TIRANË- Sot, me rastin e festës së Kurban Bajramit, Bashkia Tiranë ka shtruar një drekë e veçantë për të moshuarit dhe personat në nevojë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shërbeu drekën festive të moshuarve në një prej qendrave sociale pranë ish-Nesharakut.
Teksa uroi të pranishmit për Kurban Bajramin, Veliaj tha se, “sot duhet ta kemi zemrën plot mirënjohje për ata që sakrifikuan në luftën kundër Covid 19.
Kryebashkiaku tha se në të gjithë qendrat sociale të Tiranës ka plot vend për të mirëpritur të gjithë ata të moshuar që kanë nevojë për një vakt të ngrohtë. Ai dha lajmin e mirë se në Tiranë do të shtohen qendrat sociale.
“Nëse ka të moshuar të tjerë, siç është ky komuniteti ynë këtu, që kanë nevojë për ndihmë, bujrum të vijnë këtu. Nëse keni edhe në komunitetin tuaj, keni komshinj, si në qytet dhe në fshat, që janë nevojtarë, hajde ta zgjidhim. Do bëjmë më shumë qendra të tilla sociale. Sot më vjen mirë që pavarësisht se tërmeti na prishi qendrën në Kombinat, jemi transferuar në ish-Nsharak. Dhe tani që po mbaron qendra në kombinat, është 3 herë më e madhe se ajo që kishim, do të thotë që ne kemi kapacitet për 3 herë më shumë të moshuar, gjyshër dhe gjyshe që t’i trajtomë me respekt”, theksoi Veliaj.
Në fund kryebashkiaku tha se mesazhi i kësaj feste është sakrifica për ata që kanë nevojë dhe lënia mënjanë e egos, xhelozisë apo stërkëmbëshave.
“Për një Tiranë që ecën përpara duke pasur gjithë uratën dhe gjithë mbështetjen tuaj, besoj që thirrja e sakrificës për vitin 2021, është që të sakrifikojmë egon, smirën, xhelozinë, stërkëmbshat. Sot na kërkohet të sakrifikojmë vetëm inatet e vogla, xhelozitë e vogla, të sakrifikojmë thashethemet. Nëse duam të bëhemi një komb i mirë që e ka gojën mjaltë, që i ka duart e arta, që i thotë tjetrit bravo i qoftë dhe jo t’i nxjerrim sytë njeri-tjetrit, atëherë kombi ynë do shkojë përpara”, përfundoi ai.