Vendimet korruptive/ 3 skenarët për të goditur grupin 'KÇK' në drejtësi

18 Tetor 2019, 07:26| Përditesimi: 18 Tetor 2019, 12:18

  • Share

TIRANE- Një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh, të vetëdijshëm për pamundësinë e kalimit të Vetingut, për shkak të pasurive të pajustifikuara me të ardhura të ligjshme dhe komprometimit të figurës, po shfrytëzojnë maksimalisht kohën që u ka mbetur, duke bërë kërdinë në drejtësi, me vendime arbitrare dhe dukshëm korruptive. Duke përfituar edhe nga mungesa e konstituimit të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ky grup magjistratësh po bën qokat fundit, duke sabotuar aksionet anti-informalitet, goditur investitorë të huaj, favorizuar kompani të ndryshme, duke liruar nga burgu të akuzuar për vrasje etj. Meqenëse gjyqtarët dhe prokurorët e lartpërmendur shërbejnë shkallën e parë dhe të apelit të gjyqësorit, përballja e tyre me Vetingun mund të zgjasë në kohë deri në vitin 2026. Numri i njerëzve të drejtësisë, të cilët duhet t’i nënshtrohen Vetingut për ligjshmëritë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësive profesionale është rreth 800. Gjatë dy viteve të para të veprimit të ligjit të Vetingut, janë verifikuar 200 gjyqtarë dhe prokurorë, që do të thotë 100 subjekte në vit. Nëse Parlamenti nuk ndërhyn, grupi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, të quajtur ndryshe 'KÇK', 'kap çfarë të kapësh', do të veprojë deri në vitin 2026. Socialistët në pushtet kanë paralajmëruar se do të depozitojnë një ligji të ri special për prokurorët dhe gjyqtarët që janë ende në sistemin e drejtësisë, por që duke e ditur që do të shkarkohen, në pritje të ditës së gjykimit po bëjnë kërdinë me vendime absurde të diktuara nga krimi dhe korrupsioni. Po cilët mund të jenë skenarët për të goditur grupin 'KÇK'?

1. Shtimi i stafit të Vetingut

Një zgjidhje e mundshme për të shkurtuar ditët e ‘KÇK’ në drejtësi do të ishte shtimi i stafit mbështetës sidomos për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, organin bazë të Vetingut. Edhe pse Kuvendi, një vit më parë, i shtoi Komisionit të Pavarur i Kualifikimit 14 punonjës, nga 17 që kërkoi KPK, ngarkesa e Komisionin vijon të tejkalojë çdo parashikim. Një kërkesë e vetme për informacion ju dërgohet 36 organeve, ku përfshihen bankat, degët e tatimeve, zyrat vendore te regjistrimeve te paluajtshme, ILDKPKI, Prokuroritë, degët e ALUIZNI-it, etj. Dhjetëra mijëra dokumentet duhet të shqyrtohen. Disa gjyqtarë të Apelit ka nisur verifikimi prej më shumë se një vit, ndërsa nuk kanë dalë ende para Komisionit për t’u njohur me rezultatet. Shtimi i këshilltarëve ekonomikë dhe ligjor të KPK mund të përshpejtonte procesin.

2. Ndryshimi i ligjit të Vetingut

Ndryshimi i ligjit të Vetingut sa i takon përparësisë për t’iu nënshtruar verifikimit të trefishtë mund të ndalonte ‘reprezaljen’ e ‘KÇK’-së në gjyqësor me vendime absurde. Në ligjin e Vetingut përparësia për t’iu nënshtruar kontrollit vijon nga nivelet më të larta në nivelet më të ulëta. Ishte ky parashikim që boshatisi fillimisht Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi mund të ndërhyjë sa i takon listës së përparësisë për të kaluar në Veting, duke përfshirë grupin ‘KÇK’ si përparësi.

3. Ngritja me shpejtësi e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Por, ky institucion nuk është ngritur ende. Sipas parashikimeve të ligjit nr. 96/2016, Inspektorati i KLD ishte struktura kompetente për të hetuar shkeljet disiplinore deri në krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Por, KLD tashmë është shkrirë, duke i zëvendësuar me Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili ka kompetenca të tjera. Aktualisht nuk ka një institucion që të shqyrtojë ankesat për vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ngritja dhe funksionimi i me shpejtësi i Inspektorit të Lartë i Drejtësisë do të mundësonte procedimin disiplinor te anëtarëve të ‘KÇK’-së.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • kpkezhulit: 18/10/2019 13:39

    kpk e zhulit qe konfirmoi donika prelen artur malajn...besim hajdarlegenin, karstriot kryemaskarain...shume shpejt edhe xhin xhonin dhe na rrofte reforma dhe 4 mil leke qe marin keta ndyresira nga taksat tona! KÇK jane keta qe lejojne te ndodhe nje gje e tille...!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?