‘Vendoret’, Çollaku: PD para testit historik, nëse s’ka bashkim të gjithë fajtorë! Shkoj me Berishën po fitoi në Apel, por ç'do bënte kampi tjetër?

6 Tetor 2022, 20:35| Përditesimi: 6 Tetor 2022, 20:59

  • Share

Zgjedhjet e ardhshme vendore do të jenë një test vendimtar por edhe një udhëkryq që mund të shënjojë fatin politik të shumë politikanëve por mbi të gjitha të së djathtës shqiptare. Që Partia Demokratike është përballë një testi historik e deklaron në një intervistë për Report Tv deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku.

Përpara kësaj përgjegjësie historike, sipas Çollakut do të ishin të gjithë fajtorë nëse të dy kampet në PD dështojnë të dalin me një kandidat të përbashkët. Faji mbi të gjitha për deputetin demokrat do të jetë përballë shqiptarëve.

“Mendoj që baza e PD dhe strukturat tona janë në një test historik mençurie dhe pjekurie politike. Sigurisht, ky test kërkon që të anashkalohen, të gëlltiten egoizmat, ambiciet personale, antipatitë e çdokujt për çdokënd. Fitorja e PD në zgjedhje shkon përmes bashkimit, e për hir të fitores, çdo gjë duhet të lihet mënjanë”, shprehet Çollaku.

Primaret e nisura në këto kohë nga Berisha, ai thotë se rrezikojnë që më shumë ta përçajnë bazën sesa të krijojnë një urë bashkimi, përsa kohë në të nuk janë të përfshira të gjitha palët.

Zgjidhjen për rrugën drejt bashkimit e sheh te Apeli, duke thënë se nëse vendos në favor të Berishës, do t’i bashkohet. Është i pari nga deputët që e thotë hapur se vendimi i drejtësisë duhet të jetë fjala e fundit për të gjithë, por ka një dyshim. Pyetja që ngre, është: A do të bënin të njëjtën gjë, deputetët e grupimit tjetër, në rast se gjykata vendos pro pasuesve të Lulzim Bashës, grupimit Alibeaj? Deputeti i Grupit parlamentar të PD komenton edhe takimet e fundit të Berishës me partitë aleate.

Në kushtet kur PD është e përçarë, si po përgatitet grupimi Alibeaj për zgjedhje?
Trokitja e afërt e momentit të ballafaqimit për zgjedhjet e pushtetit vendor me Rilindjen po afron dhe kjo vë në emergjencë gjithë kampin opozitar. Pavarësisht çdo lloj ngjyrosje me aleancat të cilat parimisht nuk kam si t’i kundërshtoj, thelbi i problemeve të opozitës ngelet partia Demokratike, sepse është blloku kryesor që përcakton fitoren. PD ka prej një viti një situatë në një krizë të brendshme, e cila ka 2 struktura, kjo sigurisht është një situatë që është në disavantazh të suksesit elektoral, dhe nuk ka demokrat që nuk e kupton këtë që vajtja në përballjen elektorale me këtë gjendje të partisë Demokratike, që nëse do të rezultonte me 2 kandidatë, praktikisht është humbje e paralajmëruar. Kështu që mendoj që baza e PD dhe strukturat tona janë në një test historik mençurie dhe pjekurie politike. Sigurisht, ky test kërkon që të anashkalohen, të gëlltiten egoizmat, ambiciet personale, antipatitë e çdokujt për çdokënd. Fitorja e PD në zgjedhje shkon përmes bashkimit, e për hir të fitores, çdo gjë duhet të lihet mënjanë. Mendoj që nëse këtë test të madh historik, e kalojmë, duke shkuar drejt bashkimit dhe daljes të paktën si PD me kandidaturë unike do ishte hapi i parë drejt suksesit.

Kush po i pengon dy palët në PD që të ulen me njëra tjetrën, sepse të dyja bëjnë thirrje për bashkim dhe për daljen me 1 kandidat?
Ne fatkeqësisht gjatë gjithë këtij viti dështuam për të gjetur një zgjidhje dhe për ta mbajtur të bashkuar partinë. Ngjarjet qenë dramatike, hera herës me shumë ngarkesa emocionale, me tejkalime fjalori e akuza të brendshme që nuk janë krenari. Çështja vajti në gjykatë, edhe kjo nuk është një gjë që na bën nder e krenari por ne pamundësinë e gjetjes së dialogut të brendshëm, shkohet në gjykatë. Kështu që ne jemi në pritje të një verdikti përfundimtar, që sido që ta japi, gjithsesi do të japë një zgjidhje, jo bashkimi, por rrugën ku duhet ecur drejt bashkimit. Dhe çfarëdo verdikti të japë, duhet të jetë rruga ku duhet të nisë një punë intensive për ta bashkuar PD, një force politike 32-vjeçare që nuk meriton këto situata degraduese që kemi parë gjatë këtij viti.

Në pritje të gjykatës së Apelit, a keni kontakte me palët tjetër në mënyrë që edhe nëse nuk është dhënë vendimi i gjykatës të dilni me një kandidat?
Kontakte të natyrës personale ne kemi çdo ditë, ashtu sikurse njerëzit tanë në bazë, kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë. Por sigurisht gjërat që na bashkojnë nuk janë të vogla dhe duhen ballafaquar me realizëm dhe objektivitet. Unë mendoj që verdikti i apelit do të përcaktonte vektorin nga duhet shkuar për bashkimin. Por nuk është në mënyrë automatike bashkimi. Çfarë ne duhet të bëjmë është që të eksplorojmë çdolloj mundësie, jemi të dënuar ta bëjmë këtë, që kandidatët tanë të kenë mbështetjen e të gjitha palëve e të jenë fitues. Mundësi ka dhe duhen eksploruar, kjo kërkon pjekuri dhe mençuri politike dhe të gjithë në fund të fundit jemi përpara një testi të madh historik, nëse do dështojmë, pavarësisht kush do jetë fituesi apo humbësi i luftës së vogël civile së PD, para historisë së Shqipërisë, do jemi humbës dhe të gjithë fajtorë, sepse ne të bashkuar fitojmë, ndërsa të ndarë biem dhe biem të gjithë.

Berisha ka pasur takim me Aleatet dhe janë dakordësuar për një kandidat. Cili është mendimi juaj për këtë aleancë? A është braktisur grupi parlamentar i PD nga aleatët?
Zoti Berisha është në të drejtën e tij që të takojë këdo, por të jemi realistë dhe të ndershëm. Nuk është çështja e kompozimit të koalicioneve, thelbi i krizës së opozitës është ndarja e PD, dhe më besoni kur flitet për ndarje nuk është fjala te ndarja e grupit parlamentar të PD, por një ndarje në çdo strukturë, në seksione, grup-seksione, kjo është e pafalshme nga ana jonë. Kjo sigurisht u krijua po të doni ju, nga mos-përmbajtja e njërës anë për ta futur tensionin e përplasjen në degë. Kam bërë thirrje të panumërta gjatë këtij viti që konfliktin që kemi, mos ta transmetojmë te degët sepse e dija që një ditë do ndahen dhe të ndara do ta kenë të pamundur të fitojnë bashkitë e aq më tepër aksionin politik. Kështu që një vetpërmbajtje që duhet të kishte qenë dhe nga kolegët e mi këtu në qendër nuk ka ndodhur. Pra PD është e ndarë deri në seksionin e fundit, diku më shumë diku më pak, dhe mendoj që për fitoren e opozitës, kjo PD të bashkohet. E pasi të bashkohet sigurisht sa më shumë aleatë janë të ftuar të vijnë, janë të mirëpritur. Por kjo të jetë e qartë, pa u bashkuar PD, koloriti i aleancave dhe fitorja do të jenë në pikëpyetje të madhe.

A jeni të gatshëm t’i bashkoheni primareve të Zotit Berisha në rast se baza jua kërkon?
Unë them se shpallja e primareve, qoftë nga ajo strukturë që drejton zoti Berisha, më duket e nxituar dhe po e them fare hapur pak inatçore mund të krijojë një situatë përçarje në bazë. Unë sigurisht jam në favor të primareve, por në primare duhet të jenë të gjithë komponentët e partisë Demokratike, edhe Berisha edhe ata që e kundërshtuan, primaret janë të hapura, por palët duhet të kenë garancinë e procesit zgjedhor, që mos të përfundojmë pastaj në shifra fantazie si referendumi i 44 mijëve kur ne na rezulton se kanë qenë më pak se 10 mijë e të gjitha me radhë. Pra që një proces të jetë i besueshëm duhet të jenë te gjitha palët të përfshira, sepse është jetike të jenë të përfshira, sepse në një garë nuk është e rëndësishme të fitosh në strukturën e partisë, por të përfshish te gjithë demokratët dhe më shumë se aq. Kështu që mendoj që shpallja në këtë moment ku ende ka paqartësi për procesin gjyqësor, ende nuk ka një formulë për bashkimin e PD, është një lloj fakti i kryer dhe politika me fakt të kryer mund të rezultojë një thelluese e ndarjes dhe jo një urë bashkimi. Kështu që mendoj që primare ok, por në momentin që të gjitha palët të kenë rënë dakord ta pranojmë si proces dhe ta verifikojmë atë.

Ka një thirrje nga Berisha për bashkim, si e shihni këtë thirrje është e sinqertë ajo, dhe a duhet të ngrihet një grup negociator mes dy palëve?
Ne duhet që në betejën parlamentare nuk kemi pse të mos i bashkojmë energjitë, sa i përket thirrjes për tu bashkuar për reformën territoriale. Sa i përket bashkimit të strukturave, nuk mund të thonë me formulën ‘hajdeni pas meje’. Këto thirrjet hajdeni pas meje se është dera hapur por këtu bëhet siç thotë njëri apo tjetri, kjo nuk është formulë bashkimi. Dhe siç e thashë ne dështuam që këtë bashkim ta zgjidhnim me formën e kuvendeve brenda shtëpisë. Çështja vajti në gjykatë, le të presim. Sigurisht që gjykata nuk bashkon, por tregon rrugën. Sa më përket mua, dhe po e them në mënyrë shume të hapur, nëse gjykata njeh zyrtar statutin dhe forumet e Rithemelimit, sigurisht pavarësisht bindjeve që PD e ka jetike marrëdhënien me SHBA dhe për këtë fati i asnjë individi nuk duhet të fuse në konflikt SHBA me PD, por unë nuk shkoj me asnjë sigël tjetër që nuk është e PD. Nëse ata do të njihen  ajo do jetë PD. Pyetja që unë bej, në rast se vendimi i gjykatës do të jetë në favorin tonë, a do të na bashkohen ata që të vazhdojmë një proces rivitaliteti, rikorrigjimi te vetvetes? Unë nuk shkoj në asnjë sigël tjetër, do të rri në PD. Por pyetja është do e bëjnë këtë gjë kolegët e grupit tjetër apo do të krijojnë sigla të tjera e do ti shërbejnë partive të tjera? Kjo është pyetja.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?