Velipojë, aksion për ndarjen e parcelave të plazhit! Policia zbarkon mes pushuesve, kontroll bizneseve

12 Qershor 2023, 11:52| Përditesimi: 12 Qershor 2023, 15:54

  • Share

SHKODËR- Agjencia Kombëtare e Bregdetit së bashku me Bashkinë e Shkodrës, Prefekturën dhe mbështetjen e Policisë së Shtetit zbarkuan në plazhin e Velipojës në aksion për të monitoruar ndarjen e stacioneve të plazhit.

Me metër në dorë policët dhe punonjësit e administratës u futën në mes të pushuesve, duke krijuar jo pak shqetësim.

“Kurrë më nuk vij këtu! Sa policia, sa dreqi e biri! Më shqetëson unë jam 73 vjeç dhe askush nuk kërkon falje”, tha një pushues nga Kosova. Ndërsa një tjeter shprehet se “nuk shqetësohet pasi shteti duhet të bëjë detyrën”.

Ata ndeshën në kundërshtimin e pronarëve, të cilët thanë se ky aksion po dëmton turizmin.

“Ne kemi hartën, kemi dokumentet, normal që kontrollet në nisje të sezonit e dëmtojnë turizmin”, tha një grua që disponon lejen për plazh privat.

Ndërsa prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni që monitoroi nga afër aksionin tha se nis nga ky vit licensat e reja do të jepen me afat të shkurtër, një vjeçar.

“Aplikimi për të marrë licencën është hapur që në nëntor që kanë pasur kohë të mjaftueshme bizneset për të shikuar mirë vendndodhjen. Aktualisht janë 30 subjekte me license 5-vjecare ndërsa nga ky vit e në vazhdim licencat për plazhet private do të jepen me afat 1 vjeçar”, u shpreh ajo.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Bashkia Shkodër janë në total 65 kontrata për stacione plazhi ne të gjithë vijën e plazhit në Velipojë, ndërkohë që aksioni konsiston në shqyrtimin e dokumentacionit dhe matjen e parcelave për shfrytëzimin e hapësirave të plazhit.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?