Bota

Vera përvëluese e Spanjës: Zjarre, thatësira, vapë zhuritëse

17 Korrik 2022, 18:06| Përditesimi: 17 Korrik 2022, 18:08

  • Share

Në Spanjë vala e të nxehtit ka arritur kulmin, në mbarë vendin janë hapur vatra të shumta zjarri. Vendi po kalon një thatësirë të paparë ndonjëherë dhe temperaturat kanë arritur rekord me deri në 46 gradë.

Shumë kohë për intervistë nuk ka Victor Domínguez. Ai me ekipin e tij të Kryqit të Kuq sapo janë nisur drejt një vatre të re zjarri, që ka shpërthyer në komunën Casas de Miravete në provincën Extremadura, pak orë me makinë larg Madrid. Në orën dy të mëngjesit evakuohen 66 vetë. Ata kanë nevojë për një vendstrehimi, për ujë dhe ushqim si dhe trajtim psikologjik. "Njerëzit janë në përgjithësi mjaft të shqetësuar. Atyre u duhej të dilnin nga shtëpitë duke lënë pas gjithçka në orët e para të mëngjesit, sepse një zjarr i madh po përhapej direkt sipër fshatit të tyre", thotë Dominguez.

Prej ditësh ai dhe ndihmës të tjerë punojnë papushim në zona të ndryshme, ku kanë rënë zjarre. Edhe në Ladrillar. Flakët atje kanë gëlltitur ndërkohë rreth 4000 hektarë tokë. Qindra banorë janë larguar nga shtëpitë.

"Ndihemi të pafuqishëm"

Edhe Victor Domínguez ka qenë në Ladrillar. "Eshtë një javë shumë e vështirë. Temperaturat janë ekstremisht të larta. Era ndryshon vazhdimisht drejtimin. Zjarrëfikësit po punojnë në limitet e kapaciteteve". Ai shton, se „ndonjëherë ndihemi të pafuqishëm. Ne s'mund ta influencojmë motin, ndërkohë që moti është thelbësor për ta vënë zjarrin nën kontroll."

Spanja gjatë këtij korriku po përjeton valën e dytë të gjatë të të nxehtit me temepratura deri në 46 gradë, që po vazhdojnë për ditë me radhë madje edhe më gjatë se një javë. Vala e parë e të nxehtit e përfshiu vendin në qershor. Ishin temperatura të pazakonta. Edhe në qershor pati zjarre në pyje.

Një zonë prej 30.000 hektarësh u cënua prej zjarreve në parkun natyror të Sierra de la Culebra. Kjo zonë është jo vetëm bastioni i fundit i ujkut në Europën Perëndimore, por edhe një zonë e rëndësishme për bujqësinë dhe turizmin.

Këtë verë kriza e klimës po duket më qartë se çdo herë tjetër me të nxehtit, zjarret, thatërisën dhe mungesën e madhe të të korrave. Së fundi shërbimi shtetëror meteorologjik i Spanjës, Aemet, publikoi studimin dhe regjistrimet e dekadave të fundit.

Meteorologia Beatriz Hervella është e shqetësuar: „Se sa e madhe është influenca e ndryshimit të klimës, këtë duhet ta analizojmë saktë. Por fakt është që temperatura mesatare në Spanjë është rritur", thotë ajo.

Këto ndryshime dallohen qartazi në verë. Vera ndërkohë është pesë deri në gjashtë javë më e gjatë se në vitet 1980. Në dhjetë vitet e fundit është dyfishuar edhe numri dhe kohëzgjatja e valëve të të nxehtit. Ndryshimet shkaktojnë jo vetëm thatësira ekstreme, por ato janë të rrezikshme edhe për shëndetin e njeriut. Në Spanjë çdo verë vdesin të paktën 1300 vetë nga të nxehtit ekstrem.

Rrugët bosh

Në shumë qytete në Spanjë rrugët janë pothuajse bosh në orët e pikut të vapës. Kush nuk e ka të nevojshme të dalë jashtë, qendron brenda. Njerëzit dalin jashtë vetëm në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje vonë. Ndërsa ekipet e emergjencës janë në çdo kohë në krye të detyrës, pavarësisht pikut të të nxehtit. Pavarësisht vështirësive ata përjetojnë vazhdimisht edhe mirënjohje gjatë punës: "Kur i jep një shishe ujë të freskët zjarrfikësit, e kupton, se sa dobi ka puna që bën secili prej nesh. E ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më tej, sado që të jetë kostoja.". DW

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?