Kujtim Çashku dhe Erion Veliaj

Politikë

Veliaj në festivalin 'Marubi' kushtuar Ukrainës: Bashkë me Kliçkon mblidhemi në Pragë për rindërtimin e qyteteve të shkatërruara nga lufta

25 Shtator 2022, 14:54| Përditesimi: 25 Shtator 2022, 14:59

  • Share

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri mbylli mbëmë edicionin e 17-të të tij, me një dedikim të veçantë për luftën në Ukrainë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij në ceremoninë përmbyllëse shprehu mirënjohjen e tij për drejtuesit e festivalit, të cilët e kanë kthyer zonën e Kinostudios me Akademinë e Filmit Marubi në një pol të rëndësishëm kulturor. 

“Këtu jemi në Kinostudio, të cilën e kam pasur ëndërr të jetë një qendër graviteti e qytetit, por të tillë e bën fakti kur ndodhin aktivitete. Ju falenderoj për këtë festival! Shkolla Marubi është kthyer në një pol edhe para se të vinte autostrada, edhe përpara se të vinte sinjalistika, edhe përpara se të vinte ujësjellësi dhe ju jam shumë mirënjohës për këtë. Jam shumë i bekuar sot që keni vendosur t’ia dedikoni festivalin një ngjarjeje që po ndodh shumë pranë realitetit dhe historisë tonë, siç është kauza e Ukrainës”, tha kreu i Bashkisë.

Veliaj u shpreh se Ukraina dhe procesi i rindërtimi i pasluftës do të mbledhë në Pragë kryetarë bashkish nga e gjithë bota, për të dhënë ndihmën e tyre konkrete në këtë moment të vështirë. 

“Të hënën do të takoj Vitali Klitçkon [kryebashkiaku i Kievit] në Pragë, ku kemi krijuar një koalicion me kryetarë bashkie. Tirana është bashkia simotër e Bashkisë së Kharkivit. Kharkivi, siç e dini, është qyteti që po bombardohet më shumë për momentin. Kemi filluar që tani të mendojmë për pjesën e rindërtimit atje. Bashkia e Tiranës ka kaluar një buxhet për të ndërtuar kopshte, shkolla dhe çerdhe në Kharkiv; pra, në zonën më të goditur nga sulmet dhe agresioni rus. Në Pragë do të kemi një konferencë për të gjithë kryetarët e bashkive, që, ashtu siç Tirana vendosi të japë disa fonde, të kemi bashki të tjera që marrin përsipër rindërtimin në qytete të tjera ukrainase,” u shpreh ai. 

Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, u shpreh mirënjohës që Festivali iu kushtua luftës në Ukrainë. “Jam shumë i prekur që ky festival iu kushtua Ukrainës dhe jam jashtëzakonisht mirënjohës që u bë lidhja midis Festivalit të Ukrainës gjatë këtyre ditëve. Si ambasador, unë kam mjaft informacione mbi atë që po ndodh në Ukrainë, por perceptimin real unë e marr nga njerëzit e thjeshtë, nga ata që i kanë mbijetuar luftës dhe ju siguroj që ndryshon tërësisht perceptimin tonë për të mirën e të keqen. Marr të dhëna për Bucha-n, Mariupol-in, dhe e di tmerrin që po përjetojnë civilët në ato zona. Sot jemi në ditën e 230 që nga fillimi i luftës dhe njerëzit në Ukrainë besojnë te fitorja,” tha mes të tjerash Shkurov. 

Në fund të ceremonisë përmbyllëse u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të viktimave të luftës në Ukrainë. Festivali për herë të parë u shoqërua me një ekspozitë fotografike, me foto nga Lufta në Ukrainë, realizuar në bashkëpunim me ambasadën e Ukrainës në Tiranë. Në këtë edicion ishin përzgjedhur 37 filma prej 3200 aplikimeve nga e gjithë bota.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?