VIDEO/ Velipojë, zbulohen 6 sera me kanabis, policia 'kap mat' kultivuesit! Parcela dhe në Lezhë, Mat e Krujë

3 Qershor 2023, 10:28| Përditesimi: 3 Qershor 2023, 12:03

  • Share

Policia e shtetit vijon punën për zbulimin e parcelave me kanabis dhe asgjësimin e tyre. Vetëm gjatë ditës së sotme policia ka ndërmarrë 4 operacione në veri të vendit: Velipojë. Lezhë, Mat dhe Krujë. Në total janë asgjësuar 1528 rrënjë kanabis!

  Velipojë, kultivuesit "kapen mat"

Policëve u është dashur të shkojnë me barkë, herët në mëngjes, në fshatin Baks të Velipojës aty ku kultivuesit kishin ngritur sera dhe kultivonin bimën narkotike kanabis

Serat ishin ngritur pranë njëra tjetrës, dhe dy të rinj, fshatarë të zonës kujdeseshin për ta. Pikërisht në momentin kur po hiqnin plasmasin e serave që bimët të ekspozoheshin në diellin e mëngjesit janë kapur mat nga policia.

Policia kishte pasur indicie për serat me kanabis ku ishin kultivuar 270 bimë të dyshuara kanabis sativa. Pas disa javësh hetime proaktive dhe monitorim me dron i lëvizjeve të autorëve ndërmori operacionin e koduar “Baks2”

Të arrestuar janë  Oraldo Jaku, 33 vjeç dhe Luigj Shenja, 28 vjeç të dy banues në fshatin Baks, Velipojë.

“Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke zbuluar nga plasmasi miniserat, të cilat gjatë natës i mbulonin me plasmas” informoi sot policia e Shkodrës.

Grupi hetimor sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të bimëve narkotike dhe prova të tjera që do ti shërbejnë hetimit, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies.

Më herët në kuadër të operacionit policor të koduar “Baks 1”,  u vu në pranga një 19-vjeçar dhe u sekuestruan 2 armë zjarri (1 armë zjarri pistoletë dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak.  

Ora 11:16
Operacioni anti-drogë në Lezhë, asgjësohen 600 bimë kanabis në disa fshatra! Autorët nuk dihen ende

 

Në fazën e dhjetë të operacionit anti-drogë të zhvilluar në disa zona të qarkut Lezhë, uniformat blu kanë zbuluar 600 bimë kanabis, kultivuesit e së cilave nuk janë identifikuar ende.

Dronët kanë zbuluar disa parcela me kanabis në territorin e fshatit Kaluer, Lezhë, ku u gjetën të kultivuara në tokë të ndara në parcela 300 bimë kanabis si edhe në fshatin Gërnac, Kurbin, u gjetën të kultivuara në tokë në zonë të pyllëzuar, 300 bimë të tjera narkotikë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Policia e Lezhës dhe Prokurorinë Lezhë, po vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

“Gjatë 9 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshëm të qarkut, u asgjësuan me anë të djegies në total 14.779 bimë narkotikë dhe u vunë në pranga 3 shtetas si dhe u shpall 1 tjetër në kërkim, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale”-njoftimi policisë.

Ora 11:07
Zbulohen 16 parcela ma drogë në fshatrat e Krujës, asgjësohen 494 rrënjë kanabis

 

494 fidanë me kanabis sativa janë asgjësuar në fshatrat e Krujës. Në kuadër të operacionit ‘Territori i pastër’ u zbuluan 16 parcela me bimë narkotike në fshatrat Brret dhe Picrrage, Krujë, 16 ambiente të hapura ku kultivoheshin bimë narkotike.

Fidanët dhe bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies, përveç një pjese të vogël që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Zbulimi i parcelave u krye nga efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë, të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe të FNSH Tiranë, të cilët kanë krye rkontrolle në zona të pyllëzuara të rrethit, të asistuar edhe nga përdorimi i dronëve.

Në kuadër të 10 fazave të këtij megaoperacioni janë asgjësuar 6868 bimë narkotike cannabis sativa. Komisariati i Policisë Krujë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Kontrollet kundër kultivimit të bimëve narkotike, vijojnë në të gjithë territorin e rrethit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike".

Ora 10:59
Zbulohen sera me lëndë narkotike në Mat, asgjësohen 164 fidanë kanabis! Në kërkim 44-vjeçari

164 bime narkotike kanabis janë asgjësuar me anë të djegies në Mat. Lënda narkotike u zbulua në vendin e quajtur "Maja e Manjolës",  në fshatin Selicë.

Policia ka shpallur në kërkim Flamur Elezajn, 44 vjeç, banues në Krujë, si autori i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin vijojnë kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë kontrollit në automjetin që përdorej nga ky shtetas, ju gjet një shumë lekësh dhe eurosh, që dyshohet janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor antikanabis i koduar “Kreshta të pastra”, vijon.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?