Plator Nesturi

Vërtet ndjen frikë nga shantazi SPAK?

12 Maj 2022, 09:33| Përditesimi: 12 Maj 2022, 09:41

  • Share

Debati mbi deklaratat e kryeministrit se SPAK duhet të hetojë në 360 gradë të spektrit politik ka ngërthyer median ditë me rradhë. U cilësuan si shantazh, ndërhyerje e intimidim i drejtësisë dhe madje dhe shprehje e frikës nga organet e drejtësisë. Gjithësesi, për mirë apo keq, deklarata politike nga i gjithë spektri partiak ka patur gjatë gjithë kohës. Edhe para një jave, dhe para një muaji, para një viti e prej mëse 30 vitesh. Pra, edhe pak kohë më parë ka patur deklarata qoftë dhe nga opozita ku SPAK akuzohet se i shërben maxjorancës, ku orientohet e jepet drejtim se ku dhe cfarë duhet të hetojnë prokurorët. Politika gjithmonë ka dëshiruar që drejtësia të hetojë, por të hetojë në kampin kundërshtar dhe jo në shtëpi të vet. Ndaj nuk do të jetë aspak çudi e të na vijë e papritur që politika, e çdo anësie dhe e çdo madhësie, të bëjë deklarata e akuza mbi drejtësinë edhe në të ardhmen. Çështja do të ish shqetësuese nëse vërtet organet e drejtësisë do të ndiheshin të frikësuara nga deklaratat dhe provokimet e politikës. Nëse vërtet do të ish kështu kjo do të ishte alarmantja dhe jo një deklaratë politikani. Pas kryerjes së Reformës në Drejtësi i kemi dhënë aq shumë kompetenca me ligj prokurorëve dhe gjyqtarëve sa do të ishte paradoksale që ata të ndihen të intimiduar. Aq shumë kompetenca dhe mbrojtje ligjore me tepri pikërisht për tu ndier të painfluencuar nga politika dhe që të kryejnë me sukses misionin për të zhbërë zullumet e korrupsionit dhe të abuzimit me pushtetin.

Ndërsa komentojmë deklaratat e kryeministrit për ndërhyrje e intimidim, le të ndjekim nëse vërtet ndihet i shantazhuar SPAK. Më gjykimin tim nuk më duken as të lemerisur dhe as të shqetësuar. Pasi në fakt ashtu duhet të jetë. Janë vënë në atë detyrë pikërisht për të përballuar çdo trysni dhe qetësinë për punën ua jep dhe garancia që u jep ligji. Përkundrazi. Fakti që kryeministri del me deklaratë për SPAK është tregues se ai nuk e kontrollon më drejtësinë. Se Reforma ka shtruar shinat e saj dhe se në këtë rrugëtim do të marrë përpara shumë të pushtetshëm që kanë parkuar pa leje. Tashmë na duhet një drejtësi jo e nxitur politikisht dhe me prapavijën e interesit të partisë në pushtet, por në shërbim të ligjit dhe interesit publik. Dhënia e drejtësisë dhe forca e akuzës ka kohë që i ka rrëshkitur si e drejtë e politikës. Në 30 vite pluralizëm ndërsa foltoret e parlamentit ishin shndërruar në podium akuzash ndaj kundërshtarit, ato nuk prodhuan asnjë denoncim apo dënim konkret, sado që aferat që përfaqësuesit politikë i vishnin njëri tjetrit ishin të ububushme dhe kriminale. Thuajse askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë nga akuzat e politikës. Kjo jo pse vërtet ato ishin fare bosh dhe fluturake si çdo gjë për të cilën politikanët nuk mbajnë përgjegjësi sipas ligjit, por pse përdoreshim rëndom për shantazh. Ama për çdo shantazh kish një antishantazh, pas çdo akuze kish heshtje të dyanshme dhe kështu grehina e korrupsionit ngriti shtat me kontributin e përbashkët të të gjithë klasës politike, pa dallim ngjyre, krahu apo ideologjie.

Sot, nëse ka diçka të mirë dhe për të cilën politika nuk mund të mburret se ishte protagoniste, por pse u detyrua të ngrejë unanimisht votën, është reforma në drejtësi. Me 100 halle, me shumë oshilacione por që gjithësesi nuk mund të thuhet se është e tëra si dikur nën kontrollin dhe shërbimin e politikës. Një korpus jo i vogël i kësaj drejtësie të re nuk i përket as të majtës dhe as të djathtës, as presidentit, as oligarkut dhe ca më pak krimit. Dhe ky është ogur i mirë. Është një shpresë se të pandëshkueshmit do të ndëshkohen një ditë, se korrupsionit që ka marrë kot në çdo aspekt të jetës mund ti vihet fre të mos kalërojë kaq pa frikë, që politikani të mos ndihet i paprekshëm kur abuzon me pushtetin dhe bashkë me të dhe oligarku i cili përfiton nga skemat korruptive. Shteti i vërtetë nis me të drejtën. Në të kundërt do të mbetemi një kaos-shtet ashtu siç kemi qenë në këto 30 vite. Mund të kesh qeveri, ushtri e polici, mund të kesh edhe gjykata fasadë, edhe ligje e kushtetutë në letër, por kur e drejta është e arratisur gjithshka do të bjerë dhe do të shkërmoqet një ditë. Le të shohim realitetin pa syze politike dhe pa u ndikuar nga zhurma deklarative e pinjollëve të vjetër të politikës. E gjithë klasa politike sot ndodhet në një krizë ekzistencialiste. Maxhoranca ndihet e goditur dhe e trysnuar nga drejtësia përsa kohë në rrjetën e hetimeve bien përfaqësues të saj. Opozita ca më keq është e shkalafitur dhe pa busull orientimi. Vetë PD ndarjen në dy kampe antagoniste mes tyre e ka të brujtur pikërisht në një vendim që ka të bëjë me shpalljen non grata të Berishës. LSI duket një çetë e shpërndarë nga ku Meta nuk dihet sa do të gjejë më 24 maj pasi të lerë presidencën, ndërsa partitë e tjera ndihen të vetëmjaftuara për të gëzuar mandatin e deputetit që ia morën PD-së në 25 prill.
A mund të shpresohet ndonjë gjë positive nga kjo shpurë politike? A mund të ketë hë për hë zgjidhje të ndryshme apo shpresë të re nga ky farë tregu politik që ofrohet? Absolutisht jo. Ky treg i gjasë së gjallë politik dhe sidomos kjo opozitë që është rralluar e shushatur si nga gripi i pulave, as mund të pretendojë se mund të përbëjë zgjidhje. Ndaj dhe britmat puritane e shkelmat që hedh janë fallco dhe sa për të thënë jam ende gjallë. Ajo çfarë mund të shpresojmë ne si qytetarë të këtij vendi ndërsa vijon beteja e drejtësisë ndaj korrupsionit, është që të paktën politika të vetrregullohet. Përderisa në horizont nuk duken forca të reja që të mbushin boshllëkun e besimit që kanë krijuar partitë e vjetra, kjo mbetet e vetmja shpresë. Pra që qeveria të vetrregullohet në ushtrimin e pushtetit të saj dhe në funksion të luftës ndaj korrupsionit ndërsa opozita të vetformohet si opozitë e vërtetë. Për fat të keq, në horizont nuk ka zgjidhje të tjera. Ose ato mund të jenë më të këqia se kaq..

E.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?