Verë pa pushime? Pas ‘drejtuesve’, Basha zbret në struktura, në selinë e PD po përgatitet zyra e përkohshme e kryetarit

31 Korrik 2023, 15:54| Përditesimi: 31 Korrik 2023, 21:00

  • Share

Dita e dytë si kryetar i PD nuk e gjeti Lulzim Bashën në zyrë. Ai nisi takimet për ristrukturimin e partisë në terren.

Një ditë pasi mblodhi strukturat drejtuese në Tiranë, Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve, Lulzim Basha la zyrën e përkohshme që po i përgatitet në selinë e re të Partisë Demokratike, dhe tashmë që i duhet të mendojë për PD-në e riformatuar, zbriti tek strukturat në takime informale.

Aty Basha pritet të kalojë edhe gushtin e nxehtë, përpara se t’i mbledhë demokratët më 2 shtator sërish në Tiranë, kur edhe do të mbajë Kuvendin Kombëtar. 

Me një parti të krasitur nga berishistët, me rikthimin e tij Lulzim Basha duhet të ri-freskojë edhe ekipin drejtues, pasi shumë prej atyre që la pas kur u dorëhoq e braktisën dhe nuk e njohin rikthimin e tij në krye të PD, duke krijuar një front të ri kundërshtarësh, sic është ish krahu i tij i djathtë Gazment Bardhi dhe nënkryetarja Jorida Tabaku.

Sinjalin se po mendon për ekipin “Basha 4”, ai e dha menjëherë pas zyrtarizimit kryetar, duke zgjedhur zëdhënësen e re të Partisë, Mirela Karabinën. Duket që këtë jave Andia Ulliri ka zgjedhur të jetë krah Bashës ndryshe nga mbledhja e 19 qershorit ku bashkë me 16 deputetë të tjerë firmosi për të bojkotuar garën për kreun e PD-së.

Ndërsa me Sali Berishën, luftën do ta vijojë aty ku e la, në gjykatën e Tiranës, përsa kohë ngërçi është rikthyer në shkallë të parë, dhe nuk është zgjidhur ende përfundimisht.

Nga ana tjetër, Berisha vijon t’i mbajë peng selinë, ku zhvillon aktivitetin e tij politik që prej kohës kur Basha iku nga drejtimi i PD, në marsin e vitit 2022.

Sali Berisha mbledh të martën Kryesinë e tij, ku me gjasë do të diskutohet për të mbledhur një tjetër Kuvend demokratësh në shtator.

Ora 20:16
Lulzim Basha takim me drejtuesit politikë të qarkut të Durrësit: Do t’u japim shqiptarëve një alternativë

Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me drejtues politikë të qarkut të Durrësit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Basha, përmes një postimi në Facebook, ku tha se ka nisur puna për riorganizimin e PD-së. Ai shtoi se modernizimi, hapja dhe përfshirja e sa më shumë të rinjve dhe të rejave, është prioritet e tij dhe drejtuesve të PD-së, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë.

"Me drejtuesit politikë të Qarkut të Durrësit nisëm punën për riorganizimin e Partisë Demokratike. Modernizimi, hapja, përfshirja e sa më shumë të rinjve dhe të rejave, e intelektualëve dhe specialistëve të ndershëm, janë prioriteti ynë për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë që reflekton ambiciet e tyre për një ndryshim të vërtetë", shkruan ai.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sifi: 01/08/2023 08:48

    Basha me bluze si Zhelenski qe nuk e heq prej nje kohe te gjate! Humor i zakonshem shqiptar

    Përgjigju
  • Scutari: 01/08/2023 04:26

    Luli gjithë këtë kohë nuk e paska shkuar kohën kot, paska bërë palestër.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?