atyre që i bëjnë këto punë dhe nëse ka një anomali është mëse normale që, si çdo organizëm, do duhet ta adresojë atë. Ata habiten që ne shkojmë në SPAK, ata habiten që ne duartrokasim drejtësinë”, tha Veliaj

Lajmi ne perditesim...

Ora 12:11
Asambleja e PS së Tiranës, Veliaj: PS i ka hapur derën çdo të riu, çdo votë do të respektohet njësoj

 

Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun, Erion Veliaj tha se 30% e anëtarësisë socialiste janë të rinj dhe 47% gra dhe vajza. Ai theksoi se turin e dytë të anëtarësimeve në PS, në parti do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë të gjitha moshat dhe kategoritë.

“Jam vërtet mirënjohës për të gjithë ata djem dhe vajza që na janë bashkuar dhe më vjen mirë që, më në fund, 30% e anëtarësisë sonë përbëhet nga të rinjtë, ashtu siç e kërkon statuti ynë. Jemi thuajse perfekt me 47% të anëtarësisë gra dhe vajza, për të cilaat kam një falenderim dhe një mirënjohje të veçantë. Jemi shumë, shumë afër dhe jam i sigurt që, me valën e dytë të anëtarësimeve deri në fund të vitit, ne do të kemi vërtet një PS që është realisht si një familje tipike shqiptare, me burra dhe me gra, me djem e me vajza, me gjyshërit dhe me gjyshet që e kanë mbajtur këtë parti në ditët më të vështira të saj”, deklaroi Veliaj.

Ai theksoi se PS është e vetmja parti që i ka hapur derën çdo të riu, pa e pyetur për prejardhjen. Veliaj i ftoi të gjithë anëtarët socialistë të votojnë në zgjedhjet që do të mbahen në të gjitha bashkitë e vendit ditën e nesërme, dhe vota e gjithësecilit do të respektohet njësoj deri në minutën e fundit.

“Partia Socialiste është e vetmja parti që i ka hapur derën çdo djali dhe çdo vajze, pa e pyetur për babanë, për mamanë, pa e pyetur nga je, pa e pyetur për gjendjen civile, por thjesht duke i thënë ‘jepi, forca, bravo të qoftë’, ‘nëse do të punosh për këtë familje, do të marrësh mbështetje’. Zgjedhjet mbahen të premten në datën 10 maj, nga ora 15:00 deri në orën 19:00. Aty ku do të ketë radhë do u kërkojmë të gjithëve të respektohet, derisa të votojë votuesi i fundit. Pastaj, kutitë e votimit do të rihapen sërish të shtunën në 11 maj, nga ora 8:00 deri në 16:00”, njoftoi Veliaj.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?